Nuk ka mundësi t'i shitet rregullisht popullit dushk për gogla?

Nuk ka mundësi t'i shitet rregullisht popullit dushk për gogla?
  • 30 August 2016 - 07:48

Shkruan: Skënder Mulliqi

E lexova një shkrim "të mirë" të Isa Mustafës në fb. Kishte shkruar shumë mirë se çfarë në të vërtetë do të duhej të ishin proceset politike dhe veçmas rrjedhat ekonomike në Kosovë. Kryeministri Mustafa lavdërohet në këtë postim për punën e mirë të Qeverisë të cilën ai e drejton, e plotë fjalë të mira të tjera, të cilat bien ndesh katërçipërisht me situatën politike tensionuese dhe rrjedhat ekonomike të dobëta. Mustafa e përmend rritjen ekonomike. Po, në rregull, po nuk e thekson se çka përfituan qytetarët dhe të papunët nga kjo rritje ekonomike? Edhe nëse ka rritje ekonomike, sa vlen ajo rritje kur kemi gjendjen alarmante të atyre, të cilët po kërkojnë punë. Pse nuk tregoi kryeministri, Isa Mustafa se çka është duke u bërë në zhvillimin e ekonomisë së vogël dhe ekonomisë së mesme, të cilat janë të një rëndësie të madhe për zhvillim të gjithmbarshëm? Pak.

Prodhuesit nuk e kanë as sigurinë minimale në treg

E përmend konsolidimin e buxhetit. Më mirë është ta kishte thënë se buxheti i trashëguar nga Qeveria e Thaçit ka qenë buxhet më shumë emergjent. E çka mund të bëhet në planin zhvillimor me këtë buxhet, bie fjala? Fare pak. Por, këtyre qeveritarëve po u mungon shumë transparenca, e cila pastaj po i kushton Kosovës. Kur qëndron puna kështu me një buxhet të tillë, atëherë sigurisht se burimet për avancimin e ecurive zhvillimore ekomomike duhet kërkuar. Ka burime, po sa ato po shfrytëzohen është një kapitull krejt tjetër. Thithja e investimeve të jashtme p.sh, do të ishte një punë fort e mirë për zbutjen e gjendjes së papunësisë enorme. Kjo nuk po ndodh se investitorët e jashtëm nuk po iu leverdisin kastës politiko -financiare në pushtet. Nuk duan t'i rrezikojnë të gjitha ato biznese të paligjshme që i kanë. E përmend në këtë postim kryeministri Mustafa edhe sektorin bujqësor, duke e cilësuar si stabil. Sektori bujqë- sor është shumë me rëndësi për Kosovën kur dihet se me çfarë tokash pjellore posedojmë, e veçmas Rrafshi i Dukagjinit . 17 vjet pas përfundimit të luftës dhe produktet vendore nuk kanë as sigurinë minimale në treg. Shiten prodhimet më çmime mizerable, duke mos pasur mundësi bujqit e vyer të Kosovës, të nxjerrin siç thuhet në gjuhën e popullit as shpenzimet minimale. Subvencionimet janë aq të vogla sa nuk ia vlen as t'i përmendim, edhe pse ka mundur të bëhet shumë pikërisht në këtë plan. Një pronar i një restoranti më thotë: "Merreni me mend, nuk kemi mundësi në Kosovë të kemi shumë prodhime vendore, madje duhet të importojmë, thotë ai, edhe majdanoz!!! 

Zbehja e imazhit të vendit

Një pjesë të shkrimit Mustafa ia kushton korrupsionit , e krimit të organizuar. Që të dyja këto ishin dhe kanë mbetur fenomenet të cilat Kosovën dhe popullin e saj e kanë katandisur si është më së keqi. Shumë ia kanë zbehur imazhin vendit në sytë e botës demokratike. Mustafa thotë gjithashtu se kemi mekanizma për ta luftuar krimin . "Kemi vullnetin e Qeverisë të mos lejojë që njerëzit e inkriminuar në krim dhe korrupsion të punojnë në institucione qeveritare". Po mirë, sigurisht se i kemi të gjitha mundësitë. Por për ta luftuar krimin dhe për t'i zbardhur vrasjet politike, të cilat nuk i ke përmendur fare, kjo luftë duhet të fillojë nga kreu i shtetit e deri te zyrtari më vogël pa përjashtim. Bie pyetja logjike, a ka vullnet politik të luftohen krimi dhe korrupsioni? Nuk ka. Pse, prapë shtrohet pyetja? Nuk ka mundësi të luftohen këto dukuri negative dhe dukuritë e tjera me këtë kastë politike. Si të luftohet korrupsioni kur organet tona të drejtë- sisë janë të ndikuara nga politika ditore. Në të gjitha hallkat e pushtetit janë instaluar me direktiva partiake ose direktiva të tjera njerëzit të cilët po vendosin për Kosovën? Natyrisht së lufta kundër krimit dhe korrupsionit bëhet shumë e vështirë. Për t'u luftuar krimi dhe korrupsioni duhet të lirohemi nga kjo kastë politike e korruptuar dhe e kriminalizuar. Vetëm atëherë mund edhe të llogarisim se lufta kundër çdo dukurie negative do të jetë shumë më efikase se deri më tash. Tash kur puna u ka ardhur në zgripc të madh shkaku i Demarkacionit e përmendet luftën që duhet bërë kundër korrupsionit. Nuk e ke fare ndërmend atë punë, veç i lutësh Zotit t'i bashkë me presidentin Thaçi që të kalojë disi edhe kjo furtunë politike. Bukur vështirë është t'i shitet rregullisht popullit dushk për gogla, siç keni vepruar deri më sot… 

(Kosova Sot)