Amerika pas zgjedhjeve

Amerika pas zgjedhjeve
  • 28 October 2016 - 09:46

Shkruan: Richard N. Haass

Kampanja aktuale presidenciale në SHBA karakterizohet nga mungesa e mirësjelljes dhe nga dallimet e mëdha midis kandidatëve: biznesmenit anti-establishment Donald Trump në anën republikane dhe politikanes së lustruar, Hillary Clinton, që përfaqëson demokratët. Gara ka vënë në pah ndarje të thella në kuadër të shoqërisë amerikane dhe ka dëmtuar reputacionin global të vendit. Për këtë shkak, nuk befason që, njëra ndër gjërat e pakta rreth të cilës pajtohen të gjithë amerikanët, është se kjo kampanjë ka zgjatur tepër. Por, së shpejti ajo do të marrë fund. Pyetja që shtrohet është: Çka pastaj? Anketat sugjerojnë se Clinton, ish-senatore dhe ish-sekretare e Shtetit, do ta mposhtë Trump-in kontrovers. Por, anketat nuk duhet të përzihen me realitetin. Fundja, me rastin e votave "Brexit", shumica e anketave thoshin se britanikët do të votonin për të mbetur në BE. Tash vonë, votuesit kolumbianë refuzuan një marrëveshje paqësore, për të cilën mendohej se do të merrte një mbështetje të madhe popullore. Kjo d.m.th. se derisa fitorja e Clinton-it është e mundshme, ajo nuk është e sigurt. E vetmja anketë që ka rëndësi, është ajo e 8 nëntorit. Deri atëherë, e tëra që mund të bëjmë, është të spekulojmë.

Ndarjet përbrenda dy partive të mëdha

Megjithatë, disa parashikime mund edhe të bëhen. Nuk ka dyshim se SHBA-ja do të dalë nga këto zgjedhje si një vend i ndarë, me një qeveri të ndarë, pa marrë parasysh kush do të bëhet president, apo cila parti do ta ketë shumicën në cilëndo dhomë të Kongresit. As demokratët, e as republikanët nuk do të jenë në gjendje që t'i realizojnë objektivat e tyre pa, të paktën, një mbështetje simbolike nga pala tjetër. Por, askush nuk duhet të mendojë se ndarja e vetme në politikën amerikane është ajo midis republikanëve dhe demokratëve. Në fakt, ndarjet përbrenda dy partive të mëdha janë po aq të thella, me fraksione të mëdha dhe tepër të motivuara, ku secili prej tyre ngreh kah ekstremi i vet - demokratët në të majtë dhe republikanët në të djathtë. Kjo e vështirëson tej mase arritjen e kompromisit rreth çështjeve centriste. Vazhdimi i shpejtë i politikave presidenciale do ta komprometojë edhe më tej kompromisin. Nëse fiton Clinton, atëherë shumë republikanë do të mendojnë se ajo fitoi vetëm për shkak të metave të Trump-it dhe do ta vlerë- sojnë atë si një president vetëm me një mandat. Ata do të arrijnë deri te konkludimi se, një vend i cili dëshiron ndryshime, nuk ka të ngjarë që ta mbajë një president demokrat në Zyrën ovale për një mandat të katërt. Shumë republikanë, sidomos ata që mohojnë legjitimitetin e një fitoreje të Clinton-it, do të mundohen t'ia nxijnë jetën administratës së saj, në mënyrë që Clinton të mos jetë në gjendje që të garojë përsëri në vitin 2020 si një presidente e suksesshme. Ngjashëm me këtë, nëse Trump arrin që të fitojë, shumica e demokratëve, bile edhe disa republikanë, pasi që ta marrin veten nga befasia tronditëse, do ta japin maksimumin që Trump-it të mos i jepet shansi për një mandat të dytë. 

Implikimet e politikës së jashtme në zgjedhje janë më të ndryshme

Sipas cilitdo skenar, ende mund të jetë e mundur që të bëhet një progres në disa fusha të caktuara. Qeveria e ardhshme e SHBA-së mund t'ia dalë miratimit të ligjeve për ta financuar modernizimin e infrastrukturës së vjetruar amerikane, një politikë të cilën shumica në Kongres, si dhe dy kandidatët, e favorizojnë. Po ashtu mund të jetë e mundur që të bëhet një shumicë, për ta reformuar kodin tatimor të SHBA-së, duke ulur taksat për korporatat dhe duke i rritur ato për të pasurit. Mund të bëhet edhe një reformë në sistemin e shëndetësisë. Por, çështjet tjera, që do ta kërkojnë një bashkëpunim midis Kongresit dhe presidentit, nuk kanë të ngjarë që të adresohen së shpejti. Njëra prej tyre është reforma e imigracionit, gjë që është po aq kontroverse në SHBA, sa që është edhe në Evropë. Një tjetër është tregtia: meqë ambienti politik i brendshëm i bën politikëbërësit që të hezitojnë të mbështesin pozicionet që kundërshtohen. Si Trump, po ashtu edhe Clinton kundërshtojnë Partneritetin transpaqësor, edhe pse nga ratifikimi i tij do të përfitonte ekonomia e Amerikës dhe pozita strategjike e saj. Në ndërkohë, deficiti i Amerikës dhe borxhi i saj pritet që të rriten, meqë duket se nuk ka aspak, apo ka vetëm pak vullnet që të zvogëlohen shpenzimet. Implikimet e politikës së jashtme në zgjedhje janë më të ndryshme meqë, sipas kushtetutës amerikane, presidenti gëzon një liri të konsiderueshme veprimi. Derisa vetëm Kongresi zyrtarisht mund të shpallë luftë, apo të ratifikojë marrëveshje, presidentët mund të përdorin, apo të refuzojnë që të përdorin forcat ushtarake, pa ndonjë miratim eksplicit nga ana e Kongresit. Ata po ashtu mund të lidhin marrëveshje të tjera ndërkombëtare, përpos traktateve, të emërojnë staf të fuqishëm të Shtëpisë së bardhë dhe ta ndryshojnë politikën e jashtme të SHBA-së me veprime ekzekutive, sikur që bëri Obama tash vonë në lidhje me Kubën. Nën Clinton-in, kjo diskreci mund të përkthehet në themelimin e një a më shumë zonave të sigurisë në Siri, me ofrimin e një sasie më të madhe të armatimit Ukrainës dhe me marrjen e një qëndrimi të përbashkët të ashpër ndaj Koresë Veriore, derisa ajo vazhdon me testet e saj bërthamore. Është më vështirë të supozohet se çka do të bënte Trumpi. Ai, fundja, është një autsajder politik, prandaj askush nuk e di se sa retorika e tij e kampanjës, do të shndërrohej në një politikë serioze. Megjithatë, mund të thuhet se një administratë e Trump-it do të distancohej nga disa aleanca tradicionale në Evropë dhe Azi dhe do të mbetet pa koment rreth ngjarjeve në Lindjen e mesme. Se çka saktësisht do të ndodhë me Amerikën pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, mbetet një pyetje e hapur. Edhe pse disa rezultate janë më të pritshme, siguria e vetme është se 96% e popullsisë botërore, të cilët nuk votojnë në zgjedhjet e SHBA-së, do t'i ndiejnë efektet e këtyre zgjedhjeve po aq sa edhe amerikanët. 


Richard N. Haass është president i Këshillit për marrëdhënie me jashtë) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)