Është i papranueshëm kapitullimi para logjikës nënshtruese

Është i papranueshëm kapitullimi para logjikës nënshtruese
  • 27 August 2016 - 07:47

Shkruan: Skënder Mulliqi

Në këtë konglomerat të dobët politik, natyrisht se vijnë në shprehje krizat e ndryshme

Ende në kokat e sundimtarëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë po mbretëron logjika e regjimit autokratik

Nëse dikur ka qenë kohë tjetër dhe rrethana të tjera politike në Evropë dhe botë, sot kur kemi hapëruar në shekullin 21, nuk ka asnjë justifikim të kthimit tonë mbrapa

Shpesh dëgjohet konstatimi “populli e ka udhëheqjen çfarë e meriton”. Bie pyetja logjike, a është ky konstatim i drejtë dhe pse nuk vlen për të gjithë popujt dhe shtetet një konstatim i tillë? Në shtetet e ish-bllokut komunist popujt kanë jetuar keq, sepse iu kanë nënshtruar shtypjes, kurse në anën tjetër kemi pasur shtetet e sistemit kapitalist, ku popujt kanë jetuar në demokraci duke bërë një jetë të mirë. Kemi gjermanët të cilët i ka ndarë Muri i Berlinit në dy pjesë. Ata gjermanë, të cilët kanë jetuar në sistemin komunist kanë jetuar shumë më keq në krahasim më vëllezërit e tyre, të cilët kanë jetuar në sistemin e avancuar kapitalist. Kështu ka ndodhur edhe në vende tjera të botës. Nuk bëhet fjalë këtu për popuj meritorë ose më pak meritorë, por bëhet fjalë së në cilin sistem kanë jetuar ose jetojnë popujt. Ata të cilët i kanë pasur regjimet diktatoriale natyrisht së kanë jetuar shumë më keq. Që i njëjti popull ka mbetur nën sundimin e regjimeve diametralisht të kundërta faji, nuk është i popullit, por luftërat e zhvilluara dhe sferat e ndikimit në botë kanë qenë të tilla.

Politikat e superfuqive i kanë ndryshuar hartat gjeografike në botë

Gjermanët pas 40 viteve arritën të bashkohen, për dallim nga shumë shtete dhe shumë popuj, të cilët nuk e kanë pasur ende mundësinë e bashkimit. Politikat e superfuqive i kanë ndryshuar hartat gjeografike në botë shpesh padrejtësisht, duke i lënë popujt me gjuhë, kulturë dhe territor të përbashkët të jetojnë në shtete, me të cilat nuk i lidh asgjë, pos që janë fqinjë. Këtë fat të keq e patën edhe shqiptarët, të cilët mbeten jashtë trungut të lashtë ilirik, me fajin e fuqive të mëdha të kohës. Kjo bëri që ata të sundohen edhe nga regjimet diktatoriale. Kosova dhe trojet e tjera etnike mbeten nën sundimin e serbosllavëve. Edhe shqiptarët që jetuan në Shqipëri deri të shembja e komunizmit në Evropë ishin të detyruar të përjetojnë diktaturën. Nuk mund të themi se shqiptarët i merituan regjimet tiranike në trojet e tyre etnike. Nëse kjo tirani ua ka imponuar regjimet, nuk mund të konkludojmë edhe për fajin e popullit pse i kanë pranuar këto regjime diktatoriale. Rendi i ri botëror bëri të mundur shkëputjen nga komunizmi të shteteve të ish-bllokut komunist. Proceset demokratike në Evropë, p or edhe në botë ishin të pandalshme. Edhe pse ka perënduar epoka e sundimtarëve të mënyrës klasike të sundimit, duket sikur janë zgjuar bukur shumë lugetërit e këtyre regjimeve. Kur jemi këtu ne natyrisht më shumë na intereson Kosova si shteti më i ri në Evropë. Duke u ndarë më luftë në vitin 1999 nga Serbia, kemi menduar së do të shkëputemi përgjithmonë edhe nga koha e diktaturës së egër komuniste.

Nuk justifikohet gjendja e keqe politike dhe e rrjedhave ekonomike pas 17 vjetëve

Për fatin tonë të keq, ende në kokat e këtyre sundimtarëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë po mbretëron logjika e regjimit autokratik. Nëse dikur ka qenë kohë tjetër dhe rrethana tjera politike në Evropë dhe botë, sot kur kemi hapëruar në shekullin 21, nuk ka asnjë justifikim të kthimit tonë mbrapa. Duhet pranuar se kemi tendenca të hapura të kthimit të logjikës sundimtare më shtetin dhe masën. Regjimet aktuale në Kosovë dhe në Shqipëri fshehurazi, por edhe haptazi më veprimet e veta, janë duke u shkëputur nga populli, duke ndërtuar shtet më shumë për vete. Janë duke sunduar, duke u thirrur në emër të popullit. Tash në këtë kohë dhe në këto rrethana politike është e papranueshme logjika nënshtruese. Edhe mund të vijë në shprehje thënia së “çfarë është populli të tillë e ka udhëheqjen”, kur dihet së janë të gjitha mundësitë e demantimit të një teze të tillë politike. Unë ende shumë besoj se nuk do të pranohet një konstatim i tillë. Shqiptarët historikisht ditën ta ruajnë dhe ta mbrojnë qenien e tyre kombëtare. Nuk justifikohet gjendja e keqe politike dhe e rrjedhave ekonomike pas 17 viteve. Ka qenë e logjikshme që pas luftës duhet durim dhe përmbajte, sepse vendi ka qenë i shkatërruar nga lufta. Por, 17 vite dhe ende nuk i shihet fundi këtyre marrëzive, kjo nuk justifikohet. Sikur në shqiptarët gjithmonë patëm fatin e keq që të na dalin përpara të padijshmit, të pandërgjegjshmit dhe të pamoralët politikë. U treguan lakmitarë të të mirave materiale, duke lënë anash interesin e përgjithshëm.

Vrasjet politike të pasluftës

Madje, shumë prej tyre akuzohen se kanë bërë krime, se për korrupsion veç është bërë e ditur kjo punë. Patëm gjatë këtyre viteve edhe vrasje të motivuara politikisht, të cilat kurrë deri më tash nuk u zbardhën së pari nga administrata e UMNIK-ut, nuk u zbuluan as nga EULEX-i, dhe as nga organet tona shtetërore. Kjo tregon së sa jemi larg të bërit shtet funksional dhe shtet ligjor. Në këtë konglomerat të dobët politik, natyrisht se vijnë edhe në shprehje krizat e ndryshme. Edhe mostransparenca është indikatori i keq i gjendjes së krijuar. Sikur që nga fillimi të kishim pasur transparencë, nuk do ta kishin një situatë të tillë jo të volitshme politike. Lëshimet që prekin statusin politik të Kosovës filluan me të madhe nga Fusnota, pastaj marrëveshjet të cilave kurrë nuk iu përmbajt Serbia, lëshimet me Asociacionin e komunave serbe me kompetenca vendimmarrëse deri te loja më kufijtë shtetërorë. Kur gjithë kësaj ia shtojmë gjendjen e dobët ekonomike dhe sociale, mund të konstatojmë me të drejtë së kjo kastë politike moti ka rënë në provim...