A po i servohet popullit politikë skizofrenike?

A po i servohet popullit politikë skizofrenike?
  • 30 September 2016 - 07:56

Shkruan Skënder Mulliqi

Nëse dikur e kemi pasur shtetin e huaj mbi krye, tash shtetin na kanë uzurpuar kastat politike në pushtet

Sikur populli shqiptar është i detyruar të jetë gjithmonë humbës. Ishim humbës në kohës e sundimit komunist. Shqiptarët nën Jugosllavi ishin humbës për 90 vjet me radhë. Kjo ishte periudha më e errët në historinë mbarëkombëtare. Historia komuniste diktatoriale është tashmë një kapitull i mbyllur. Edhe në kohën e tranzicionit që 17 vjet me radhë po jemi humbës, tash jo nga regjimet shtypëse të serbosllaveve, por humbës nga regjimet tona të cilat nuk janë liruar nga logjika e vjetër e sundimit. Që të jemi humbës na bëri kjo kastë politike sundimtare, e cila e ka errësuar të ardhmen tonë. Nuk kemi besuar se me kaq vështirësi do ta kalojmë fazën e tranzicionit. Nuk kemi besuar se do të varfërohemi kaq shumë në fillim të shekullit 21. Nuk kemi besuar se populli do të ketë pak para e pushtetarët kaq shumë. Nëse dikur e kemi pasur shtetin e huaj mbi krye, tash shtetin na kanë uzurpuar kastat politike në pushtet. Nëse dikur na e morën shtetin armiqtë shekullorë, tash po na marrin shtetin pushtetarët tanë shqiptarë. 

Janë bërë milionerë vetëm në kurriz të popullit Kanë bërë shtet dhe mirëqenie vetëm për vete. Janë bërë milionerë vetëm për vete. Kanë bërë prona për familjet dhe njerëzit e vet. Kanë grabitur çdo gjë të vlefshme bashkë me shtetin. Në vend të shtetit po na ' dhurojnë" varfëri dhe mjerim social. Sikur e kanë marrë për detyrë që ta mësojnë popullin që gjendja e abnormalitetit të bëhet gjendje e normalitetit. E kanë për qëllim që pasurimin e tyre, populli ta kuptojë si të mirën e tyre. Po punojnë që humbës të tranzicionit të pambaruar të mbetet vetëm populli. Nuk e kemi besuar së prapë do të vijnë në shprehje njerëzit e tillë të ligë, të cilët do të na bëhen kreatorë të fatit tonë. Deri kur do të lejohen këta pushtetarë të rrejshëm të mbesin në krye të shtetit, krejt varet nga vetëdijesimi ynë. Këta politikanë në pushtet po vazhdojmë që me çmendinë e tyre nëse kanë mundësi ta çmendin edhe popullin. Dhe, shtrohet pyetja, kush është këtu më budalla nëse pushtetarët po na bëjnë lodra fëmijësh? Sigurisht që populli po e pranon lojën e keqe të tyre. Kjo është politikë tipike skizofrenike që po i servohet popullit dhe Kosovës. Këta hileqarë në pushtet, tjetër po flasin, e ndryshe po veprojnë. Kjo është hipokrizia më e madhe. Kjo është hipokrizi karshi shoqërisë, është hipokrizi politike e cila është bërë për fatin tonë të keq pjesë e jetës sonë. Po e pranojmë errësirën në vend të dritës. Nesër mund të na servirin lojëra edhe më të rrezikshme, duke provokuar luftë ose trazira Po pranojmë që të na përdorin si topin duke na gjuajtur diku në fund të botës. Po tolerojmë që jeta gjithnjë e më shumë të na bëhet e padurueshme. Po lejojmë që këta hileqarë ta shtypin dinjitetin tonë, të na rrënojnë fizikisht, materialisht dhe moralisht. Nesër mund të na servirin lojëra edhe më të rrezikshme,duke provokuar luftë ose trazira, që sërish ata të dalin fitimtarë. Logjika e të gjithë sundimtarëve është e pakufishme. Këta sundimtarë mund të na kthejnë situatën sikur në vitet e 90-ta. Këta politikanë në pushtet janë duke iu rënë daulleve të përçarjes e cila do të ishte fataliste. E keqja nëse nuk ndalet bëhet shumë e rrezikshme si zjarri dhe si fatkeqësitë natyrore. Duhet thënë stop të gjithë prodhuesve të krizës politike dhe krizës ekonomike, dhe të stopohen të gjithë profiterët e luftës, dhe gjithë profiterët të tjerë. Errësira në kokat njerëzore është e tmerrshme, siç është e tmerrshme dhe e rrezikshme edhe errësira e përhershme … 

(Kosova Sot)