Kriza e lidershipit evropian

Kriza e lidershipit evropian
  • 24 September 2016 - 08:24

Shkruan: Guy Verhofstadt

Samiti që duhej të ishte pasqyrë e unitetit, vetëm sa demonstroi ndarje të reja

Lista e krizave të BE-së vetëm sa vazhdon që të zgjerohet

Përpos Brexitit britanik, problemeve kushtetuese në Poloni, ekspansionizmit rus, migrantëve dhe refugjatëve, si dhe rishfaqjes së nacionalizmit, kërcënimi më i madh për BE-në vjen nga brenda: nga një krizë e lidershipit politik, që është duke paralizuar institucionet e saj

Lista e krizave të BE-së vetëm sa vazhdon që të zgjerohet. Por, përpos Brexitit britanik, problemeve kushtetuese në Poloni, ekspansionizmit rus, migrantëve dhe refugjatëve, si dhe rishfaqjes së nacionalizmit, kërcënimi më i madh për BE-në vjen nga brenda: nga një krizë e lidershipit politik, që është duke paralizuar institucionet e saj.

Sikur për ta dëshmuar këtë, liderët e shteteve anëtare të BE-së (pa Britaninë) u takuan tash vonë në Bratislava të Sllovakisë, me qëllim që ta demonstrojnë një solidaritet dhe për ta rifilluar procesin e reformave të periudhës post-Brexit. Pjesëmarrësit arritën një progres në drejtim të krijimit të një Unioni evropian të mbrojtjes, gjë që duhet përshëndetur, si dhe në drejtim të pranimit se korniza aktuale organizative e BE-së, nuk është e qëndrueshme; por, aty nuk pati biseda të vërteta rreth reformave të vërteta institucionale, apo ekonomike.

Ndërkohë, refuzimi i kryeministrit italian, Matteo Renzi, që të paraqitet në skenë, në fund të samitit, bashkë me presidentin francez François Hollande dhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, vetëm sa konfirmoi frikën se lidershipi pa timon është duke ushqyer disfunksionimin institucional. Një samit i cili duhej të ishte pasqyrë e unitetit, vetëm sa demonstroi ndarje të reja.

Impotenca institucionale e BE-së është evidente

Liderët e BE-së duhet ta marrin përgjegjësinë për këtë dështim të fundit. Sa për fillim, ata duhet të pushojnë së lëshuari deklarata boshe. Impotenca institucionale e BE-së është evidente, sidomos për armiqtë e saj. Prandaj, ajo tani ballafaqohet me një vendim të vështirë: të vazhdojë me procesin e unifikimit, apo të shkojë kah dezintegrimi i paevitueshëm.

Janë të paktë evropianët që do të donin ta merrnin këtë vendim. Shumë politikanë kanë frikë se do ta paguanin një çmim të lartë në vend, nëse do ta ndiqnin një agjendë të reformave të BE-së. Ata thonë se insistimi kah një integrim më i madh në klimën aktuale politike, nuk ka kuptim dhe se BE-ja duhet të përqendrohet që të bëjë më pak, por më mirë.

Por, kjo është një ofertë false. BE-ja do të mund ta ndërtonte një model më të integruar të qeverisjes, për të rritur investimet dhe për të hapur vende të reja të punës, derisa në të njëjtën kohë t’i adresonte ankesat e rëndomta në lidhje me “shiritin e kuq” dhe disfunksionimin.

Janë të paktë ata liderë evropianë që duket se janë duke e kuptuar se rreziku real për BE-në, është status quoja. Dhe, me lëvizjet populiste në mbarë Evropën që mundin partitë tradicionale në anketa, hapësira për të bërë ndryshime të vërteta është duke u ngushtuar me të shpejtë. Nuk duhet doemos që të jetë kështu. Ka shumë liderë që e çojnë ujin në mullirin e nacionalistëve dhe populistëve të brendshëm, duke menduar gabimisht se, duke vepruar kështu, do ta ruajnë mbështetjen që gëzojnë nga populli, në një kohë kur do të duhej ta tregonin një lidership të vërtetë dhe të luftonin për të mirën e përbashkët.

Zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe në Gjermani do të jenë treguese për të ardhmen e lidershipit evropian. Në zgjedhjet e fundit shtetërore të Gjermanisë, Unioni kristian-demokrat i Merkelit dhe partneri i tij qeveritar, Partia socialdemokratike, përjetuan humbje të konsiderueshme, gjë që mund të thotë se koalicioni i madh qeverisës gjerman është në rrezik para mbajtjes së zgjedhjeve vitin e ardhshëm. Në ndërkohë, mbështetja për partinë ekstremiste të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) vazhdon që të rritet.

Mposhtja e populizmit kërkon liderë të guximshëm

Merkel ka dy opsione: ajo mund të zhvendoset në të djathtë, sikur që kishte bërë presidenti i kaluar francez, Nicolas Sarkozy, në betejën e tij të fundit për presidencë, apo mund të luftojë dhe ta mbajë qendrën, duke adresuar dhe demantuar argumentet false të AfD-së. Zgjidhja është e qartë: Merkel nuk duhet të dorëzohet, por të luftojë, derisa çuar përpara në të njëjtën kohë një vizion alternativ për modernizimin e BE-së.

Mposhtja e populizmit do të kërkojë liderë që do të merren me njerëzit që kanë mbetur prapa, si pasojë e globalizimit, por edhe që ta thyejnë mitin se ekziston një zgjidhje e shpejtë, apo se globalizimi thjesht, mund të kthehet mbrapshtë. Për dallim nga argumentet e populistëve, proteksionizmi nuk do ta zvogëlojë papunësinë e të rinjve, apo pabarazinë e të ardhurave. Nëse vendet e BE-së refuzojnë marrëveshjet tregtare që janë duke u diskutuar aktualisht, duke përfshirë edhe Partneritetin investues dhe tregtinë transatlantike, si dhe Marrëveshjen gjithëpërfshirëse ekonomike dhe të tregtisë, atëherë roli i BE-së në vend do të zvogëlohet dhe do të jetë ekonomia evropiane ajo që do t’i vuajë pasojat e kësaj.

Ngjashëm me këtë, nëse eurozona nuk ia del që të integrohet më tej, duke forcuar strukturat e qeverisjes ekonomike, kriza aktuale financiare e Evropës vetëm sa do të vazhdojë, duke penguar lëvizshmërinë sociale dhe drejtësinë sociale. Është koha që liderët e BE-së t’i bëjnë këto argumente më efikase.

Projekti evropian po vdes ngadalë

Në tërë Perëndimin, kriza financiare e vitit 2008 shkaktoi një luftë politike e cila ende është duke u zhvilluar. Ajo tani është shndërruar në një betejë midis vizioneve për shoqëri të hapura, apo të mbyllura.

Nëse BE-ja dëshiron që ta shtypë revoltën kundër globalizimit, tregtisë së lirë dhe shoqërive të hapura, atëherë ajo do të ketë nevojë për më shumë liderë dhe më pak menaxherë. Liderët evropianë, sinqerisht, duhet të dinë më mirë, sesa të fajësojnë institucionet e BE-së, marrëveshjet hipotetike tregtare dhe refugjatët, për dështimet e tyre që në adresimin e papunësisë dhe zvogëlimit të pabarazisë.

Ne, në Evropë, nuk mundemi as ta fusim kokën në rërë, derisa projekti evropian vdes ngadalë, e as nuk mund ta përdorim këtë krizë për ta filluar një projekt të ri të përtëritjes dhe reformës.

Edhe këtu, zgjidhja është e qartë: liderët e BE-së duhet t’ua ofrojnë evropianëve një kontratë të re sociale, të bazuar në të kuptuarit se frika reale e njerëzve nga globalizimi, duhet të shoqërohet me një përgjigje kolektive, progresive evropiane.

BE-ja ka qenë forcë madhore prapa globalizimit dhe vetëm BE-ja e ka fuqinë që të ndihmojë në menaxhimin e pasojave. Liderët evropianë duhet t’ua shpjegojnë votuesve të tyre pse nacionalizmi nuk mund ta bëjë këtë.

(Guy Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës, është president i Grupit të Aleancës së liberalëve dhe demokratëve për Evropë – ALDE, në Parlamentin evropian)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”