Shqetësimet nga Gjykata Speciale

Shqetësimet nga Gjykata Speciale
  • 01 July 2015 - 07:46

Shkruan: Shefik Shkodra

NUK MUND TË TEPROHET ME DISA SJELLJE EDHE NGA OPOZITA SI SHUMË ATDHETARE

Barometri politik

Gabimi më i madh është bërë menjëherë pas luftës, duke menduar një pjesë e njerëzve tanë se ky vend është çiflig i tyre. Dhe nëse ka pasur gabime nga koha e luftës dhe pasluftës, pse t'i vuajë i gjithë populli. E në qoftë se nuk ka dëshmi për dyshime të krimit gjatë luftës si pjesëtarë të UÇK-së, pse të frikësohemi?! Nuk di kjo gjykatë në cilat sfera do të shtrihet. Por sikur ta kishte edhe ekonominë, shumë mirë do të ishte. Kur t'i shkatërrojë çdo gjë të këtij populli në interes personal e grupor, duke i dhënë kahe një politike autoritare, gati moniste, që nga fillimi, sa edhe qindra-mijëra bashkatdhetarë ikin nga ky vend i pashpresë, të cilin e kanë dashur si veten, atëherë, duhet të kërkohet fajtori 

Mundet që edhe atë pak kredibilitet që ke ta humbësh vetë. Pra, këtu është (jo)përparësia në politikë. Angazhimi në kursin e programit të partisë, ata që do të duhej t'i prinin jo veç partisë, por edhe qytetarëve nesër, është dashur me kohë të kihet kujdes. Për ata që tashmë u është pa vlera e punës dhe sjellja në qeverisje, qe sa kohë, s'është aq për t'u këshilluar. Po një numër i konsiderueshëm i atyre personazheve të opozitës pranë, për të cilët është bërë fjalë publikisht e janë dëmtuar në hetime të ndryshme, për shkak të dyshimeve më herët, mund të humbin më shumë se që mendojnë dhe jo vetëm në rrethin partiak për shtet e pushtet. 

Në Parlamentin e Kosovës pro dhe kundër Gjykatës

Pozita e pranon Gjykatën Speciale. Nuk dihet nga zori apo me shpresë që një pjesë e tyre t'i ikë të keqes më të madhe personale. Sidoqoftë shumë drejt e kanë me këtë rast. Nëse mendohet pak në vendin prej nga janë...Nëse mund të shpëtosh diçka, duhet ta pranosh gabimin. Madje si urdhër i domosdoshëm. Më mirë të pranohet ajo që do të bëhet, se sa të reagosh për atë që nuk do të japë fryte. Nuk mund të teprohet me disa sjellje edhe nga opozita si shumë atdhetare. Ka raste kur e vështirësojnë ecurinë e punës edhe ashtu të penguar nga ata në pozitë. Ashtu, qysh si opozitë edhe opinioni qytetar e ka parë për aq kohë se, nuk po veprohet sa e si duhet në qeverisjen e vetvetes nga persona të nominuar kaherë. Madje, ka shumë vërejtje për ta. Është e turpshme, por nuk fshihet diçka që duket. Pasojat janë numëruar për çdo ditë dhe po vijojnë të shihen edhe sot e kësaj dite. Si për korrupsionin, për kriminalitetin politik, më shumë atë ekonomik. Çdo ditë po dalin njerëz nga zyrat e tyre krejt të zhytur apo të dyshuar se e kanë keqpërdorur detyrën në vende udhëheqëse për interesa personale e grupore. Së paku kështu është vlerësimi i përgjithshëm publik. Kështu janë edhe reagimet. Kjo është si me qëllim. Kështu flitet e shkruhet. I arrestojnë. I marrin në pyetje. I lirojnë. Kjo do të thotë se, nuk ka njohuri qytetari i jonë se, a po merren masa për ta apo veç po manovrohet për sytë të botës. Dhe del se, vërtet janë keqpërdorues potencialë me gabime. Madje, kur kihet parasysh edhe lidhja me kompani të ndryshme ekonomike e tregtare?!... Po për të gjitha ato akuza që (s)mbajnë përgjegjësi, nuk duhet Kuvendi të shlyhet e të fshihet së ekzistuari si organi më i lartë legjislativ. Nuk duhet as ata deputetë që janë shumicë të bien aq poshtë. Ne duhet të mbrojmë Kosovën e pastaj individët.

Të mos bien në kundërshtim me vetveten

Në qoftë se vërtet personat me emër dhe mbiemër janë fajtorë për gjendjen e përgjithshme të ngecjes së Kosovës, ka nevojë një dorë tjetër të tregohet e matur të gjykohen rastet. Dhe, jo për qytetarët e rëndomtë, po për ata që nuk lejojnë të funksionojë shteti me shumë dyshime për kriminalitet. Për këtë, opozita, por edhe publiku i gjerë, janë ankuar si të pakënaqur me pozitën. Shpesh faji u është hedhur instancave juridike. Nuk ka prokuror që i ndjek keqbërësit. Sepse, janë të heshtur nga pozita (pushtetarët) dhe nuk guxojnë ta ngasin më tutje. Këta gjyqtarë dhe prokurorë, të shumtën janë të zgjedhur ose të përkrahur nga pozita. Janë dhënë shembuj nga vetë deputetët dhe nga burime të tjera se, nuk gjykohen kriminelët dhe të korruptuarit, ata që janë në pushtet. Janë mafi e lidhur mirë. Ata, është thënë, se, për kaq vite janë e keqja e vendit. Se kanë plaçkitur në mënyra të ndryshme këtë vend dhe pasurinë publike, se më shumë janë bërë shpenzime se që është mbledhë buxhet për një vit për funksionimin e shtetit. Është vlerësuar se është degraduar arsimi nga vetë ata që ishin në qeveri e institucione të tjera. Është shkatërruar shërbimi shëndetësor dhe nuk po arrin asnjëri ta rregulloj. Me një fjalë nuk ka kush t'i ndjek keqbërësit, sepse janë të lidhur zinxhir. Janë shprehur vlerat e humbura në dogana e në tenderime edhe në miliarda. Nuk ka punësim dhe planifikim e rritje si duhet ekonomike. Nuk ka zhvillim ekonomik. Kështu edhe një shërbim evropian, EULEX-i, në vend se ta rregullonte gjendjen, edhe ai ka dalë i njollosur. Sigurisht, në bashkëpunim me vendorët. Për të gjitha këto dhe të tjera është folur nga foltore e Parlamentit dhe nuk kemi dalë të kënaqur. Kështu është paraqitur në opinionin publik. E tash, nuk duam të na përzihet dikush tjetër. Vetën nuk po mundemi ta bëjmë atë që duhet bërë, por nuk duam Gjyqe të jashtme. Opozita nuk e ka mirë kësaj here. Është thënë se, një grup njerëz e sjellë vendin në gjendje fatkeqe e madje e kanë vënë në pikëpyetje edhe si shtet për çka të gjithë kemi shpresuar se,kësaj here do të bëhet Kosova. Më në fund, ku ishim na deri më tash, çka bëmë që të mos ndodhë një gjë e tillë?! Që të mos formohet Gjykatë pas gjykate nga bota.

Opozita: Gjykata Speciale kundër shtetit e Luftës Çlirimtare

Është e vërtetë se, krimet janë bërë nga Serbia në Kosovë, në të gjitha mënyrat. Për këto është dashur të reagohet me kohë edhe nga ana jonë. Është dashur të bëhen padi kundër gjenocidit që e ka provuar Serbia në këtë vend. Mirë është të reagosh për të kundërshtuar parimisht një Gjyq Special, tashmë të njoftuar se do të vendoset për Kosovën. Krejt në rregull është që nuk do të pajtoheshim në një mënyrë edhe ne qytetarët për një ndryshim kushtetute, apo për ta fshirë një pjesë të kushtetutës, duke u bërë instalimi i një gjyqi nga jashtë që, do të suspendojë të gjitha instancat gjyqësore të Kosovës. Me dënime të ndryshme, nëse ka fakte. Gjykimi bëhet sikur është thënë për individë. Për persona të dyshimtë. Prandaj, bëhet pyetja, pse reagohet aq shumë nga opozita? Kjo do të thotë, se, nuk jemi duke ditur edhe si opozitë çka duhet të bëjmë. Ose, kjo është vetëm sa "për sy e faqe" , si "atdhetarë" shumë të shquar e potencialë përball gjithë forcave përreth, madje edhe kundër superfuqive botërore. Kjo po del, veç si maskaradë para opinionit naiv (nëse ka aq naiv) të shqiptarëve dhe të Kosovës. Këtu, më duket nuk është asgjë serioze prej kësaj opozite. Ndoshta, dikush është i dresuar prej shefave të tyre (kjo është normale), për tubimin e pikëve për të ardhmen. Po, opinioni qytetar nuk është aq naiv sa mendon dikush. Nuk duhet të shiten reagimet aq pompoze se, shtetin po na marrin të tjerët. Se ne po na dënojnë luftën. Unë nuk do të kisha besuar se këtë e ka për qëllim dikush, natyrisht sipas atyre deklaratave që janë publikuar. Nuk e dëmtojnë UÇK-në ata që ishin aleatë. 

Çfarë shteti kemi dashur dhe për sa veta

Gabimi më i madh është bërë menjëherë pas luftës, duke menduar një pjesë e njerëzve tanë se ky vend është çiflig i tyre. Dhe nëse ka pasur gabime nga koha e luftës dhe pas luftës, pse t'i vuajë i gjithë populli. E në qoftë se nuk ka dëshmi për dyshime të krimit gjatë luftës si pjesëtarë të UÇK-së, pse të frikësohemi?! Nuk di, kjo gjykatë në cilat sfera do të shtrihet. Por sikur ta kishte edhe ekonominë, shumë mirë do të ishte. Kur ti shkatërron çdo gjë të këtij populli në interes personal e grupor, duke i dhënë kahe një politike autoritare, gati moniste, që nga fillimi, sa edhe qindra mijëra bashkatdhetarë ikin nga ky vend të pa shpresë, të cilin e kanë dashur si veten, atëherë, duhet të kërkohet fajtori. Fajtorin nuk e kemi gjetur vetë as s'e kemi gjykuar deri më tash. Thamë, nuk ka funksionuar ligji që vetë e kemi bërë. Po. ligji ka funksionuar për ndonjë qytetar të mjerë, për ndonjë vjedhje të vogël, sa për një kafe të zotërinjve në pushtet. Por jo edhe për ata që e kanë dërmuar këtë vend. Bota demokratike nuk duhet të lejojë një diçka të tillë si katastrofë humanitare. Çfarë shteti kemi dashur nuk e kam të qartë?! Për sa persona mund të jetë organizimi shtetëror? Nuk e di që ka shtet pa zbatim ligji. Cili është ai vend - parajsë...?! Ndoshta për këtë jam shumë laik! Kërkoj falje publike! Prandaj, opozita sipas meje, sidomos VV, e cila nuk është provuar për një organizim shteti, do të ishte mirë që ta lërë këmbëngulësinë për refuzimin e një Gjyqi Special te ne. Njerëzit që nuk janë deputet e në institucione, disa OJQ, individë nga qytetarët të profesioneve të ndryshme kanë reaguar mirë qe sa kohë, përveç atyre servilëve të kockave dhe atyre bosave të bizneseve me përfitime të mëdha. Edhe deputetë opozitarë, vetë ju, ishit kundër të gjitha keqpërdorimeve në shoqërinë tonë. Po kundërshtitë nuk duhet të jenë pa ndonjë mbështetje të arsyeshme. Kjo vlen, ngase populli do të ishte me mendimin më të mirë, atë mendim që do të sillte një diçka të përshtatshme për të gjithë, duke mënjanuar atë pakicën që dëmton.