Paskali nuk e njeh Kosovën, por Serbinë!

Paskali nuk e njeh Kosovën, por Serbinë!
  • 28 October 2016 - 07:49

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Skilja toptaniste Brunilda Paskali me Protokollin e saj gjeoekonomik strategjik anti-Kosovë, gëzoi Serbinë, "bombardoi" diskursin politik dhe diplomatik të kryeministrit Edi Rama, por nuk ia arriti që ta mashtrojë edhe Kosovën, sepse kjo ia arriti t'ia çjerrë maskën e tradhtisë zëvendësministres B. Paskali. Gjithashtu, Protokolli anti-Kosovë i Brunilda Paskalit demantoi konstatimin tim, se Edi Rama "është faktor pozitiv i diskursit të politikës së vjetër të dështuar 100- vjeçare (1913-2016)". Mirëpo, kjo dëshirë parashikuese në kuptimin pozitiv të politikës së reciprocitetit të ndërsjellë Kosovë- Shqipëri nuk duhet keqkuptuar dhe keqinterpretuar "blanko", sepse siç thonë "nga e thëna në të bërë është një det i tërë".

Marrëveshje me Beogradin në kurrizin e territorit të Kosovës

Kjo do të thotë, se politika dhe diplomacia e qeverisë së kryeministrit Edi Rama ende nuk janë dëshmuar në praktikë me vepra konkrete, se janë antitezë dhe diskurs i politikave të vjetra të regjimeve të derisotme të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe trevave të tjera të kolonizuara të Shqipërisë Etnike nën Serbi (Presheva Bujanoci dhe Medvegja), nën Maqedoni (Ilirida), nën Greqi (Epiri shqiptar me Çamërinë) dhe nën Mal të Zi (Malësia e Madhe e Mbishkodrës). Ndryshe, kjo së bashku me Qeverinë dhe me kryeministrin e saj Edi Rama, do ta përfshinin edhe Kosovën si palë të tretë të Protokollit Shqipëri-Serbi, kur është fjala për hartat e tyre gjeoekonomike strategjike për ndërtimin e autostradave dhe vijave hekurudhore, që kalojnë përmes territorit të Kosovës për t'u lidhur Beogradi me Tiranën. -Kështu, Qeveria-Brunilda, në "stilin" e politikës dhe të diplomacisë antikombëtare të Ahmet Zogut dhe të Esat Pashë Toptanit, e tradhtoi Kosovën, duke lidhur marrëveshje me Beogradin në kurrizin e territorit të Kosovës. Një marrëveshje e tillë shqiptaroserbe, e përfunduar në Beograd (13 tetor 2016), do të thotë se as Serbia e as Shqipëria nuk e njohin Republikën e Kosovës (edhe pse Tirana zyrtare de fakto dhe de jure e ka njohur shtetin e pavarur të Kosovës, sikurse 112 vende të tjera të OKB-së).

Paskali e demantoi "diskursin" Edi Rama

Edhe pse ditë më parë pata shkruar se kryeministri Edi Rama është "diskurs pozitiv" i një politike të vjetër 100-vjeçare antiKosovë (1939-2016), kjo nuk do të thotë, që të mos kritikohet për gabimet e bëra politike dhe diplomatike me rastin e vizitës së tij zyrtare, që i bëri Beogradit më 13 dhe 14 tetor 2016, si dhe për gabimet eventuale të tij në të ardhmen. Si ndodhi që kryeministri Edi Rama, të miratonte Protokollin ekonomik serbo-shqiptar (që parashikon ndërtimin e vijave hekurudhore dhe të autostradave, që kalojnë nëpër territorin e Kosovës) të zëvendësministres Brunilda Paskali? Ku ishte Edi Rama, që për këtë Projekt afatgjatë serbo-shqiptar (me qëllim të fundit për t'ia bërë të mundur Serbisë realizimin e aspiratës dhe kërkesës shekullore për të dalë në Detin Adriatik shqiptar, si dhe për të vjelë ndonjë fond të madh financiar nga Bashkimi Evropian, ku Shqipëria dhe Serbia së bashku, do i bënin "rrush e kumbulla", duke i keqpërdorur dhe përvetësuar për nevoja të tyre, duke e lënë Kosovën "me gishta në gojë") nuk ka reaguar, duke qenë se në këtë rast Qeveria e Serbisë dhe ajo e Shqipërisë kanë anashkaluar përfshirjen e Qeverisë së Kosovës në këtë projekt të Brunilda Paskalit dhe Stevan Nikçeviqit (ministër i Tregtisë së Serbisë)? -Lidhja e marrëveshjes së theksuar të Brunilda Paskalit, përkatë- sisht të Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Serbisë është ndërhyrje dhe përzierje e drejtpërdrejtë në punë të brendshme dhe të jashtme të Kosovës në kundërshtim me rregullat, me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të rezolutave dhe deklaratave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si dhe të Dokumentit Përfundimtar të Helsinkit (1975).

Kosova nuk duhet pranuar asnjë traktat serbo-shqiptar në kurrizin e territorit të saj!

-Sepse Protokolli i Brunilda Paskalit, i lidhur në Beograd me homologun e saj serb Stevan Nikçeviq, në mënyrë flagrante antiligjore shkel dhe mohon sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës, i cili de fakto dhe jure përbën pushtetin sipran dhe të pandar të sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës. -Habit fakti se si Edi Rama dhe Brunilda Paskali janë "dashuruar" aq shumë në politikën dhe në diplomacinë antishqiptare të qeverisë së Serbisë së Aleksandar Vuçiqit, kur Beogradi nuk e njeh Republikën e Kosovës e as të drejtat njerëzore dhe kombëtar të shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës! Shkurt e shqip, një marrëveshje e tillë gjeoekonomike me Beogradin, do të mund të lidhej vetëm atëherë, kur Serbia e Tomislav Nikoliqit (president) dhe e Aleksandar Vuçiqit (kryeministër), ta njihte Republikën e Kosovës dhe të Drejtën e Vetëvendosjes së brendshme dhe të jashtme të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës shqiptare për t'u bashkuar me Kosovën. Ndryshe, as Kosova e as Shqipëria nuk kanë kurrfarë të drejte ligjore, që të lidhin marrëveshje, traktate dhe protokolle gjeoekonomike për ndërtimin e hekurudhave dhe të autostradave nëpër territorin e Kosovës. Kjo nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë, pavarë- sisht nga interesi dhe leverdia ekonomike dhe gjeopolitike e Serbisë dhe e Shqipërisë. Tirana zyrtare, të kërkojë falje për skandalin Brunilda Paskali, duke suspenduar Protokollin e saj me Serbinë në dëm të interesit të përgjithshëm të Kosovës dhe të Shqipërisë, ndryshe, me arsye, do të vije në shprehje humbja e besimit dhe e bashkëpunimit reciprok të Prishtinës dhe të Tiranës, gjë që kjo do të ishte në favorin e interesave kolonialiste dhe neokolonialiste të Serbisë dhe të aleatëve të saj. -Do të fitonte vetëm Serbia e jo Kosova e as Shqipëria. Pra, nëse Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë nuk e pezullojnë Protokollin e Brunilda Paskalit, të lidhur me Beogradin në dëm të Kosovës, atëherë, do të ishte nonsens vazhdimi dhe thellimi i bashkëpunimit të gjithmbarshëm ekonomiko-politik, tregtar dhe diplomatik i Kosovës me Shqipërinë, sepse pa besim, pa mirëkuptim, pa përfillje të plotë dhe pa interes të ndërsjellë, nuk mund të ketë as bashkëpunim konstruktiv, të frytshëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve. -Të jemi të qartë, se më Kosova nuk është koloni e dikurshme e Serbisë (1912-1999), por shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga 113 shtete të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe nën mbrojtjen e çeliktë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve të saj europerëndimorë. Prandaj, as Shqipëria e as Serbia nuk mund të flasin, të thirren dhe të veprojnë në emër të Kosovës, sepse kjo, tanimë ka zot. - Shqipëria e ka humbur të drejtën dhe shansin historik, që të flasë në emër të Kosovës (1913-1999). -Shqipëria, një shans të tillë (të ndërhyrjes në çështje të brendshme të Kosovës), përfundimisht e ka humbur më 1999, kur nuk ndërhyri ushtarakisht për mbrojtjen e Kosovës dhe të 2 milionë e gjysmë shqiptarëve nga masakrat, nga terrori dhe nga gjenocidi i Serbisë barbarike më 1989-1999.

Sintagma politike, " secili në shtëpinë e vet"-humbje e madhe për Shqipërinë dhe për Kosovën

Tanimë, shansi i fundit historik dhe politik i Shqipërisë, që të flasë në emër të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore të Kosovës, është shtruarja e kërkesës së saj Amerikës dhe Brukselit, që të ribashkohet me Kosovën. Ndryshe, secili zot në "shtëpinë e vet", sepse me Brunilda paskalësh dhe toptanësh, duke u "përqafuar" me çetnikët fashistë serbë të Beogradit, nuk mund të ketë kurrfarë bashkëpunimi dhe ribashkimi me Tiranën zyrtare. Kjo do të ishte humbja më e madhe e Shqipërisë. Mirëpo, që të mos përsëritet diç e tillë dhe fatale, kryeministri Edi Rama sipas Kushtetutës së Shqipërisë në fuqi (1998), si dhe sipas përgjegjësisë dhe obligime të Shqipërisë si subjekt juridik ndërkombëtar, menjëherë, duhet të anulojë Protokollin e Brunilda Paskalit (13 tetor 2016), të cilit i vijë erë e keqe sikurse "Protokollit të Firences 1913", i cili disa vite më pas, pikërisht në korrik të vitit 1925 u bë "realitet i ligjshëm" për Serbinë, sepse qeveria kuislinge e Shqipërisë së Ahmet Zogut dhe ajo e Serbisë së Nikolla Pashiqit lidhën traktatin dypalësh, që Shën Naumi t'i cedohej Serbisë. Ky ishte shpërblimi më i mirë për Serbinë, e cila e ndihmoi puçistin Ahmet Zogu të vinte në pushtet, duke përmbysur qeverinë demokratike të Fan S. Nolit (1924) në saje të invdaimit agresiv ushtarak rusoserb. -Qeveria e Edi Ramës, duhet ta mbajë parasysh faktin , që të mos përzihet në punë të brendshme të Kosovës, sepse Kosova nuk është me status të kufizuar dhe të diskutueshëm, ashtu siç po gënjen politika propagandistike dhe diplomacia zyrtare e Beogradit dhe Rusia e presidentit Vladimir Putin, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, si dhe në VETO-n e Rusisë, e cila ka "ngrirë" njohjen e Kosovës nga ana e OKB-së, sepse shpallja e pavarë- sisë së Kosovë më 17 shkurt 2008, është bërë plotësisht në frymën e normave dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Këtë e konfirmoi edhe Mendimi këshillëdhënës juridik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010.

(Kosova Sot)