Lufta për shpirtin konservator të Amerikës

Lufta për shpirtin konservator të Amerikës
  • 27 October 2016 - 09:27

Shkruan: Edward Luce

Kriza e lidershipit, që i karakterizon republikanët, është një problem më i gjerë që karakterizon perëndimin .

Nëse Trump humb zgjedhjet, atëherë është vështirë të shihet se çka do ta parandalojë një luftë civile republikane.

Kurajë. Lidership. Virtyt. Këto ishin cilësitë të cilat dikur çmoheshin nga konservatorët. Nëse mendoni për presidentët, si Abraham Lincoln, Dwight Eisenhower ose George H.W. Bush, atëherë mund të thuhet se Partia Republikane qe e zonja që të nxirrte mjaft burra të tillë. Karakteri i mirë i liderit kishte rol qendror në filozofinë konservatore. Donald Trump nuk bën pjesë këtu. Moderatori i emisioneve televizive është për konservatorizmin ajo që Savonarola ishte për krishterimin. Nëse Trump humb zgjedhjet, atëherë është vështirë të shihet se çka do ta parandalojë një luftë civile republikane. Se a do të jetë në gjendje kjo parti të mbijetojë këtë trazirë, do të varet në një masë të madhe nga liderët e saj. Kjo parti lehtazi mund të ndahet në dysh, apo edhe në tri parti - në një grup nativistësh dhe populistësh, të udhëhequr nga Trumpianët; në një Parti demokristiane, të udhëhequr nga inteligjencia konservatore dhe e mbështetur nga bizneset e mëdha; dhe, mundësisht, në një grup libertarianësh të cilët duan ta "zvogëlojnë" shtetin. Sikur SHBA-ja ta kishte një sistem tjetër, republikanët tanimë do të ishin një entitet i ndarë. Por, në një demokraci me dy parti, kjo nuk ndodhë. A do të mbijetojë Partia Republikane? Një sprovë e vërtetë e pas 8 nëntorit, do të jetë fakti se si, deri më tani, liderët e kësaj partie kanë vepruar ndaj Trump-it. Paul Ryan, kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve dhe zyrtari më i lartë i zgjedhur i kësaj partie, ka marrë qasjen e strucit. Por, herë pas here ai ka dalë për ta shfaqur mospajtimin në lidhje me Trump-in, për shembull rreth planit të tij për t'ua ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA dhe rreth qëndrimit të tij ndaj femrave. Në rastin e fundit, komentet e Ryan-it kanë ngjall zemërimin e Trumpianëve. Që nga ajo kohë, Ryan përsëri e ka futur kokën në rërë. Më mirë është që të heshtësh dhe të tjerët të mendojnë se je tradhtar, sesa ta hapësh gojën dhe t'i bindësh të tjerët se me të vërtetë je i tillë.

Tregimi i gishtit të mesëm establishmentit Por, shumë shpejt Ryan do të ketë nevojë për një qëndrim të guximshëm. Ka të ngjarë që partia e tij do ta mbajë kontrollin ndaj Dhomës edhe pas 8 nëntorit, por me një shumicë më të vogël. Kjo dmth se politikanët kokëfortë të kësaj partie - "Kaukusi" i lirisë, i cili është i specializuar në "mbylljen" e qeverisë - do ta marrë një hise më të madhe të pites së zvogëluar. Kështu, puna e Ryan-it do të zvogëlohet edhe më shumë. Ai me gjasë do të sfidohet edhe në lidhje me postin që mban. Ai me vonesë mund të deklarojë se partia e tij e ka dëmtuar veten duke nominuar një njeri vulgar. Të qeverisësh dmth të përzgjedhësh. Tregimi i gishtit të mesëm establishmentit, është sikur adoleshentët që veprojnë me prindërit e tyre. Prindërit e mirë imponojnë rregulla të shëndosha. Nëse Ryan nuk mund të imponojë standarde, atëherë gjërat mund të shkatërrohen. Sprova e tij mund të vijë shumë shpejt. Javën e kaluar, Trump deklaroi se dëshiron ta mbajë SHBA-në "të painformuar" rreth asaj se a do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, apo jo. Më pas, ai sqaroi se do t'i respektojë rezultatet e zgjedhjeve vetëm nëse do të fitojë. Një njeri, fitorja e të cilit dëshirohet nga Vladimir Putin, Julian Assange dhe David Duke, ish- lideri i "Ku Klux Klan"-it, nuk është i interesuar në kualitetin e demokracisë. 

Një demagog e ka rrëmbyer partinë Ryan do të duhet të jetë i guximshëm që ta rrezikojë zemërimin e turmës Trumpiane duke pranuar rezultatet e zgjedhjeve. Por, alternativa është edhe më e keqe. Karakteristikë e lidershipit të vërtetë është bërja e gjërave të drejta, pa marrë parasysh koston personale. George Bush Plaku e bëri këtë kur ngriti taksat në vitin 1991 - duke thyer premtimin e tij të mëparshëm dhe duke siguruar kështu fitoren e Bill Clinton-it një vit më pas. Ronald Reagan e bëri këtë në vitin 1986 kur mbështeti Mikhail Gorbachevin përkundër dëshirës së adhuruesve të Luftës së Ftohtë. Guximi i Reagan-it ndihmoi në shkatërrimin e BRSS-së. Ryan dhe të tjerët duhet ta bëjnë të njëjtën gjë me Trump-in. Një demagog e ka rrëmbyer partinë e tyre. Reagimi më i mirë ndaj kësaj është një lidership i respektueshëm. Një pyetje kyçe është se çka ndodhi me tërë ata konservatorë të krishterë. Për fat të keq, kanë qenë të paktë ata që kanë marrë guximin që t'i kundërviheshin Trumpit. Liderët, si Jerry Falwell Junior, kreu i Universitetit "Liberty" dhe Tony Perkins, kreu i "Family Research Council", kanë preferuar që ta ruajnë paktin e tyre me dreqin. Trump premtoi emërtimin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, të cilët do ta rikthenin (rrëzonin) të drejtën e abortit "Roe v Wade", prandaj ata mbyllën njërin sy ndaj egoizmit të shthurur të tij. Thënia se qëllimi i arsyeton mjetet, është karakteristikë e marksizmit laik. Kjo është antitezë e krishterimit, i cili i vlerëson veprat në bazë të mirësisë së tyre të brendshme. Është ironik fakti që mormonët, me qëndrimin e tyre, janë bërë shëmbëlltyrë për të krishterët. Shteti i tyre, Juta, mundet që, për herë të parë që nga viti 1964, ta refuzojë të emërtuarin republikan. Kriza që i ka prekë republikanët është pjesë e një krize më të thellë të lidershipit, që e ka prekur tërë Perëndimin. Sa më pak që të flitet rreth të mirave të Boris Johnson-it dhe François Hollande-së, për shembull, aq më mirë. Sikur që thotë ajo thënia, është më mirë ta ndezësh një qiri, sesa ta mallkosh terrin. Në një kohë kur vlerat e iluminizmit janë në rrezik dhe kur injoranca konsiderohet virtyt, kërkesa për lidership të guximshëm zor se ka qenë ndonjëherë më e madhe. 

(Kosova Sot)