Premtimi i rrezikshëm i populizmit: para falas

Premtimi i rrezikshëm i populizmit: para falas
  • 27 September 2016 - 09:54

Shkruan: Anne Applebaum

Plani i Trump-it është një rikthim në skenarin e Venezuelës

Partitë populiste nga Hungaria deri në Francë tani po flasin për nacionalizëm

Populizmi i dështuar shpeshherë çon në populizëm radikal dhe populizmi radikal çon në dhunë. Kur njerëzit nuk marrin atë që u është premtuar, ata zemërohen

Fjala “populist”, që ka kohë që është pjesë e vokabularit politik, së fundmi është rikthyer në jetë fuqishëm. Kjo fjalë zakonshmit përdoret për ta përshkruar lëvizjen e “njerëzve” kundër “elitës”, qoftë ajo në formën e Revolucionit Francez ose revoltës së fermerëve amerikanë. Zakonisht kjo fjalë u referohet lëvizjeve që janë të “krahut të majtë” dhe, në vitet e fundit, kjo fjalë është uzurpuar pothuajse krejtësisht nga Amerika Latine, ku liderët karizmatikë populistë kanë galvanizuar lëvizje masive dhe kanë shtyrë përpara programe për shpenzimet publike, të dizajnuara për t’iu ndihmuar të varfërve.

Herët ose vonë, të gjitha kanë përfunduar me dështim – nganjëherë në mënyrë spektakolare. Me gjasë shembulli më i jashtëzakonshëm është Venezuela e Hugo Chávez-it. Retorika e tij kishte inspiruar admirimin e krahut të majtë dhe liderëve tjerë populistë nëpër botë. Njëri nga këta admirues është edhe lideri i Partisë Laburiste të Britanisë, Jeremy Corbyn, i cili, në qershor të vitit 2015 ka lavdëruar “të arriturat e Venezuelës në krijimin e vendeve të punës, në shëndetësi dhe edukim”. Së fundmi, admiruesit janë heshtur, pasi kombinimi i shpenzimeve të mëdha me nacionalizmin dhe menaxhimin e gabuar kanë çuar në inflacion, rende të gjata të njerëzve që presin për ushqim dhe produkte tjera esenciale.

Forma më energjike e populizmit është ajo e “krahut të djathtë”

Populizmi i krahut të majtë, megjithatë, vazhdon të jetojë në Greqi, Spanjë dhe vende të tjera. Mirëpo, në pjesën më të madhe të botës perëndimore, forma më energjike e populizmit është ajo e “krahut të djathtë”. Kundërshtimi i elitës ka marrë tone të reja, shpeshherë duke dalë kundër globalizimit, kundër tregtisë dhe formave kundër imigrimit. Mbështetësit më të mëdhenj të saj kundërshtojnë “korrektësinë politike”, që i bie se ata përdorin gjuhë raciste. Të tjerët e pëlqejnë përdorimin e sloganeve nacionaliste.

Mirëpo, edhe nëse duken dhe tingëllojnë më ndryshe, edhe nëse dinë si t’i përdorin mediet sociale dhe teknikat e huazuara nga televizionet, populistët e rinj kanë diçka të përbashkët me populistët e vjetër. Sikur pararendësit e tyre, ata ofrojnë fantazi: plane të skicuara, ide të paqarta, premtime që nuk mund të mbahen dhe, më e rrezikshmja, para pa bërë gjë. Larg nga përfaqësimi i diçkaje të re, ata qëndrojnë për diçka të vjetër: Dëshira e njerëzimit për zgjidhje të shpejta dhe joreale për problemet e vështira – plus më shumë para.

Pa marrë parasysh se si dëshironi ta quani – utopianizëm, romanticizëm – duket se kjo po prek çdo të dytën gjeneratë. Partitë populiste nga Hungaria deri në Francë tani po flasin për nacionalizëm – sepse nëse njerëzit do t’i kishin në pronë kompanitë, atëherë gjithçka do të ishte në rregull. Këtë skenar e dimë nga historia dhe kësisoj e dimë edhe mënyrën se si përfundon. “Ndërto një mur” dhe “ktheja madhështinë Amerikës”, janë sloganet më të famshme të Donald Trump-it, mirëpo ai gjithashtu pretendon se ka “plan ekonomik” që bën thirrje për 4.4 trilionë dollarë shkurtime taksash. Ky është një rikthim në skenarin e Venezuelës – Trump-i mëton që t’u japë njerëzve para nëpërmjet shkurtimeve të taksave, mirëpo, nëpërmjet mënyrës që ai planifikon të funksionojë, ai do ta falimentonte vendin në të njëjtën mënyrë. Edhe këtë skenar e dimë nga historia.

Nacionalizimi, premtimet për shpenzime dhe sloganet e thata

Një version më i butë i fantazisë së parave falas është vërejtur edhe në debatin britanik për referendumin që e vendoste të ardhmen në raport me BE-në, kur ‘Brexit’-i e kishte bërë të dukej e mundur shpenzimi i 350 milionë funteve në javë në sistemin e kujdesit shëndetësor. Ndonëse ky argument është përgënjeshtruar shpesh, sondazhet pas shpalljes së rezultateve të referendumit, ka dalë që ky ka qenë argumenti më bindës: Largohuni nga Evropa, merrni më shumë para dhe nuk do të keni telashe.

Nacionalizimi, premtimet për shpenzime dhe sloganet e thata: Politikanët që në mënyrë cinike premtojnë të pamundurën me hiperinflacion nëse realizohen ose katastrofë politike nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë. Populizmi i dështuar shpeshherë çon në populizëm radikal dhe populizmi radikal çon në dhunë: Kur njerëzit nuk marrin atë që u është premtuar, ata zemërohen. Këto kanë qenë mësime që janë mësuar në shekullin e njëzetë, mirëpo duket se do të detyrohemi t’i përsërisim ato në shekullin njëzetenjë. Nuk ka asnjë risi në këtë moment populist, vetëm fytyrat dhe flamurët kanë ndryshuar.

(Anne Applebaum është gazetare dhe autore që e ka fituar çmimin ‘Pulitzer’ dhe kolumniste në “The Washington Post”)