Prapë për Kishën ortodokse në Prishtinë

Prapë për Kishën ortodokse në Prishtinë
  • 28 September 2016 - 07:57

Shkruan: Ylber Vokshi

Kërkohen analiza me forcën e argumenteve

Nuk duhet harruar se Kosova kishte një të kaluar të kënaqshme urbane, e cila me unifikimin e traditës, eksperiencës dhe angazhimit të armatës së tërë të profesionistëve të rinj, do të sillnin rezultate të dëshirueshme në tërë Kosovën e pasluftës

Këto ditë prapë kjo çështje ekstreme është politizuar, ndoshta edhe më qellim, me prapavija të caktuara, të cilat gjithnjë na kanë dëmtuar gjatë historisë. Nga aspekti urbanistik, pronësor dhe fetar, gjërat janë të pastra si loti. Politika le ta trajtojë problematikën, e cila është ndezur me prapavija ogurzeze, të cilës i kemi ndihmuar me të madhe vetë ne që shtatëmbëdhjetë (17) vite me naivitetin tonë, me mospunën edhe me servilitetin e pashpjegueshëm, me bashkëpunimet e dyshimta që i kemi kultivuar, me lojalitet të pakuptueshëm të treguar. Për të ardhmen e objektit duhet të dominojë ana profesionale, propozimet e ndryshme në demokraci tolerohen, por ato propozime që ndikojnë direkt në IDENTITETIN URBAN të kryeqytetit janë tërë- sisht të papranueshme, si ato për dislokimin e "kampusit universitar", i cili një herë e përgjithmonë është caktuar në atë lokacion para disa dekadave.

Bartësit kryesorë në këtë proces të komplikuar

Kur në shtator të vitit 2003 (para 13 vite) Komuna e Prishtinës firmosi kontratën për të filluar përpilimin e një dokumenti urban, në kundërshtim me Ligjin e Planifikimit Hapësinor të sapoaprovuar në MMPH, ku isha i punësuar, kërkova që të ndërhyjë Ministria që të parandalojë një veprim të tillë kundërligjor. Tendenca ime ishte që kryeqyteti ynë të shërbejë si shembull i institucionalizimit shtetëror, duke ditur rëndësinë e ati dokumenti. Ashtu nuk u veprua, çka më detyroj të reagoj publikisht në shtypin e kohës, për t'ua shpjeguar atyre pasojat e mëdha që e prisnin shoqërinë tonë në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban. Sot pas 13 vite pasojat e veprimeve të tilla në çdo hap po vërehen, po preken, po pengojnë dhe direkt po ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, si rasti i fundit me lokacionin e kishës ortodoks në Prishtinë. Nuk është urbanizimi i një territori vetëm vizatimi i figurave të ndryshme gjeometrike, që paraqesin përmbajtje të ndryshme, në paraqitjen grafike të ndonjë zgjidhjeje urbanistike, thoshte dikur një profesor i imi, si ka ndodhur gati në të gjitha rastet në Kosovën e pasluftës. Prezantimit grafik duhej t'i paraprinin analiza dhe hulumtime detale të bazuara në të dhënat dhe indikatorë hapësinorë dhe urbanet, si dhe angazhimin e shumë faktorëve relevantë në proces, i cili duhet të ishte multi-sektorial dhe gjithëpërfshirës. Bartësit kyç në këtë proces të komplikuar duhej të ishin profesionist të mirëfilltë me eksperiencë të duhur, të cilët nuk kanë munguar në Kosovë, por ata me qëllim janë anashkaluar. Kërkesat e vendimmarrësve, politik-bërësve, investitorëve gjithnjë janë dhe kanë me qenë të natyrave të ndryshme, jorealiste, dëshirore e në shumë raste edhe abuzive. Detyra e profesionistit të vërtetë është që ato kërkesa t'i kanalizoj dhe me forcën e argumenteve profesionale t'i bind ata. Të propozojë zgjidhjen më optimale të mundshme, kjo kërkon punë sistematike. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur në Kosovë në fushën e urbanistikës, për atë e kemi krijuar këtë situatë të paperspektivë, kaotike urbane që po na hakmerret në çdo hap, mirë thotë populli ynë "çka mbjell korr". Nuk duhet harruar se Kosova kishte një të kaluar të kënaqshme urbane e cila me unifikimin e traditës, eksperiencës dhe angazhimit të armatës së tërë të profesionistëve të rinj, do të sillnin rezultate të dëshirueshme në tërë Kosovën e pasluftës. 

"Legalizimi i objektit" e ka historikun e vet

Dokumentet urbane të aprovuara në vitin 2013 (përkundër vërejtjeve të Këshillit të Ekspertëve) në Prishtinë nuk e trajtojnë problematikën fetare fare, e ishte kërkesë imediate e kohës. Ata profesionistë të paktë që patën guximin të kyçen në proces tërësisht u izoluan, u anatemuan, u nënçmuan, u injoruan, nga vendimmarrësit tanë. Është jo e ndershme, dëshpëruese, e pashpjegueshme se si me një plan rregullues "Qendra 2" tentohet të legalizohet një objekt i papërfunduar së ndërtuari, pasi lufta e vitit 1999 me intervenimin e NATO-s e kishte ndërprerë atë. Nëse do të hulumtohej dhe analizohej e tërë procedura e një veprimi të tillë atëherë as që duhej diskutuar për këtë çështje nga aspekti profesional. Më së paku duhej me i sfiduar asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, me miratu një dokument të tillë aty ka viti 2005, nëse nuk gaboj. Kjo tregon një papjekuri profesionale e të gjithë pjesëmarrësve në proces, duke përfshirë edhe takimet apo diskutimet publike edhe me "ekspertë" të urbanizmit të asaj kohe. Nëse ka pasur presione joparimore atëherë ku mbeti etika profesionale e shpjeguar në kodin etik të arkitektëve. Arsyetimet absurde se ky objekt nuk është trajtuar sipas udhëzimeve të punëdhënësit, nuk qëndrojnë pasi ai është i paraqitur si pjesë integrale e projektit "Qendra 2", me përkufizimin e hapësirave dhe propozimin gjelbërimit, hortikulturës. Është dashur të trajtohet edhe ky objekt nga ana profesionale si të tjerët e pastaj të vendos politika. Nëse dikush ka mendar të realizojë ndonjë qëllim djallëzor, pasi nuk ka qenë i bindur nga shpjegimet e sipërfaqë- sore të profesionistëve, atëherë gabojnë shumë. "Legalizimi i objektit " e ka historikun e vet, të bazuar në procedurat e ndërlikuara të ndryshimit dhe plotësimit të dokumenteve urbane, si dhe çështjeve pronësore të bazuara në ligjet e kohës, edhe në ato diskriminuese të regjimit të Milosheviqit, që ishin shpallur të pavlefshme pas luftës nga ana e UNMIK-ut, me një rregullore të veçantë nr 1999/24. As faktori ndërkombëtar në procesin e gjatë të pavarësimit të Kosovës nuk e ka trajtuar objektin pasi nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë.

Indiferenca e pashpjegueshme

Nuk është në pyetje vetëm hapësira e objektit të papërfunduar, por më shumë se katër (4) hektarët të cilët do të ndikojnë direkt në funksionimin e kompleksit universitar, me përmbajtje të hapura transparente në frymën e urbanizmi bashkëkohor. Nga e kaluara e afërme e cila është e mbuluar edhe me një ligj kontraversë nga pako e Ahtisarit për zonat e mbrojtura të vitit 2008 (Ligji Nr. 03/L- 039 për zonat e veçanta të mbrojtura ), atëherë kjo parcelë do të izolohet me mure të larta dhe me një zonë buferike (të mbrojtura),për ndërtimin e objekteve përcjellëse, e kjo mu në qendër të kryeqytetit, sipas modeleve të para më parë në Kosovë për objektet dhe manastiret ortodokse. Këtë duhet me iu shpjeguar të gjithë atyre që po propozojnë variante të ndryshme, se ky objekt nuk mundet me e pasur vendin në kuadër të një kampusi universitar. Ajo përmbajtje do të pengonte të gjithë si popullatën aktuale e më së shumti predikuesit e devotshëm të fesë ortodokse. Këto çështje, me fuqinë e argumenteve profesionale, është dashur me e shpjeguar, elaboruar në planin rregullues "Qendra 2" në vitin 2005, për të mos ardhur në situatën e krijuar konfuze pas 11 vite. Ky rast tregon konkretisht se si janë punuar dokumentet hapësinore në Kosovë në vitet e pasluftës që shpjegova ma lartë, ku roli i profesionistëve në përpilimin dhe zbatimin e këtyre dokumenteve ishte dhe është edhe sot i margjinalizuar në ekstrem, luajnë vetëm rolin e "shërbëtorëve" të grupeve të caktuara politike dhe parapolitike, pa i aplikuar normat, standardet, rregulloret dhe ligjet e urbanistike, që për ata janë obliguese si pjesë e profesionit të tyre. E kam përcjellë situatën hapësinore dhe urbanistike në Kosovën e pasluftës, si dhe mënyrën e punës që është aplikuar në terren ku "masha" e të gjitha këtyre veprimeve degraduese me hapësirën urbane kanë qenë dhe janë "profesionistët" tanë. Shumë herë kam theksuar se ne "Me zgjidhjet e reja urbanistike vetëm bëjmë legalizimin e ndërtimeve informate (pa leje) e asgjë tjetër, në vend që të jemi avangardë (paraprijës) të proceseve shoqërore ", këtë po e konfirmon edhe ky rast, përkundër asaj që sot tentohet të ketë arsyetime jo të qëndrueshme. Imagjinoni arsyetimin "Na është thënë (udhëzuar) mos ta trajtojmë këtë objekt" e në anën tjetër ai objekt figuron në zgjidhjen urbanistike si objektet tjera të projektuara. Kjo tregon një indiferencë të poshpjegueshme dhe shkakton pasoja afatgjata urbane. Këso raste ka në tërë territorin e vendit si në rastin konkret, me pasoja të mëdha që do të shpalosen në të ardhmen e afërme, këto veprime i kam theksuar publikisht këto vite të pasluftës, por vendimmarrësit tanë nuk kanë pasur interesim të veprojnë pozitivisht me territorin e shtetit të tyre. Aplikimi i parimit "pas meje le të bëhet kiameti", i cili ende dominon në Kosovë, vetëm edhe ma shumë e dëmton të ardhmen e vendit në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban.

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

(Kosova Sot)