Mos heshtni!

Mos heshtni!
  • 30 June 2015 - 08:42

KOMENT REDAKSIONAL

"Kosova Sot", e hapur për mendimin e lirë

Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën shtetit, të mos heshtin, të shprehen, të denoncojnë krimet dhe shkeljet, abuzimet e shpërdorimet dhe të japin alternativë dalëse nga ky batak i madh, në të cilin politikanët e korruptuar e kanë katandisur Republikën tonë

Hovi i gazetës së pavarur "Kosova SOT", për të denoncuar të keqen e madhe që e ka mbërthyer vendin, shumëkujt në zyrat e pushtetit, i pengon tmerrë- sisht. Por, ky është mision pa kthim, në rrugën e medias së lirë për të thënë të vërtetën, edhe atëherë kur shumica nuk guxojnë të flasin hapur. Pjesa dërrmuese e njerëzve, nën zë, e pranojnë realitetin, megjithatë kur është puna për të denoncuar publikisht aferat e ndryshme, korrupsionin, keqmenaxhimin, dallaveret në institucione, nepotizmin dhe politizimin e skajshëm, njerëzit, mes heshtjes dhe fjalës publike, zgjedhin të parën. "Kosova SOT", ashtu siç ka nisur rrugën e vet, për të trasuar informimin e drejtë e të paanshëm, pavarësisht se kë mund ta prekë apo ta rrezikojë, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Edhe pse në rrethana të përkeqësuara të lirisë së shprehjes, ne nuk ndalemi, sepse duam t'i qëndrojmë besnik lexuesit tonë, që është matësi më i mirë i objektivitetit gazetaresk. Pushteti na shantazhon në forma të ndryshme që të na sprapsë dhe kur e sheh se po dështon, i vërsulet ndonjë bashkëpunëtori të gazetës. Faqet e "Kosova SOT", kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë të hapura për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, që dëshiron të shprehë idetë e tij, për të mirën e shtetit e shoqërisë, për hir të ardhmërisë e demokracisë. Zërat kritikë që e thonë pa dorëza të vërtetën, cilado qoftë ajo, në hapësirën mediale të gazetës sonë, janë gjithnjë të mirëpritur, por kjo nuk u lë aspak shije të mirë atyre që e kanë "mizën nën kapuç".

Shprehja e lirë, e kërcënuar

Asnjë media, aktualisht, nuk po arrin të ecë kokëlartë si e përditshmja "Kosova SOT", në këtë ambient mbijetese për gazetarinë objektive dhe profesionale. Pushteti i kriminalizuar e ka shtrirë thellë ndikimin e tij në të gjitha format mediale, në shtyp, në mediat online, në televizione e radio. Varësia ekonomike e ka rrënuar kursin e pavarur editorial të shumë mediumeve. Po e shave pushtetin, falimenton. Nëse e lavdëron, disi do të mbijetosh. Sigurisht, kjo nuk është logjika e "Kosova SOT". Të vetëdijshëm për koston e profesionalizmit dhe objektivitetit, ne mbesim të përkushtuar në misionin tonë të shenjtë pasqyrimin e së vërtetës dhe denoncimin e së keqes në këtë vend. Nuk mund të ketë rrugë tjetër për një media, që dëshiron ta ruajë integritetin dhe pavarësinë editoriale. Pushtetarët e egërsuar nga zbardhja çdo ditë e më shumë e skandaleve, fijeve kriminale që i lidhin me nëntokën, janë bërë si hienat. Mendimtarët që kanë pasur kurajën qytetare të bashkohen në këtë rrugëtim të vështirë të gazetës sonë, siç edhe po e pranojë vetë në shkrimet e tyre, mund të ndihen të sulmuar e të shantazhuar nga eksponentë të shtetit, të njohur si zhvatës, blerës të dijes, abuzues të fondeve publike, milionerë korruptivë të pasluftës. Kërcënimet ndaj shprehjes së lirë, shtohen atëherë kur vlerat demokratike nëpërkëmben dhe qeveritarët nuk janë më në shërbim të qytetarëve, por duan ta shtrijnë sundimin e tyre. 

"Të fortit", në panik

Klanet mafio-politike, qëndrojnë pas çdo sulmi që përpiqet ta mbyllë një dritare të pavarur informimi. "Të fortit" e Kosovës sot janë në panik, sepse e vërteta e tyre e hidhur për të gjithë, më në fund dalëngadalë është duke u zbardhur. Kur shkruajmë për korrupsionin në drejtësi, monopolet në ekonomi, skandalet në arsim e shëndetësi, këtë nuk e bëjmë për t'ia nxjerrë faqen e zezë vendit tonë, por që t'u themi politikëbërësve dhe votuesve të tyre: Ja në ç'greminë po rrëshqet Kosova e pavarur 16 vjet pas luftës dhe shtatë vjet pas shpalljes së pavarë- sisë! Në vend që tërë kjo sipërmarrje mediale, e vënë në shërbim të shoqërisë dhe vlerave më të mira të demokracisë, sundimit të ligjit, barazisë, respektit dhe tolerancës, transparencës maksimale, të shërbejë si shembull frymëzues për të nxitur ndryshime, qeveritarët vërsulen për të mbyllur sa më tepër gojë të lira, që nuk i pyesin çdo mbrëmje se çfarë duhet të flasin të nesërmen në mëngjes. Jo rastë- sisht, Kosova mbetet në mesin e vendeve me regjim autoritar, ku fare lehtë, sa për vullnetin politik të disa liderëve, do të shndërroheshim në një vend të vogël diktatorial. Formën nuk e kemi, por përmbajtja e Republikës drejt këtij konstatimi të shpie ngado që ta shohësh. Sidoqoftë, ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën shtetin, të mos heshtin, të shprehen, të denoncojnë krimet dhe shkeljet, abuzimet e shpërdorimet dhe të japin alternativë dalëse nga ky batak i madh ku politikanët e korruptuar e kanë katandisur Republikën tonë. Sa më shumë zëra të sinqertë e kritikë, të pavarur e objektivë, aq më i fortë do të jetë ndikimi. Mos u stepni, sepse hapësira mediale e garantuar është dhe do të mbetet për mendimin e lirë- "Kosova Sot"!