Populli sirian nuk e meriton atë që po ndodh në vendin e tij

Populli sirian nuk e meriton atë që po ndodh në vendin e tij
  • 30 September 2016 - 09:58

Shkruan: Frederik Pleitgen

Gërmadhat e mbetura pas bombardimeve

Bashkësia ndërkombëtare dhe liderët sirianë nga të gjitha anët janë duke i zhgënjyer njerëzit

Siria ka një histori antike dhe ka pasur ndikim të thellë në kulturën dhe civilizimin, si në Perëndim po ashtu edhe në Lindjen e Mesme. Gjatë udhëtimeve të mia të shpeshta atje, kam parë se populli i Sirisë, pa marrë parasysh në cilën anë është, është i butë, i sjellshëm, miqësor dhe zemërgjerë. Dhe, sirianët nuk e meritojnë atë që po ndodh në vendin e tyre.

Ali ishte duke pastruar copërat nga një dhomë, e cila ishte pjesë e një spitali. Armëpushimi në Alepo ende ishte në tentativë dhe djaloshi 12-vjeçar donte ta shfrytëzonte një pauzë në luftime, për ta përgatitur një vend të ri për të jetuar. Shihan, një zonë që gjendet nën kontrollin qeveritar, dikur gjendej në linjën e parë të frontit. Tani, pas viteve të tëra të luftimeve, ajo është e tëra në gërmadha. Njerëzit e zhvendosur shihen duke lëvizur nëpër gërmadhat e mbetura pas bombardimeve.

"Duhet ta pastrojmë këtë dhomë, si dhe dhomën fqinje, meqë kjo do të jetë shtëpia jonë e re", më tha Ali.

Por, pas vetëm disa ditësh, lufta u kthye përsëri. Avionit bombardonin zonat e mbajtura nga rebelët, derisa edhe në drejtimin tjetër fluturonin granatat, duke goditur pjesët e qytetit që gjendeshin nën kontrollin qeveritar. Nuk kishte shumë gjasa për paqen e Aliut tani.

Gjatë tri viteve të kaluara 13 herë kam raportuar nga Siria dhe, në shumë mënyra, problemet e Aliut janë shembull i kësaj lufte civile.

Armëpushimet kanë ardhur dhe kanë shkuar, secila palë ka marrë, e më pas ka humbur territor, dhuna është përkeqësuar dhe e vetmja gjë që është rritur ka qenë numri i të vdekurve.

Një shkatërrim total nuk kishte shkaktuar asnjë ndryshim në situatën ushtarake

Dhe, “zonat e çliruara”, të cilat na i ka treguar Qeveria, kanë një gjë të përbashkët. Homs dukej sikur Al Qusair, i cili në anën tjetër ishte sikur Mleha, e cila ishte e ngjashme me Darajan. Që të gjitha të rrafshuara me tokë, me ndërtesa të rralla të mbetura në këmbë. Humbësit janë vrarë, apo zhvendosur, fituesit trashëgojnë një grumbull rrënojash që digjet në vetvete. Ky cikël deri më tani nuk tregon shenja se do të ndalet.

Për të hyrë në pjesët e Alepos, që kontrollohen nga Qeveria, duhet të udhëtosh nëpër periferinë e Ramouseh. Kjo dikur ishte një zonë industriale me shumë garazhe për rregullimin e veturave dhe me disa instilacione ushtarake. Kur e morëm këtë udhëtim në shkurt, kaluam nëpër një pikë të madhe ushtarake të kontrollit, të vendosur në disa kazerma. Pas shkurtit, rebelët të udhëhequr nga ekstremistët islamikë – deri vonë pjesëtarë të Al Kaidës – e kishin sulmuar këtë zonë duke u përpjekur që ta shponin rrethimin e ushtrisë siriane, e cila kishte rrethuar pjesët e Alepos, të kontrolluara nga opozita. Ata ishin mundur nga forcat qeveritare dhe forcat ajrore ruse.

Kur kaluam nëpër zonën e njëjtë në fillim të shtatorit, pika e kontrollit ishte ende aty, por i tërë distrikti dukej sikur të ishte goditur nga ndonjë uragan i kategorisë së pestë. Një shkatërrim total nuk kishte shkaktuar asnjë ndryshim në situatën ushtarake.

Rëndom, një konflikt i cili zgjatë më shumë se pesë vjet, me kaq pak progres kah arritja e një marrëveshjeje,“zhduket” nga mediat. Por, Siria nuk është zhdukur. Arsyeja e vetme për këtë është se asnjë gazetar, i cili ka qenë atje dhe ka raportuar nga konflikti, nuk mundet thjesht ta lërë atë prapa.

Siria ka një histori antike dhe ka pasur ndikim të thellë në kulturën dhe civilizimin, si në Perëndim po ashtu edhe në Lindjen e Mesme. Gjatë udhëtimeve të mia të shpeshta atje, kam parë se populli i Sirisë, pa marrë parasysh në cilën anë është, është i butë, i sjellshëm, miqësor dhe zemërgjerë. Dhe, sirianët nuk e meritojnë atë që po ndodhë në vendin e tyre. Problemi qëndron te fakti që Siria është shndërruar në një fushëbetejë të fuqive regjionale dhe botërore dhe se fraksionet luftarake e urrejnë njëri-tjetrin aq shumë sa që ata ende angazhohen për një zgjidhje ushtarake, përkundër faktit se asnjëra palë nuk mund ta bëjë këtë. Opozita e cilëson presidentin Bashar al-Assad si kriminel të luftës, derisa vetë Assad të gjithë ata që janë kundër tij i quan terroristë, të cilët duhet të luftohen me armë.

SHBA-ja dhe Rusia nuk mund t’i ndalin anët, të cilat i mbështesin, që të mos luftojnë, meqë asnjëra palë nuk është e gatshme të bëjë as edhe lëshimin më të vogël.

Fatkeqësisht, një gjë e tillë duket se nuk do të ndryshojë së shpejti. Kushdo që thotë ta ketë një zgjidhje të thjeshtë të këtij konflikti, vetëm sa e mashtron veten. Derisa dështojnë armëpushim pas armëpushimi, liderët botërorë janë duke e kuptuar të njëjtën gjë. Për këtë shkak, bashkësia ndërkombëtare dhe liderët sirianë nga të gjitha anët janë duke i zhgënjyer njerëzit sikur që është Aliu, 12-vjeçar, i cili punon aq shumë duke u munduar që ta pastrojë spitalin e bombarduar, në të cilin dëshiron që të jetojë, meqë aty ka mure, për dallim nga tenda ku ai dhe familja e tij kishin qëndruar më parë. Nëse të gjithë ata që janë përfshirë në këtë luftë nuk mund t’ia ofrojnë atij as edhe një gjë të tillë, atëherë atyre duhet t’iu vijë turp nga vetja e tyre.

(Frederik Pleitgen është raportues ndërkombëtar për CNN. Ai ka raportuar gjerësisht nga Lufta në Siri)