Kërcënimi i Italisë për të ardhmen e Evropës

Kërcënimi i Italisë për të ardhmen e Evropës
  • 08 December 2016 - 09:29

Shkruan: Gideon Rachman

Ekonomia e Italisë është duke çaluar dhe qendra e saj politike po shpërbëhet. Nacionalistët dhe populistët janë në ngritje në vendet e tjera të BE-së, përfshirë Spanjën, Poloninë, Francën dhe Holandën. Britania ka premtuar ta dorëzojë paralajmërimin zyrtar për vendimin e saj për t’u larguar nga BE-ja marsin e vitit të ardhshëm

Reagimi i Evropës kundër populizmit po shkonte mirë për disa orë. Pasditen e së dielës u bë e ditur që kandidati i ekstremit të djathtë në zgjedhjet presidenciale në Austri kishte humbur. Mirëpo, lajmi i mirë nga Austria u venit nga lajmi i keq në po atë mbrëmje, nga ana tjetër e Alpeve. Matteo Renzi, kryeministri italian, e ka humbur referendumin në reformën kushtetuese dhe e ka konfirmuar që ai do të jep dorëheqje. Pasojat për Evropën nga referendumi i Italisë nuk janë aq dramatike sa rezultatet e referendumit të Britanisë së Madhe në muajin qershor. Britanikët kanë votuar për të dalë nga BE-ja. Italianët thjesht kanë refuzuar ndryshimet e ndërlikuara kushtetuese, të cilat janë konsideruar si të papërshtatshme nga shumë ekspertë. Megjithatë, Brexit-i dhe dorëheqja e Renzi-t formojnë një pjesë të një tregimi të njëjtë. Projekti evropian është në tendosje të paprecedent. Vendimi i Britanisë së Madhe për t’u larguar është prova më e qartë për këtë. Mirëpo, në aspektin afatgjatë, kriza në Itali mund të shkaktojë kërcënim më të madh për mbijetesën e BE-së. Arsyet për këto janë politike, ekonomike dhe madje edhe gjeografike.

Lëvizja e Grillos

Italia, për dallim  nga Britania e Madhe, është njëra nga gjashtë shtetet anëtare të BE-së. Komuniteti Ekonomik Evropian është themeluar nëpërmjet Traktatit të Romës, i nënshkruar në vitin 1957. Derisa britanikët gjithmonë kanë qenë më euroskeptikët nga të gjitha kombet e BE-së, italianët kanë qenë tradicionalisht unfikuesit më entuziastë. Mirëpo, qëndrimet ndaj BE-së në Itali kanë ndryshuar shumë – si reagim ndaj stagnimit të gjatë ekonomik të vendit, krizës së euros dhe frikës nga migrimi ilegal. Nuk është edhe aq befasuese që votuesit italianë janë mashtruar nga status quo-ja. Italia e ka humbur të paktën 25 për qind të prodhimit industrial që prej krizës financiare të vitit 2008. Papunësia në mesin e të rinjve qëndron në pothuajse 40 për qind. Disa ekonomistë besojnë që euroja ka qenë katastrofale për konkurrencën e Italisë, duke larguar mjetet e devalvimit të valutës dhe krijimin e një ambienti të deflacionit, që rrit barrën e borxhit. Në këtë aspekt, është e mundur që zotëri Renzi do të jetë njëri nga kryeministrat e fundit italianë që përfaqësojnë qëndrimet tradicionale pro-evropiane të këtij vendi. Qeveria e Renzi-t i ka dalë kundër edhe masave të ashpërsisë ekonomike të përshkruara në Berlin dhe Bruksel. Zotëri Renzi ka mbetur pro-evropian në shumicën e sferave. Kjo, megjithatë, nuk është e vërtetë për partitë opozitare, që po presin për ta marrë pushtetin. Lëvizja Pesë Yje, që udhëhiqet nga komiku Beppe Grillo, ka luajtur një rol të rëndësishëm në mposhtjen e zotëri Renzi-t. Lëvizja është e paepur në kërkesën e saj që Italia ta rikthejë sovranitetin nga Brukseli dhe ka propozuar një referendum për largim nga euroja. Zotëri Grillo gjithashtu e sheh lëvizjen e tij si pjesë të një vale më të gjerë kundër “establishment”-it në mbarë perëndimin dhe e ka cilësuar fitoren e Donald Trump-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fitore ndaj “masonëve të lirë, grupeve të bankave të mëdha dhe kinezëve”.

Shpërbërja e euros

Arsyet pse populizmi italian mund ta kërcënojë BE-në edhe më shumë sesa Brexit-i nuk janë të ndërlidhura thjesht me përkushtimin tradicional të Italisë për idealin evropian. Një tjetër fakt i rëndësishëm është që Italia e përdorë euron, derisa Britania e Madhe e ka pasur valutën e vet. Andaj, ndonëse Brexit-i është një çështje e dhimbshme dhe shumë e komplikuar, nuk është një rrezik serioz për valutën e përbashkët, ose rrezik për një krizë të madhe financiare. Megjithatë, zinxhiri i ngjarjeve të shkaktuara nga humbja e referendumit nga ana e zotëri Renzi-t ka potencial t’i bëjë të dyja. Në rrezik të menjëhershëm është sistemi bankar në Itali. Në atmosferën e re të krizës, rikapitalizimi i huadhënësve në telashe – në veçanti ‘Monte dei Paschi di Siena’ – është i kërcënuar. Kjo mund të çojë në kërkesa për çlirim nga borxhet, që do të jetë tejet e vështirë marrë parasysh faktin që shteti veçse është i zhytur në borxhe të thella. Shqetësimet e reja sa i përket borxhit të Italisë mund t’i frikësojnë investitorët, duke i ngritur shkallët e interesit dhe duke kërcënuar aftësinë e pagimit nga ana e shtetit italian. Do të ishte shumë e vështirë për ta organizuar një falje borxhesh për Italinë sesa organizimi i “shpëtimit” të Greqisë. Marrë parasysh madhësinë e ekonomisë, shuma e parave të përfshira do të ishte shumë më e madhe, që me shumë gjasë do të shkaktonte revoltë politike në parlamentin gjerman, veçanërisht pasi që zgjedhjet parlamentare do të mbahen shtatorin e ardhshëm. Në një pikë të atillë, shpërbërja e euros prapë do të bëhej një prospekt shumë real. Kundër kësaj është talenti italian për t’ia dalë mirë në sferën politike dhe ekonomike, gjithmonë duke shmangur kolapsin e menjëhershëm. BE-ja duket se e ka zhvilluar talentin e njëjtë gjatë viteve të gjata të krizës së euros. Megjithatë, edhe nëse italianët ia dalin ta krijojnë një qeveri të re dhe ta shmangin krizën bankare, fotografia e plotë nuk është aq shpresëdhënëse. Ekonomia e Italisë është duke çaluar dhe qendra e saj politike po shpërbëhet. Nacionalistët dhe populistët janë në ngritje në vendet tjera të BE-së, përfshirë Spanjën, Poloninë, Francën dhe Holandën. Britania ka premtuar ta dorëzojë paralajmërimin zyrtar për vendimin e saj për t’u larguar nga BE-ja marsin e vitit të ardhshëm. Në të njëjtin muaj, liderët e unionit pritet të mblidhen në Itali për ta festuar përvjetorin e 60-të të nënshkrimit të Traktatit të Romës. Me këtë shkallë të zhvillimit të ngjarjes, ajo datë më shumë do të shërbejë për t’u zgjuar sesa për të festuar.

Gideon Rachman është kolumnist në ‘Financial Times’. 

(Kosova Sot)