Ora më e ligë e Sirisë

Ora më e ligë e Sirisë
  • 20 October 2016 - 10:53

Shkruan:Javier Solana 

TMERRET E PËRDITSHME NË ALEPO

Liderët evropianë duhet të dalin në skenë, për t'i rifilluar negociatat

Assad dëshiron që të mbetet në pushtet; Rusia dëshiron ta demonstrojë statusin e saj të fuqisë së madhe, të aftë që t'i rezistojë SHBA-së, ndërsa Irani dëshiron që ta rritë ndikimin e tij regjional dhe ta sigurojë qasjen në Mesdhe. Kur të marrin fund luftimet, këto pozicione vetëm sa do të përforcohen edhe më shumë
Konflikti në Siri është duke u bërë gjithnjë e më i komplikuar dhe perspektiva e vendit vetëm sa është bërë më e keqe. Tmerret e përditshme në Alepo, të cilat janë duke u përjetuar nga qytetarët e rrethuar të këtij qyteti, shënojnë një pikë të re të ulët, duke pasuar dështimin e armëpushimit të fundit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia, i cili dështoi saktësisht në të njëjtën kohë derisa liderët botërorë ishin mbledhur në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Pasi që konflikti në Siri të marrë fund përfundimisht, tri tipare të tij të mbrojtjes do t'i komplikojnë përpjekjet për rindërtim. Për fillestarët, të gjitha palët e përfshira në konflikt, kanë shkelur ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe kanë shkelur normat themelore humanitare. Në fakt, bllokimi i ndihmës humanitare, sulmet kundër civilëve, si dhe vënia në shënjestër të vendeve posaçërisht të mbrojtura nga ligjet ndërkombëtare, janë bërë strategji të kësaj lufte.

Harta ka ndryshuar në mënyrë të dukshme

Vetëm nga prilli e këndej, spitalet siriane kanë përjetuar me dhjetëra sulme dhe ndihma është penguar që të arrijë në disa prej fshatrave më të shkatërruara. Shumë spitale në Alepo kanë qenë të detyruara që të mbylleshin, pasi që janë sulmuar gjatë rrethimit të qytetit. Këto veprime mund të paraqesin krime të luftës dhe ato, për fat të keq, nuk janë të reja. Vetëm gjatë vitit 2015 institucionet mjekësore siriane, të lidhura me OJQ-në "Mjekët pa kufij" pësuan 94 sulme, duke vrarë 23 punëtorë të kësaj organizate dhe 58 të tjerë të plagosur. Majin e kaluar, KS i OKB-së miratoi një rezolutë ku apelonte te të gjitha palët e përfshira në Siri që ta respektonin ligjin humanitar ndërkombëtar, tani vendet anëtare të KS të OKB-së janë duke akuzuar njëri-tjetrin për shkeljen e rezolutave të veta. Një dinamikë tjetër, e cila do të prishte çdo tentim për paqe, është harta komplekse e pjesëmarrësve në konflikt, ku që të gjithë do të duhet të përfshihen në një marrëveshje finale. Derisa kjo hartë ka ndryshuar në mënyrë të dukshme që nga fillimi i luftës, niveli i fragmentarizimit brenda grupeve është bërë shumë evident kohëve të fundit. Tani, kur grupi xhihadist Jabhat al-Nusra ka ndryshuar emrin në Jabhat Fatah al-Sham dhe thuhet të jetë shkëputur nga 'Al-Kaida', ai ka më shumë gjasa që të lidhë aleancë me fraksionet e tjera rebele të cilat po ashtu kanë refuzuar 'Al-Kaidën'. Por, derisa ky përafrim forcon grupet luftuese ushtarakisht, ai po ashtu turbullon kufijtë midis rebelëve dhe islamikëve radikalë. Kjo ka ndodhur derisa grupet rebele jo të afërta me al-Nusran janë bërë më të dobë- ta, duke ia mundësuar regjimit sirian që të insistojë se nuk është duke shtypur ndonjë kryengritje, por duke bërë një luftë kundër terrorizmit. Kështu, në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Moallem, tash vonë akuzoi koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja se është duke nxitur organizatat terroriste, duke përfshirë edhe Shtetin Islamik. 

Në SHBA po merr flakë kampanja parazgjedhore

Muaj më parë, diskutimet rreth një procesi paqësor të përqendruara rreth pyetjes se a duhet Assad të largohet menjëherë, apo të mbetet në pushtet gjatë periudhës së qeverisë kalimtare; kurse tani shtrohet pyetja se a është ish al-Nusra një partner adekuat. Por edhe ana pro Assadit i ka ndarjet e veta. Përpos ushtrisë ruse, pro regjimit janë duke luftuar edhe grupe siriane, irakiane, iraniane dhe afgane, ku secili prej këtyre grupeve i ka interesat e veta. Interesat e disa prej palëve në luftë njihen mirë: Assad dëshiron që të mbetet në pushtet; Rusia dëshiron ta demonstrojë statusin e saj të fuqisë së madhe, të aftë që t'i rezistojë SHBA-së, ndërsa Irani dëshiron që ta rritë ndikimin e tij regjional dhe ta sigurojë qasjen në Mesdhe. Kur të marrin fund luftimet, këto pozicione vetëm sa do të përforcohen edhe më shumë. Një pengesë e tretë në rrugën kah arritja e paqes siriane, ka të bëjë me pozitën "mat" midis Rusisë dhe SHBA-së. Pas kaq shumë armëpushimeve të dështuara, dy vendet e përmendura thuajse e kanë humbur besimin te njëri-tjetri. Dhe, sikur që ka theksuar Dmitri Trenin nga "Carnegie Moscow Center", dështimi i fundit mund të ketë pasoja shumë më shqetësuese sesa dështimet paraprake diplomatike. Deri më tani, SHBA-ja dhe Rusia jo vetëm që kanë ndërprerë negociatat, por janë rrezikuar edhe marrëveshjet e përbashkëta bërthamore. Pasi që SHBA-ja akuzoi Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës në Siri, Rusia deklaroi se kishte suspenduar një marrëveshje për vendosjen e plutoniumit shtesë, përderisa SHBA-ja t'i plotë- sonte disa kushte, duke përfshirë edhe kompensimin e Rusisë për koston e sanksioneve perëndimore të vendosura pas aneksimit rus të Krimesë, në mars të vitit 2014. Nga ana e saj, SHBA-ja gjendet në një pozitë jo të sigurt tani kur fraksionet rebele janë rigrupuar dhe kur është ndalur bashkëpunimi direkt me Rusinë. Presidentit Barack Obama i ka mbetur pak kohë në post, gjë që e bën thuajse të pamundur çdo vendim të madh të politikës së jashtme. Sikur që në Alepo është duke marrë flakë gjithnjë e më shumë lufta, po ashtu në SHBA po merr flakë kampanja parazgjedhore presidenciale, për përcaktimin e pasardhësit politik të Obama-s. Pas më shumë se 5 vjetëve të konfliktit në Siri, tërheqja pa arritjen e një zgjidhjeje, nuk vjen në shprehje. Edhe pse harta e re e pjesëmarrësve i komplikon gjërat, nuk ka dyshim se që të gjitha ato grupe duhet të marrin pjesë në arritjen e një marrëveshjeje paqësore; përndryshe çdo marrëveshje do të tregohet të jetë jetëshkurtër. Ngjashëm, me qëllim të rindërtimit të shoqërisë civile siriane për një aspekt afatgjatë, që të gjitha palët ndërluftuese do të duhet ta marrin përgjegjësinë për krimet që kanë bërë. Çështja e përgjegjësisë do të jetë njëra ndër sfidat më të rënda në përpjekje për arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Do të kemi nevojë për liderë të përkushtuar, si brenda, po ashtu edhe jashtë Sirisë. Edhe pse zgjedhjet presidenciale amerikane do të kenë ndikim, është bërë po ashtu e qartë se paqja nuk mund të sillet vetëm nga SHBA-ja dhe Rusia. Liderët evropianë duhet të dalin në skenë, për t'i rifilluar negociatat. BE-ja gabimisht ka bërë sehir këto bisedime për një kohë tepër të gjatë, përkundër rëndësisë që ka Siria për interesat dhe sigurinë evropiane dhe përkundër përgjegjësisë evropiane për qytetarët e Sirisë. BE-ja duhet ta bëjë çdo përpjekje diplomatike dhe humanitare që t'i bashkojë të gjitha palët pjesëmarrëse dhe për t'i dhënë fund dhunës sa më parë që të jetë e mundur. Vetëm atëherë mund të fillojë rindërtimi i Sirisë. 

(Javier Solana është president i qendrës ESADE për ekonomi dhe gjeopolitikë globale)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"  

(Kosova Sot)