Kabineti manxhurian

Kabineti manxhurian
  • 15 December 2016 - 10:58

Shkruan: Nina L. Khrushcheva 

TRUMP SYNON TA RINGJALLË NJË ZHANËR TË HARRUAR TË HOLLIVUDIT

Ideja që një president i zgjedhur i SHBA-së do t'u besojë më shumë fjalëve të Kremlinit, sesa të zyrtarëve të CIA-s, është vetvetiu bizare

Pyetja më e madhe ka të bëjë me gjithë popullin amerikan. A janë ata me të vërtetë të gatshëm që ta pranojnë një president, i cili denoncon burrat e gratë që kanë rrezikuar jetën e tyre për ta mbrojtur SHBA-në dhe i cili nuk ngurron ta lavdërojë Putin-in dhe t'i mbrojë lakenjtë e tij?

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, duket i përkushtuar që ta ringjallë një zhanër të harruar të Hollivudit: melodramën paranoide. Ndoshta filmi më i mirë i këtij zhanri, "The Manchurian Candidate", flet për një komplot komunist, për ta përdorur të birin trushpëlarë të një familjeje djathtiste, për t'i dhënë fund sistemit politik amerikan. Duke pasur parasysh simpatitë të cilat Trump dhe aq shumë nga të emëruarit që kanë ndaj presidentit rus Vladimir Putin, mund të presim që jeta ta imitojë, në mos edhe t'ia kalojë artit. Të jesh i sigurt, atraksioni për Putinin të cilin e kanë Trump, sekretari i emëruar i shtetit Rex Tillerson, si dhe këshilltari i sigurisë kombëtare, gjenerali Michael Flynn, nuk është rezultat i shpëlarjes së trurit, vetëm nëse e konsideroni dashurinë për para një formë të trushpëlarjes. Sido që të jetë, një Kremlinofili e tillë nuk është aspak amerikane. Merreni parasysh përqeshjen e manifestuar nga Trump dhe qëndrimin e tij ndaj raporteve të CIA-s, se Kremlini qëndronte prapa sulmeve të hakerëve, të cilët kishin intervenuar në zgjedhjet e muajit të kaluar, për të fituar Trump. Sipas stilit të tij, Trump bëri reagime të shumta në rrjetet sociale, duke thënë se CIA ishte vënë në shërbim të kundërshtares së tij, Hillary Clinton. I emëruari i tij për zëvendëssekretar të Shtetit, John Bolton, shkoi edhe më larg, duke sugjeruar se hakimi në Komitetin nacional demokratik dhe ai kundër kryesuesit të kampanjës së Clintonit, John Podesta, ishte "alarm i rremë", i dizajnuar për ta njollosur një Kremlin të pafajshëm. 

Flynn, sikur Tillerson, po ashtu ka qenë mbështetës i Kremlinit

Ideja që një president i zgjedhur i SHBA-së do t'i besojë më shumë fjalëve të Kremlinit, sesa të zyrtarëve të CIA-s, është vetvetiu bizare dhe e rrezikshme. Por, emërimi simuluan i Tillerson-it, në postin e kryediplomatit amerikan, e çon këtë aferë të dashurisë me kundërshtarin kryesor të SHBA-së, në një nivel të paparë në historinë e SHBA-së. Për Tillersonin, marrja e anës së Rusisë kundër asaj të SHBA-së nuk është asgjë e re. Kujtoni sanksionet të cilat SHBA-ja dhe Evropa ia kishin imponuar Rusisë pas aneksimit rus të Krimesë. Në vend që ta mbështeste politikën amerikane, Tillerson e poshtëroi atë. Në vend që ta respektonte në tërësi kërkesën e presidentit Barack Obama që "ExxonMobil" të mos dërgonte përfaqësues në Forumin ndërkombëtar vjetor në Sant Petersburg, Tillerson në mënyrë cinike dërgoi kreun e njërit prej operacioneve ndërkombëtare të "ExxonMobil". Dhe, në vend të kthimit të Rendit të miqësisë, të cilin e kishte marrë nga Putin disa muaj para invadimit të Krimesë, Tillerson vazhdon që ta konsiderojë veten "mik të Vladimirit". Flynn, sikur Tillerson, po ashtu ka qenë mbështetës i Kremlinit. Pasi që ishte pushuar nga puna nga Obama për menaxhimin jo kompetent të Agjencisë inteligjente të mbrojtjes, Flynn menjëherë filloi me kultivimin e kontakteve ruse të biznesit. Dhe, Putin duket të ketë qenë më se i gëzuar për të parë dyert tregtare të hapura për Flynnin. Sa i përket Trump-it, deklaratat e bëra nga djemtë e tij, sugjerojnë se, sikur publiku amerikan të shikonte ndonjëherë huat e tij biznesore, ai do të gjente se edhe ai e ka stolisë çerdhen e tij me pupla të arta të Kremlinit, tash e një kohë të caktuar. Nuk ka dyshim se ai ka marrë para nga oligarkë të ndryshëm rusë. Në vitin 2008, ai ia dha njërin prej apartamenteve të tij "Palm Beach" Dmitry Rybolovlevit, një oligarku të plehërave, për 95 milionë dollarë. Sergei Millian, i cili kryeson Odën ekonomike amerikane-ruse, thuhet t'i ketë lehtësuar investime të panumërta nga rusët në projektet e Trump-it. Për Trump-in nuk ka para që është aq e njollosur, sa që të mos e futë në xhep. Adhurimi i Trump-it ndaj Rusisë, apo më saktë- sisht, ndaj të pasurve të Rusisë, ishte evident shumë kohë para se amerikanët t'ua mësynin kutive të votimit, sikur që ishte evidente edhe shprehia e tij që të rrethohet me këshilltarë që mendojnë si ai. Me muaj të tërë, kampanja e Trump-it ishte udhëhequr nga Paul Manafort, një operativ politik, i cili ka punuar për sigurimin e presidentit të neveritur Viktor Yanukovych në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, në vitin 2010. 

Amerikanët duhet të ballafaqohen me tri pyetje

Derisa data e inaugurimit të Trump-it është duke u afruar, amerikanët duhet të ballafaqohen me tri pyetje. Njëra nënkupton përgjigjen në pyetjen se çka do të ndodhë nëse FBI gjen dëshmi rreth veprimtarisë kriminale të presidentit? Apo, ndoshta, në rastin e Trump-it, çka ndodh nëse presidenti përpiqet t'iu japë fund hetimeve të FBI-së rreth aktiviteteve të tij tregtare që përfshijnë Rusinë? Pyetja e dytë, të cilën Senati amerikan duhet ta bëjë para se ta konfirmojë Tillersonin në postin e sekretarit të Shtetit, ka të bëjë me interesat e tij tregtare me ExxonMobil në Rusi. Senati po ashtu duhet ta dijë se sa ngushtë ka bashkëpunuar Tillerson me Igor Sechinin, kreun e Rosneft-it dhe njëri ndër krerët më të famshëm KGB-së. Pyetja më e madhe ka të bëjë me të gjithë popullin amerikan. A janë ata me të vërtetë të gatshëm që ta pranojnë një president i cili denoncon burrat e gratë që kanë rrezikuar jetën e tyre për ta mbrojtur SHBA-në dhe i cili nuk ngurron ta lavdërojë Putin-in dhe t'i mbrojë lakenjtë e tij? Në fund të filmit "Manchurian Candidate", një person tjetër trushpëlarë, Marco, i luajtur nga Frank - ik nga programi, i cili kishte për qëllim parandalimin e komplotit komunist. Por, ky ishte Hollivudi i Luftës së Ftohtë, natyrisht, fitoi heroi pozitiv. Filmi i Trumpit nuk ka të ngjarë që të përfundojë kaq mirë. 
Nina L. Khrushcheva është profesoreshë e çështjeve ndërkombëtare dhe dekane e Çështjeve akademike në Institutin e Politikës Botërore. Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"  
 

(Kosova Sot)