Atdheun po e vrasin ata, të cilët janë ngjitur në pushtet

Atdheun po e vrasin ata, të cilët janë ngjitur në pushtet
  • 22 October 2016 - 08:02

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Njerëzit kanë luftuar dhe kanë vdekur për vatan, janë torturuar në mënyrën më çnjerëzore për komb dhe për atdheun e vet. Regjimi i huaj serbosllav i ka shkallmuar dajakë të parët tanë më qëllim gjunjëzimi, përulje dinjiteti dhe shkombëtarizimi. Të gjitha këto të zeza i kanë përjetuar, por kurrë nuk janë dorëzuar për asnjë çmim. Çdo gjë është kalimtare në këtë botë. Nuk është njëjtë të jetohet keq ose të jetohet mirë. A vlen më thënia "Atdheu duhet edhe kur të vret"?! Jeta duhet të jetohet. Me jetë nuk ka mundësi eksperimentesh. Atdheu kërkon që të duhet, por kërkon edhe njerëz të ndershëm, kërkon njerëz që sinqerisht e duan atë. Nuk është mirë që atdheu të urrehet, për shkak të njerëzve të këqij në pushtet. Kosovën që aq shumë e kanë dashur dhe për të cilën kanë bërë shumë që të jetë e lirë, po fillon të urrehet pa fajin e saj!!! Njerëzit nga zhgënjimi dhe paperspektiva e krijuar në Kosovë, kanë filluar edhe mos ta duan shumë atdheun për të cilin janë flijuar gjenerata pas gjeneratave. Fajtori është jetim nuk e pranon askush, por dihet së fajtor janë të gjithë ata të cilët po e keqpërdorim vatanin, tokën e tyre ku kanë lindur dhe ku janë rritur.

Duke e urryer atdheun nuk riparohet asnjë gabim

Është e vërtetë së njerëzit e këqij, të cilët e kanë drejtuar shtetin keq dhe me hile, i kanë shtyrë shumë edhe atdhetarët që t'i braktisin vatrat e tyre shekullore, jo nga urrejtja ndaj atdheut, por nga urrejtja se atdheun e kanë kapur për fyti për ta ngulfatur turli matrapazësh dhe njerëz më shpirt të shitur. Nuk ka më keq për atdheun se kur bien në duar të atyre, që më së paku e kanë merituar. Në zemër dhe në shpirtin tonë nuk ish-dashur të zënë vend urrejtja karshi atdheut, e as karshi njëri-tjetrit. Duke e urryer atdheun nuk riparohet asnjë gabim i bërë në shtetndërtim dhe mirëqenie. Atdheu askënd se vret, por Atdheun po e vrasin ata, të cilët janë ngjitur në pushtet duke e keqpërdoruar atë më të madhe. Nuk duhet ta urrejmë as atdheun e dikujt tjetër. Mos ta urrejmë himnin e shtetit tonë, edhe pse do të dëshironim të jetë shumë më ndryshe, më domethënës. Pavarësia sipas planit të Ahtisarit do të duhej të na shërbente si hap i madh kah bashkimi gradual i tokave shqiptare të ndara padrejtësisht. Shtetet do të duhej të na dhimbsen të gjithëve nëse udhëhiqen keq, nëse bien në dorë të sherraxhinjve politikë, nëse bien në duar të kriminelëve. Shtetin e Kosovës e kanë pru në derexhe të keqe kjo kastë e degraduar politike. Fati i keq i joni nuk është Kosova, por janë njerëzit shpirtligj, që po e drejtojnë atë si anijen, e cila ka filluar të përmbytet diku në detin e thellë. Fatin e jetës duke kërkuar, nuk vjen fati vetë dhe as nuk pikë nga qielli

Ne nuk guxojmë që shtetin ta lëmë në duar të mashtruesve

Fatin e jetës dhe të shtetit duhet kërkuar për ta lënë atë në duar të sigurta. Shtetit i duhen njerëzit, të cilët janë në gjendje edhe të vdesin për të, jo njerëzit të cilët e vjedhin dhe e plaçkitin pa reshtur. Ne nuk guxojmë që shtetin ta lëmë në duar të mashtruesve. Këta në krye të shtetit po shërbehen rregullisht më rrena, duke pretenduar që ato ta zëvendësojnë të vërtetën. Kjo është trishtuese të mendohet, e lëre të bëhet realitet. Atdheu i do gjithmonë njerëzit e ndërgjegjshëm, njerëzit të cilët atdheun e bëjnë të bukur dhe të mirë për të gjithë. Kosova është vend i gjeneratave të reja, të cilat e meritojnë një jetë të begatshme. Populli i Kosovës është populli më moshë më të re në Evropë. Ata meritojnë një përkujdesje shumë më të madhe nga shteti. Kosovës i nevojiten ata që i sjellin prosperitet dhe vende të reja të punës, e jo që rinia të mendojnë të largohen sahat e para nga vendlindjet e tyre. Kjo është tragjedia jonë e re. Kjo është tragjedi kombëtare. Largimet masive nuk ndalen me fjalë boshe, por me punë të pandalshme, me punë të sinqertë, më njerëz të sinqertë në krye të shtetit. Të rinjtë tanë kanë nevojë të mësojnë së si të jetohet ndershëm, e jo që ndershmërinë dhe prosperitetin ta kërkojnë tek mafiozët dhe bandat e tipit të Al Kapones. Kosova mos të mbetet vend i vajtimit, mos të mbetet përherë plaçkë për pushtetarë, të pandërgjegjshëm dhe të pa moralshëm politikisht. Kosova mos të bëhet parajsë për kriminelë të të gjitha ngjyrave. Do të duhet ta përdorim gjithë mençurinë dhe dijen intelektuale, që shtetin ta drejtojmë kah e ardhmja e ndritur, sepse këtë gjë Kosova dhe populli i saj e meritojnë …

(Kosova Sot)