Ringjallja e kontrollit të armatimit në Evropë

 Ringjallja e kontrollit të armatimit në Evropë
  • 30 August 2016 - 09:47

Shkruan : Frank Walter Steinmeier

Siguria evropiane është sërish në rrezik

Rreziku nga një garë e re e armatimit është shumë i madh

Teknologjitë e reja – aftësitë sulmuese kibernetike, fluturaket e armatosura pa pilotë, robotët dhe armët elektronike, laserike dhe nga distancat e mëdha – bartin rreziqe të reja

Siguria evropiane, në mënyrë befasuese për shumë njerëz është sërish në rrezik. Pra, edhe një herë, siguria evropiane duhet të jetë në krye të agjendës sonë politike.

Edhe para fillimit të konfliktit në Ukrainë në vitin 2014, ka pasur shenja gjithnjë e më të mëdha të një rritjeje të konfrontimit mes blloqeve rivale. Ky konfrontim i ri, megjithatë, nuk përcaktohet nga antagonizmi mes komunizmit dhe kapitalizmit, por nga një mosmarrëveshje në lidhje me një rend të ri social dhe politik, një mosmarrëveshje për lirinë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe për të drejtat e njeriut, si dhe nga një betejë për sfera gjeopolitike të ndikimit. Aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë ka shkelur Ligjin ndërkombëtar dhe ka vënë në dyshim themelet e arkitekturës së sigurisë së Evropës. Për më tepër, natyra e konfliktit, siç ka demonstruar Ukraina, ka ndryshuar në mënyrë dramatike. E ashtuquajtura luftë hibride dhe aktorët joshtetërorë janë duke luajtur role gjithnjë e më të mëdha. Teknologjitë e reja – aftësitë sulmuese kibernetike, fluturaket e armatosura pa pilotë, robotët dhe armët elektronike, laserike dhe nga distancat e mëdha – bartin rreziqe të reja. Skenarët e rinj të luftës – njësitë më të vogla, fuqia më e madhe luftarake, transportimi më i shpejtë – nuk mbulohen nga regjimet e sotme ekzistuese të kontrollimit të armatimit. Rreziku nga një garë e re e armatimit është shumë i madh. Që nga koha e raportit të Harmel-it, që ka ripërcaktuar strategjinë e NATO-s në vitin 1976, Perëndimi ka ndjekur një qasje në dy shtigje në raportet e tij me Rusinë: Parandalimin dhe uljen e tensioneve. NATO e ka ripërtërirë zotimin e saj nga kësaj strategjie të dyfishtë në samitin e Varshavës në fillim të kësaj vere.

Qasja e dyfishtë e NATO-s

Ne kemi adoptuar masat e nevojshme për të ofruar siguri ushtarake, dhe në të njëjtën kohë e kemi riafirmuar përgjegjësinë tonë politike për siguri kooperative në Evropë. Kjo qasje e dyfishtë është temë e një problemi të qenësishëm: parandalimi është i vërtetë dhe i dukshëm për të gjithë, por ulja e tensioneve duhet të jetë gjithashtu e vërtetë dhe e dukshme nëse dëshirojmë që ta luajë rolin  e saj. Kurdo që kjo balancë e politikës humbet, rriten keqkuptimet, dhe mbetet pak për të reaguar kundër rrezikut të përshkallëzimit.  Për ta zbutur këtë rrezik, duhet të avancojmë drejt një qëllimi konkret: Ringjalljen e kontrollit të armatimit në Evropë si një mjet të provuar e të dëshmuar të reduktimit të rrezikut, transparencës dhe zhvillimit të besimit mes Rusisë dhe Perëndimit.

Marrëveshjet për kontroll të armatimit, siç ka demonstruar historia, nuk janë rezultat i besimit ekzistues – ato janë mjete për ndërtim të besimit aty ku ai është humbur. Në vitin 1962, kriza kubane e raketave e solli botën afër konfrontimit bërthamore. Shpejt pas krizës – kur raportet amerikano-sovjetike ishin në nivelin më të ulët ndonjëherë – të dy superfuqitë vendosën që kishte ardhur koha për të punuar në këtë problem, përmes hapave të vegjël por konkretë.  Ky princip ishte gjithashtu pjesë qendrore e politikës së re lindore të Willy Brandt-t në vitet 1960 dhe 1970. Sot, çarje të reja e të thella janë hapur mes Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa druaj se nuk do të jemi në gjendje që t’i mbyllim ato në një të ardhme të afërt, sado shumë që të provojmë. Askush nuk duhet që t’i nënvlerësojë sfidat, me të cilat përballemi në këtë aspekt, veçanërisht duke pasur parasysh shumë kriza – në lindje të Ukrainës, Siri, Libi dhe gjetiu – në një kohë kur nuk jemi imunë ndaj përshkallëzimit të ri të problemeve të tjera. Vetëm një gjë është e sigurt: Nëse nuk provojmë, paqja në Evropë dhe përtej do të jetë e brishtë. Pra ne duhet që t’i kushtojmë vëmendje leksionit të uljes së tensioneve: pa marrë parasysh se sa të thella janë çarjet, ne duhet të provojmë të ndërtojmë ura.  Për fat të keq, regjimet ekzistuese të armatimit dhe çarmatimit janë duke u shpërbërë. Rusia më nuk e zbaton Marrëveshjen për Forca Konvencionale të Armatosura në Evropë, e cila ka çuar deri e mënjanimi i dhjetëra mijëra tankeve dhe armëve të rënda nga Evropa në vitet pas vitit 1990. Në mënyrë të ngjashme, transparenca dhe zhvillimi i mekanizmave të mirëbesimit është tkurrur në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë janë vërë gjithnjë e më joefikase, ndërsa Rusia kundërshton hapat e nevojshëm për modernizimin e tyre. Marrëveshja për Qiej të Hapur e OSBE-së, gjithashtu, është e kufizuar në zbatimin e saj dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia e ka bërë të vjetruar Memorandumin e Budapestit. Besimi që ishte akumuluar me kujdes gjatë dekadave të punës së madhe është harxhuar. Por, në të njëjtën kohë, Rusia në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje për një debat të ri për një kontroll të armëve konvencionale në Evropë. Në këtë aspekt, ka ardhur koha që të bisedohet me Rusinë. Rinisja e kontrollit të armëve konvencionale duhet të bazohet në parimin që ishte në qendër të politikës lindore të Brandt-it: siguria në Evropë nuk duhet të kornizohet si një proces i vazhdueshëm armiqësor.

Duhet një marrëveshje e re

Siguria më e madhe për njërën anë nuk duhet të kuptohet nga ana tjetër si reduktim i sigurisë personale. Jo, sipas meje, një rinisje e kontrollit të armëve duhet t’i mbulojë pesë fusha. Na duhet marrëveshje të cilat:

· Definojnë kufijtë rajonalë, distancat minimale dhe masat për transparencë (veçanërisht në rajonet e ndjeshme ushtarake siç është Baltiku);

· Marrin parasysh aftësitë dhe strategjitë e reja ushtarake (njësitë më të vogla mobile, në vend të ushtrive tradicionale të mëdha, duke i marrë parasysh në mënyrë të duhur mundësitë për transportim);

· Integrojnë sistemet e reja të armatimit (siç janë fluturaket pa pilotë);

· Lejojnë verifikim efikas, të shpejtë, fleksibil dhe të pavarur në kohëra të krizave (të cilat bëhen, të themi, nga ana e OSBE-së);

· Mund të zbatohen ku ka mosmarrëveshje në lidhje me statusit territorial.

Rusia ka shkelur parimet themelore të paqes

Në lidhje me këto çështje të komplikuara, ne dëshirojmë që ta nisim një dialog të strukturuar me të gjithë ata që ndajnë përgjegjësi për sigurinë e Evropës. OSBE-ja, të cilën është duke e drejtuar Gjermania sivjet, është një forum i rëndësishëm për një dialog të tillë. Nuk është e sigurt se një sipërmarrje e tillë mund të ketë sukses në një kohë kur rendi botëror është duke u ndryshkur dhe kur raportet me Rusinë janë të këqija. Por, do të ishte një papërgjegjësi, nëse nuk provohet një gjë e tillë. Është e vërtetë, Rusia ka shkelur parimet themelore të paqes – integritetin territorial, zgjedhjen e lirë të aleancës, dhe njohjen e ligjit ndërkombëtar – që janë të panegociueshme për ne në perëndim. Por, ne duhet të jemi gjithashtu të bashkuar në kërkimin e shmangies së një spiraleje drejt antagonizmit dhe konfrontimit. Në perëndim, sikur edhe në Rusi, bota jonë duket gjithnjë e më e rrezikshme. Terrorizmi islamik, konfliktet e egra në Lindje të Mesme, shtetet në dështim dhe kriza e refugjatëve paraqesin rreziqe për tërë Evropën. Aftësitë për siguri në të dy anët janë të zgjeruara maksimalisht. Askush nuk fiton dhe të gjithë humbin nëse e lodhim veten me një garë të re të armatimit. Me rinisjen e kontrollit të armëve mund ta bëjmë një ofertë të dukshme për bashkëpunim për të gjithë ata që dëshirojnë të bartin përgjegjësi për sigurinë e Evropës. Ka ardhur koha për ta provuar të pamundurën.

Frank Walter Steinmeier është ministër gjerman i Punëve të Jashtme