Kosovën e pavarësoi UÇK-ja, Amerika dhe NATO-ja, jo partia, as tradhtia!

Kosovën e pavarësoi UÇK-ja, Amerika dhe NATO-ja, jo partia, as tradhtia!
  • 30 August 2016 - 07:50

Shkruan: Prof.Dr. Mehdi Hyseni

Me rrena, me korrupsion, me trafikantë, me gënjeshtarë, me manipulues, me hipokritë, me sektaristë, me demagogë, me mashtrues, me tradhtarë, me mitë, me "ngre dreka e shtro darka" të shtrenjta me para të popullit, me falsifikime dhe me politika të falimentuara dhe me liderë politikë e shtetarë të dështuar, nuk është çliruar dhe pavarësuar Kosova e Shqipërisë Etnike. Është turp i madh dhe gabim i pafalshëm për ata shtetarë dhe liderë politikë qofshin në pushtet ose jashtë pushteti, që po dalin në opinion me "besedat" e tyre, duke gënjyer popullin, se gjoja politika shqiptare ballkanike (1989-1999) " qenka meritore-faktori vendimtar", që sot Kosova është e lirë dhe e pavarur! Kjo është gënjeshtra më e turpshme, që po i bëhet popullit shqiptar në Ballkan, kur dihet se, si shkak i dështimit të politikës së ashtuquajtur paqësore, përkatësisht nënshtruese, mashtruese dhe vasale, krisi pushka çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me Kryekomandantin e saj legjendar, Adem Jashari kundër pushtuesit çetniko-fashist të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Në Kosovë nuk mbretëronte kurrfarë paqeje

JO, politika: "prit gomar derisa të dalë bar", por Pushka top e heroit legjendar historik dhe e patriotit kombëtar shqiptar, Adem Jashari, solli lirinë e Kosovës; solli Amerikën dhe NATO-n në Kosovë! Duke qenë se vetë jam viktimë-dëshmitar i gjallë i zhvillimit të ngjarjeve politike në Kosovë(1989-1999), asnjeri nuk mund të ma errësojë mbamendjen time lidhur me të vërtetën e historisë së Kosovës si para, gjatë, ashtu edhe pas luftës në Kosovë (1989-1999), sepse sikurse mbi 2 milionë shqiptarë të tjerë, edhe unë përjetova atë dekadë të llahtarshme të frikës të terrorit, të torturës, të burgosjes, të deportimeve, të vrasjes, të masakrave dhe të gjenocidit të regjimit çetniko-fashist dhe barbarë të Serbisë pushtuese të Slobodan Milosheviqit, ngase nuk pati asnjë politikë shqiptare në Ballkan, që të na shpëtonte nga Serbia okupatore gjenocidale e Slobodan Milosheviqit, e Vojislav Sheshelit, e Tomislav Nikoliqit, e Arkanit, e Ivica Daçiqit etj.

Gjatë gjithë asaj dekade dhjetëvjeçare, politika shqiptare, asgjë nuk bëri, që të na shpë- tonte nga terrori dhe nga gjenocidi i Serbisë, vetëm se na ushqente me rrena dhe me premtime boshe: "prit gomar derisa të dalë bar". Kjo ishte "strategjia mbrojtëse" e asaj farë "politike paqësore", që nuk përbëhej nga asnjë element i filozofisë së njëmendtë paqësore (të cilën Rugova me rugovistët e tij, e quanin paqësore, madje, edhe "gandiane"!), sepse në Kosovë nuk mbretëronte kurrfarë paqeje, por sundimi i egër i plojës dhe i terrorit serb mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë të pafajshëm dhe të pambrojtur nga bashkësia ndërkombëtare e as nga Shqipëria mëme demokratike e Sali Berishës, e Fatos Nanos, e Rexhep Mejdanit, e Alfred Moisiut, e Ilir Metës dhe e Pandeli Majkos, të cilët ishin vetëm spektatorë statikë të terrorit dhe të gjenocidit serb ndaj shqiptare, ngase nuk e gjetën asnjë arsye, që të aktivizonin ushtrinë e tyre për ta marrë në mbrojtje popullin shqiptar në Kosovë nga bandat paramilitare, militare, policore dhe piromane të Serbisë agresore (1989-1999).

Pavarësimi i Kosovës nuk nënkupton zgjidhjen e kurrfarë "pjese të çështjes kombëtare

Sa më sipër, Kosova e pavarur nuk u krijua si rezultat i asnjë partie politike shqiptare, por vetëm në saje të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s së legjitimuar dhe të mbështetur ligjërisht, moralisht, politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht nga Uashingtoni. Këta janë të vetmit faktorë vendimtarë historikë, ushtarakë dhe politikë, që ia sollën lirinë dhe pavarësinë Kosovës, më 17 shkurt 2008 e jo, as Shqipëria si shtet dhe, asnjë subjekt politik shqiptar, pavarësisht nga përcaktimi ideologjik dhe politik i tyre. Kjo është e vërteta, që nuk ka forcë në botë, që të mund ta fshijë nga faqja e ndritshme e historisë së pavarësisë së Kosovës, si rrjedhim dhe, si meritë kryesore historike, politike, diplomatike, ekonomike, humanitare dhe ushtarake e Amerikës me Presidentin e saj historik, Bill Clinton, i cili ka meritat më të mëdha për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës (jo Shqipëria e as Turqia). Pra, fatbardhësisht, për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës, meritat kryesore i ka UÇK-ja, lufta çlirimtare e së cilës e solli Amerikën dhe NATO-n në Kosovë, jo asnjë parti politike dhe asnjë liderë i tyre. Së fundi, duhet të nënvizoj se, pavarësimi i Kosovës nuk nënkupton zgjidhjen e kurrfarë "pjese të çështjes kombëtare", sepse ajo nuk ekziston si e tillë, por mund të konsiderohet vetëm si një hap më afër drejt ribashkimit me Shqipërinë ngaqë çështja kombëtare shqiptare është zgjidhur që në shekullin XIX. Kush është normal, tanimë, e di se shqiptarët në Ballkan nuk kanë të pazgjidhur "çështjen kombëtare", por çështjen koloniale, e cila ka ngelur pezull, që nga viti 1878. Ky është problemi i pazgjidhur i shqiptarëve në Ballkan. Ndaj, logjikisht, realisht, njerëzit, moralisht, shkencërisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht problemi kolonial i shqiptarëve, do hynte në rrugën e zgjidhjes, vetëm atëherë, nëse do të trajtohej si i tillë, ndryshe, do të ngelë status quo sikurse këtu e 100 vjet më parë.

(Kosova Sot)