Fati i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë është i lidhur përjetësisht me Amerikën!

Fati i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë është i lidhur përjetësisht me Amerikën!
  • 01 October 2016 - 07:47

Shkruan: Prof.Dr. Mehdi Hyseni

Barometri diplomatik

 Ekspertët ushtarakë rusë në vizitë Shqipërisë për hir të nostalgjisë nga "mallëngjimi" i Moskës për katër nëndetëset sovjetike të "ngrira" në Vlorë (1960), apo nostalgjia për Rusinë?

 Shqipëria po përjeton çastet më të rënda në historinë e derisotme (1913-2016), sepse ka humbur sovranitetin, sigurinë dhe mirëqenien e përgjithshme. Këtë, para së gjithash e provon edhe shndërrimi i Shqipërisë në ara kanabisi dhe në deponinë e hedhurinave të vendeve të ndryshme të Evropës. - Nuk ka asnjë dyshim se, i gjorë është ai popull që, pa asnjë arsye helmatiset dhe ushqehet nga hedhurinat e kontejnerëve të huaj të Evropës ose të botës.

Gjithashtu, një katastrofë dhe mjerim të tillë e dëshmojnë edhe fundosja në korrupsion, në krim të organizuar, në varfëri ekstreme, në papunësi enorme, në moszhvillim, në eksod të institucionalizuar, në shndërrimin e vendit në ara kanabisi, në kontrabandimin dhe në përpunimin e drogës të importuar që nga Kolumbia dhe nga vendet e ndryshme të botës dhe të Evropës, si dhe së fundi, këtë e bëri krejtësisht të qartë, edhe arritja e disa ekspertëve ushtarakë të Rusisë në Shqipëri, gjoja për t'i "inspektuar armatimet" e Shqipërisë, në emër të OSBE-së. Ja sesi këtë lloj "inspektimi ushtarak" rus e ka justifikuar ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodhel, duke qenë se: "Rusia dhe Shqipëria janë anëtare të OSBE-së këto edhe kryejnë veprimtari kontrolli të armatimeve në vendet respektive. Për këtë qëllim, vendet e OSBE-së kanë nënshkruar një konventë, e cila është një procedurë rutinë që bëhet çdo vit, misioni i tyre përfundon më 30 shtator. Ky inspektim nuk cenon asnjë informacion sekret të ushtrisë, përfshirë këtu edhe të NATO-s".

Justifikimet e pajustifikueshme

Me gjithë këtë justifikim të Mimi Kodhelit, është i palogjikshëm dhe absurd "inspektimi" i armatimeve të Republikës së Shqipërisë vetëm nga ana e ushtarakëve rusë, pavarësisht nga detyrimet e Shqipërisë si nënshkruese e asaj konvente në kuadrin e OSBE-së, kur dihet se kjo është çështje tejet sensitive për sigurinë kombëtare të vendit. Pyetja tjetër, pse vetëm "një grup ushtarakësh rusë" t'i ketë kontrolluar armatimet e Shqipërisë? - Pse në këtë grup rus nuk ka edhe anëtarë të tjerë të OSBE-së së vendeve evropiane, siç janë Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia etj.?! Derisa Shqipëria është anëtare e NATO-s, çfarë "inspektimi" i armatimeve i nevojitet të bëhet nga Rusia ose ndonjë vend tjetër-anëtar i OSBE-së? -Ky është nonsens i papranueshëm edhe për interesat ushtarake dhe të sigurisë së Shqipërisë, edhe të NATO-s, edhe të Amerikës në Ballkan. Pavarësisht nga detyrimet e Ministres së Mimi Kodhelit, që dalin sipas "konventës" së OSBE-së, Qeveria e Shqipërisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të pranonte inspektorë ushtarakë rusë për kontrollin e armatimeve të Shqipërisë, sepse ata do t'i raportojnë Moskës për të gjitha sekretet e ushtrisë dhe të sigurisë shqiptare. -Derisa NATO-ja dhe Amerika janë të pranishme në Shqipëri, ushtarët e as "ekspertët" inspektues rusë nuk kanë pse ta "vizitojnë" ushtrinë, policinë dhe sigurinë e Shqipërisë, sepse për këtë përkujdeset dhe garanton NATO-ja dhe Amerika, jo Rusia e asaj aleatët e saj sllavë ballkanikë, qofshin edhe anëtarë të OSBE-së. Sido që të jetë "justifikuar" nga Mimi Kodheli, si dhe të jetë kuptuar dhe interpretuar nga qarqet e tjera zyrtare të Shqipërisë, "vizita turistike" e një grupi ekspertësh ushtarakë rusë për inspektimin e armatimeve ushtarake në Shqipëri, është edhe një shqetësim, si dhe një brengë më shumë për mbrojtjen, për sigurinë, për stabilitetin dhe për sovranitetin shtetëror të Shqipërisë. Kjo farë "vizite turistike" (e ushtarakëve rusë në Shqipëri, me qëllim që të çmallen me 4 nëndetëset sovjetike të Krushçovit në "Pasha Liman" të Vlorës), fare nuk është shenjë e mirë dhe e dobishme as për politikën e as për interesat strategjike komplementare politikoushtarake dhe diplomatike të Shqipërisë me NATO-n, me Amerikën dhe me BE-në.
Amerika është shpëtimi dhe ardhmëria e shqiptarëve dhe e Shqipërisë, jo Rusia, as sllavët e Ballkanit!

Ç'dreqi iu duhen "inspektorët" ushtarakë dhe KGB rusë, kur në Shqipëri kemi Amerikën, NATO-n dhe aleat e tyre europerëndimorë, që garantojnë mbrojtjen e sigurinë e Shqipërisë nga çdo rrezik dhe nga çdo ndërhyrje e jashtme. -E sotmja dhe e nesërmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, është e lidhur ngushtë me Uashingtonin, jo me Moskën, pavarësisht nga nostalgjikët e strukur në Shqipëri, që natën më shumë e duan Rusinë sesa ditën Amerikën dhe NATO-n. Mirëpo, Amerika nuk mashtrohet lehtë, tanimë, qe më se dy dekada ua "lexon letrat në xhep"! Prandaj, si thotë një fjalë e urtë e popullit "me dy mendje nuk shkohet në parajsë". Tanimë, me arsye e kemi zgjedhur Amerikën si aleate dhe partner mik, e cila e shpëtoi dhe e pavarësoi Kosovën nga Serbia dhe nga Rusia (1999-2016), ndaj, larg duart nga Rusia-nëna e sllavëve dhe e të ligave të Ballkanit (1878-2016).

(Kosova Sot)