Shansi i fundit i Evropës

Shansi i fundit i Evropës
  • 31 August 2016 - 10:07

Shkruan: Joschka Fischer

Dritarja historike e mundësive

Shumë evropianë janë duke pasuar flamurin demagogjik që thërret për nacionalizëm

Në vend të ruajtjes së paqes dhe të një unioni më të afërt, evropianët janë duke përjetuar episode të çrregullimeve dhe dhunës gati në baza ditore. Këtu përfshihet vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja

Pjesa më e madhe e historisë së Evropës është karakterizuar nga konfliktet. Historiani amerikan Robert Kagan, shkroi në vitin 2003, se amerikanët janë nga Marsi, e evropianët nga Venera; por, Evropa ishte me shekuj të tërë më afër zotit romak të luftës, sesa perëndeshës së dashurisë.

Venera gjeti vend në Evropë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur u paraqitën shumë institucione qeveritare globale, duke përfshirë OKB-në, Bankën Botërore dhe sistemin monetar “Bretton Woods”. Gjatë Luftës së Ftohtë, vendet evropiane ia kishin dhënë pjesën më të madhe të sovranitetit të tyre njërës prej dy superfuqive botërore, SHBA-së, apo BRSS-së.

Më pas u hoq dorë nga kontrolli i ndarë nga dy superfuqitë, ku sistemi i vjetër shtetëror i Evropës u zëvendësua nga BE-ja, me premtimet e saj për paqe të përjetshme midis vendeve anëtare dhe midis Evropës dhe botës më gjerë. Kolapsi i komunizmit në Evropë, i pasuar nga ai i BRSS-së në vitin 1991, përshkruhej me tone triumfale në Evropë dhe në SHBA, si fund i historisë, si triumf i demokracisë liberale dhe i kapitalizmit me treg të lirë.

Efekti i luftërave civile

Pas vetëm disa dekadave, në “annus horribilis 2016”, e tërë kjo tingëllon shumë naive. Në vend të ruajtjes së paqes dhe të një unioni më të afërt, evropianët janë duke përjetuar episode të çrregullimeve dhe dhunës gati në baza ditore. Këtu përfshihet vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja; disa sulme terroriste në Francë; përtëritja e agresionit nga Rusia; si dhe një puç i dështuar i përgjakur në Turqi, pasuar nga kundërmasat  e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan kundër shoqërisë civile.

Për më tepër, kriza e refugjatëve në Evropë, ku azilkërkuesit vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika veriore, ende ka mbetur që të zgjidhet. Efekti i luftërave civile dhe diktaturave ushtarake në fqinjësi të Evropës, rrezikon kontinentin dhe SHBA-ja duket të jetë e lodhur nga roli i saj i garantuesit botëror të sigurisë dhe rendit global. Këta dhe faktorë të tjerë kanë ndikuar te shumë evropianë që të besojnë se vitet e paqes tani i takojnë së kaluarës.

Ndoshta do të mund të pritej që këto probleme të shumta do të ndikonin te evropianët për forcimin e BE-së, me qëllim të marrjes së kontrollit mbi situatën dhe për ta ndihmuar rritjen ekonomike. Por, shumë evropianë janë duke pasuar flamurin demagogjik që thërret për nacionalizëm dhe izolim të stilit të shekullit XIX dhe të shekullit XX. Ky nuk është një ogur i mirë për Evropën. Në shekullin XIX, largimi nga bashkëpunimi dhe integrimi është i barabartë me futjen e kokës në rërë, me shpresën se problemet do të zhdukeshin shpejt. Dhe, ndërkohë, ksenofobia  e rishfaqur dhe racizmi, janë duke dobësuar aftësitë që do t’i duhen Evropës që përsëri të marrë frymë lirshëm.

Si arritëm deri këtu? Duke analizuar 26 vitet e fundit, na duhet që të pranojmë se dezintegrimi i BRSS-së dhe, me të, edhe përfundimi i Luftës së Ftohtë, nuk ishte përfundimi i historisë, por në vend të kësaj, fillimi i përfundimit të rendit perëndimor liberal. Duke e humbur armikun e vet ekzistencial, Perëndimi humbi armikun mbi të cilin kishte shpallur superioritetin moral të vet.

Pragmatizmi modest dhe nacionalizmi i vrullshëm

Vitet 1989-1991 shënonin fillimin e një tranzicioni historik nga bota bipolare e globalizuar të pas Luftës së Dytë Botërore kah një botë të globalizuar, një vend familjar, por të cilën sot ne nuk e kuptojmë ende.

Një gjë është e qartë: fuqia politike dhe ekonomike është duke shkarë nga Atlantiku te Paqësori dhe, larg nga Evropa. Kjo hapë shumë pyetje: Cila fuqi, apo cilat fuqi do ta formojnë këtë rend të ri botëror? A do të jetë tranzicioni paqësor dhe a do të mbijetojë tërë Perëndimi, si i tillë? Dhe, çka do të bëhet me Evropën e vjetër dhe me një transatlantizëm në një “Epokë të Paqësorit”?

Ky mund të jetë shansi i fundit i Evropës që ta përfundojë procesin e bashkimit. Dritarja historike e mundësive e cila ishte hapur gjatë periudhës së internacionalizmit liberal perëndimor, është duke u mbyllur me të shpejtë. Nëse Evropës i ikën ky shans, atëherë nuk do ta teprojmë nëse themi se atë e pret një fatkeqes e madhe.

Politikanët evropianë aktualisht ia ofrojnë popullit një zgjedhje midis pragmatizmit modest dhe të nacionalizmi të vrullshëm. Por, ajo që i nevojitet Evropës tani, është një rrugë e tretë: një lidership politik i cili mund të mendojë në mënyrë kreative dhe të veprojë me vendosmëri në aspektin afatgjatë. Përndryshe, Evropën e presin kohë të vështira.

(Joschka Fischer ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë midis viteve 1998-2005, një mandat që u karakterizua nga mbështetja e Gjermanisë ndaj intervenimit të NATO-s në Kosovë, por me një kundërshtim të intervenimit në Irak)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”