Pse gara presidenciale amerikane është kaq e ngushtë?

Pse gara presidenciale amerikane është kaq e ngushtë?
  • 28 September 2016 - 10:00

Shkruan: Elizabeth Drew

Hillary Clinton nuk e ka të lehtë dhe të sigurt fitoren

Gjatë javëve të fundit, Trump i është afruar rrezikshëm kandidates demokrate

Do të ishte e pamend që këto votime të konsideroheshin të kryera ende pa u zhvilluar

Me gjasë, shumë njerëz në botë pyeten pse Hillary Clinton, e cila duket mirë se është më shumë e përgatitur dhe më e përshtatshme që të bëhet presidente e SHBA-së, sesa kundërshtari i saj, Donald Trump, nuk e ka të lehtë dhe të sigurt fitoren. Edhe shumë amerikanë ia bëjnë vetes po të njëjtën pyetje. Anketat kombëtare mund të vazhdojnë që të luhaten deri në mbajtjen e zgjedhjeve, më 8 nëntor. Por, gjatë javëve të fundit Trump i është afruar rrezikshëm Hillary Clinton-it, sa i përket mbështetjes nga votuesit, me një rrezik që edhe ta tejkalojë atë në votimet e Kolegjit elektoral, ku demokratët kontrollojnë disa nga shtetet me popullsinë më të madhe (Nju Jorkun dhe Kaliforninë). Pse është duke ndodhur kjo?

Sa për fillim, Trump, përkundër asaj se nuk di thuajse asgjë rreth qeverisjes, apo politikës publike, ia ka dalë që t’i renditë shumicën e republikanëve pas vetes. Njëri ndër motivimet është urrejtja e vjetër e republikanëve ndaj Hillary Clinton-it. Një arsye tjetër është Gjykata Supreme, ku tanimë ekziston një ulëse boshe, që të mbushet nga presidenti i ardhshëm, por pritet që, gjatë katër viteve të ardhshme, të ketë edhe më shumë ulëse të tilla.

Trump po ashtu ka eksploatuar ankthet e amerikanëve, duke dashur që të shkaktonte të njëjtin zemërim anti-imigrant dhe antielitë, i cili e ka kapluar vendet evropiane. Por, Trump nuk mund të fitojë duke apeluar vetëm te meshkujt e bardhë pa diplomë fakulteti. Për këtë shkak, ai me ngurrim është duke u munduar që ta bëjë me dije kinse mërzitet edhe për afrikano-amerikanët dhe latinët, jo duke iu drejtuar votuesve të këtyre grupeve, por duke folur me stereotipa të ekzagjeruar për ta para një audience të bardhë.

Clinton nuk arrin të fitojë zemrat e të rinjve

Në anën tjetër, edhe Clinton është duke i përjetuar vështirësitë e veta gjatë procesit të trashëgimit të koalicionit të grave nga Barack Obama, pastaj afrikanët e Amerikës, latinët dhe gjeneratën e vitit 2000. Shumë të rinj të cilët kishin mbështetur me aq pasion konkurrentin e Clinton-it gjatë zgjedhjeve primare, senatorin Bernie Sanders, kanë injoruar paralajmërimet e tij.

Që nga mbajtjet e konventave nacionale të dy partive më të mëdha në SHBA, secili kandidat ka korrur fitore dhe ka pësuar humbje. Këtë muaj, derisa Trump gëzonte një rritje të mbështetjes në anketa, ai tentoi që të distancohej nga lëvizja raciste “birther”, e cila pohonte në mënyrë false se Obama nuk kishte lindur në SHBA. Kjo iu kthye atij si bumerang edhe për faktin se ai kohëve të fundit pohonte se Clinton dhe kampanja e saj presidenciale e vitit 2008 kishin filluar thashethemet rreth Obamës.

Rritja e mbështetjes, të cilën e ka arritur kohëve të fundit Trump, nuk flasin aq shumë rreth përmirësimit të tij si kandidat, sa që flasin për dobësitë e Clinton-it dhe fatin e saj të keq. Jashtë bazës së ruajalistëve të saj, Clinton gjithmonë ka pasur probleme me sigurimin e votuesve entuziastë. Dhe, ajo ballafaqohet me një sasi të konsiderueshme të paragjykimeve seksuale, qoftë edhe në mesin e mbështetësve të saj.

Por, Clinton po ashtu ka krijuar edhe disa nga problemet e veta. Të gjykuarit e saj jo të mjaftueshëm, në përdorimin e serverit privat të emailave derisa ishte sekretare e shtetit, duke rrezikuar kështu zbulimin e materialeve sekrete, është shndërruar në barrë përgjatë tërë kampanjës së saj. Saga e emailave i është shtuar përshtypjes së vjetër të votuesve, se Clinton nuk është e sinqertë dhe e besueshme, gjë që e bëri atë cak sulmesh edhe nga kundërshtarët në të djathtë. Grupi shumë konservator “Judicial Watch”, vazhdimisht e ka theksuar këtë çështje. Para zgjedhjeve mund të publikohen ende emaila të shumtë të cilët mund të jenë potencialisht të dëmshëm për Clinton-in.

Derisa drejtori i FBI-së, James Comey ka vendosur që të mos e rekomandojë përndjekjen e Clinton-it në lidhje me përdorimin e emailit, ai e dëmtoi kampanjën e saj duke komentuar se ajo ishte “tepër e pakujdesshme”. Sido që të jetë, vendimi për të mos e përndjekur atë, ka ndikuar që komentuesit republikanë dhe konservatorë të thonë se ajo ka marrë trajtim special nga administrata demokrate. Anketat tregojnë se 56% të të anketuarve janë pajtuar se Clinton do të duhej të përndiqej penalisht.

Një çështje e re për Clinton-in u paraqit në gusht, kur “Associated Press” njoftoi se shumë donatorë të Fondacionit Clinton kanë pasur tretman special nga Departamenti i shtetit gjatë kohës kur Clinton gjendej në krye të tij.

Clinton pati fatin e keq që të sëmurej

Në ndërkohë, “Washington Post” ka filluar që të raportojë rreth shpenzimeve ilegale të fondacionit bamirës të Trump-it. Trump, i cili që nga viti 2008 nuk ka bërë asnjë donacion për fondin e vet, ka përdorë mjetet e këtij fondi për të blerë gjësende personale dhe për të paguar shpenzimet gjyqësore.

Përfundimisht, Clinton pati fatin e keq që të sëmurej, ku në një incizim ajo shihet gati duke u rrëzuar gjatë ceremonisë komemorative të viktimave të 11 shtatorit të vitit 2001. Kjo bëri që Trump ta quante atë të papërshtatshme për postin e presidentit.

Pasi që, në fillim, thanë se Clinton kishte qenë tepër e lodhur, më pas ata pranuan se ajo ishte diagnostikuar me pneumoni dy ditë më parë. Një pjesë e madhe e shtypit u zemërua me të, për shkak se nuk e kishte bërë publike këtë diagnozë. Por, zgjedhjet presidenciale amerikane janë një maratonë brutale, prandaj mund të kuptohet pse ajo nuk donte që t’i iknin disa nga takimet më të rëndësishme, të planifikuara. Një anketë e bërë më vonë tregoi se shumica e votuesve pajtoheshin me këtë.

Pushimi 4 ditor mjekësor i Clinton-it erdhi në momentin kur ajo ishte duke e përgatitur një fjalim rreth asaj pse njerëzit duhej ta votonin mu atë, e pse nuk duhej votuar Trump. Sapo ajo filloi ta merrte nën kontroll kampanjën, ndodhën sulmet me bomba në Nju Jork dhe Nju Xhersi, si dhe disa të shtëna politike ndaj afrikano-amerikanëve të paarmatosur, gjë që shkaktoi demonstrata në North Karolina, një shtet i pavendosur, sa iu përket zgjedhjeve.

Kjo është situata në të cilën kandidatët do të dalin në debate sy më sy, të cilat pritet se do ta luajnë rolin kryesor në zgjedhjet presidenciale. Do të ishte e pamend që këto votime të konsideroheshin të kryera ende pa u zhvilluar.

(Elizabeth Drew shkruan rregullisht për “The New York Times”)