Njëherë ta lypin votën, pastaj, kushedi, nesër, Zot ruana, ta lypin kokën...!

Njëherë ta lypin votën, pastaj, kushedi, nesër, Zot ruana, ta lypin kokën...!
  • 03 July 2015 - 08:04

Shkruan: Riza Greiçevci

GJITHË KJO LOJË E PAFYTYRË, KJO HAJNI, PADITURI, HILE NDAJ EVROPËS, AMERIKËS, INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS, ËSHTË NJË KRIM!

Dje prindërit na thoshin: "Kujdes nga qeni"! Sot, na thonë:"Kujdes nga njeriu!"

Kujdes nga njeriu! Të kafshon më zi se qeni! Të mashtron! Të poshtëron! T'i merr edhe teshat e trupit! Nuk skuqet. I poshtëron miqtë e devotshëm. I prenë në besë. Sot disa parti politike ashiqare armikun e bëjnë mik, kurse mikun e shpallin armik. Tallen me Evropën, Amerikën, tallen me popullin, me Kosovën...


Seç na erdhi një kohë e pakohë, kur prindërit tanë na thoshin:"Kujdes nga qeni", kurse sot, na thonë:"Kujdes nga njeriu!".Të kafshon! Të rren. Të poshtëron. Të mashtron. Gjakun ta pi! Njeriu ti merr edhe teshat e trupit! S'i vjen marre aspak. As nuk skuqet. I poshtëron miqtë e devotshëm. I prenë në besë. I rren. Tallen sot disa parti politike ashiqare me Amerikën. Disa individ analfabetë. Disa fytyra të dështuara në jetën politike e të mugëta. Lakmitar. Naivë. Injorantë. Pa dije. Pa kulturë. Edhe sytë, edhe gojën, edhe lëkurën, edhe mushkëritë ia shesin Kosovës vetëm e vetëm për pak pushtet të pshurrtë. Këtë e kanë dëshmuar. Dhe këtë e dinë të gjithë: Evropa, Amerika, populli, fëmijët, miq e shokë...Edhe me mikun më të shenjtë tek lind e tek perëndon dielli për shqiptarët. Të hyn tinëz në shtëpi! Të vret! Të vjedh! Shpëton...! Njeriu të dhunon! Të poshtëron! Ngacmon me seks edhe vajzën e mitur! Cili nga akëta vrasës, hajdutë,poshtërues, dhunues shqiptar, u dënua me burgim të përjetshëm? Cili u gjykua ndër sy të popullit? Për cilin kriminel, hajdut o keqbërës, vetë populli kërkoi dënimin më të rëndë? Interesant: Kohë heshtjeje! E tmerrshme Populli ankohet, institucionet (politikanët) veshët në lesh, mediet bëjnë propagandë edhe banale, mashtrojnë opinionin, dhe drejtësia e gjyqësia çil gur gojën. E pse pastaj Serbia, Rusia, Spanja, Greqia, të mos tallen me shtetin e Kosovës... Qe pse Evropa ngre gjykatë speciale vetëm për UÇK-n, vetëm për çlirimtarët, e jo edhe për kriminelët serbë-çetnikë... 

Qysh të fajësohet o gjykohet një popull që në duar mban një copë liri, të cilën e ka fituar me gjak?!

Në cilin vend të botës, në mesin e cilit popull në botë, kur dhe ku pati, ka dhe do të ketë paqe, dashuri, mirëkuptim, demokraci, drejtësi në mes të kasapit dhe qengjit, në mes të djallit dhe engjëllit, në mes të thikës dhe drejtësisë, në mes të bishës dhe grigjes, në mes të çlirimtarit dhe kriminelit gjenocidar gjakatar? Në cilin vend të botës e drejta dhe përpjekja për çlirim, për drejtësi, e drejta për të jetuar i lirë në atdheun tënd?! Ku dhe kur u hodh në bankë të zezë, u shtyp, u ndrydh, u kualifikua si krim ngjitja në male me pushkë për të kërkuar me gjak e luftë çlirimtare atë që s'e ke me shekuj, për të kërkuar atë që bisha e egër ta poq e ta dogj në hell, ta vrau, ta shau, ta shkeli, ta pështyu, ta poshtëroi para syve të Zotit, të fëmijëve, dhe të botës?! Secili njeri, popull për të pasur të drejtë për të pasur liri, s'bën të vlerësohet, të fajësohet,gjykohet, duke prangosur dhe shpall kriminelë ata që në duar shtrëngojnë dhe mbajnë një copë liri, si një dritë e jetës, si një dritë e domosdoshme për jetën, e fituar me gjakun e tyre në një luftë çlirimtare. O Zot I Madh: E sheh ti Evropën e cila po hedh para gjyqit viktimën, kurse thikën, varret masive, dhunimet e përdhunimet i amniston! S'ua prish tymin e duhanit!Pse edhe ata nuk gjykohen!Pse në atë gjykatë nuk do të gjykohen të gjithë ata që kanë bërë krime ndër më të rëndat e njerëzimit!Krimi është krim, pa dallim !Por edhe lufta për liri e jetë është një e drejtë e shenjtë dhe e ligjshme ,andaj dhe nuk duhet të gjykohet!

UÇK-ja në Gjykatën Speciale të "Serbisë"?

Sot, ka ngrehur kokë njëfarë Gjykata Speciale, e iniciuar nga vetë Serbia dhe Dic Marti, vetëm e vetëm për të fyer,anashkaluar, dhe degraduar UÇK-n, jo si ushtri çlirimtare, por si "organizatë kriminale". Evropë, deri kur ma? Boll ma! Ju doni të fshini nga kujtesa e historia UÇK-n, lavdinë e saj, lirinë dhe pavarësinë që ajo i solli, por e keni zor, bile-bile, do të turpëroheni para popullit tuaj, para fëmijëve tuaj, para shtetit tuaj. Të gjykosh luftën çlirimtare të një populli, s'është demokraci, është turp, është ligështi, është presion mbi një popull të mos ndjehet i lirë, të mos ndjehet i lirë në atdheun e vet, në shtetin e vet, në shtëpinë e vet. Si ndodhi, Evropë, demokratike siç thua që je, të shpallësh tërë një luftë çlirimtare "kriminale", të etiketosh një popull si "kriminel"? Kjo Gjykatë Speciale është "kontribut" i Serbisë, i Rusisë, i Greqisë, i Spanjës, i Kinës, që të rrëzohet liria, pavarësia, shteti i lirë i Kosovës, (Kosova) të rikthehet si pronë e sundimit dhe pushtimit të Serbisë. Kjo do të ndodhë kur kumbullat do të bëjnë rrush! 

Keq, tepër keq, s'ka ku shkon më keq!

Urtësia popullore bën me dije, se kënga e burrit ( e popullit!) është vaje! Kohëve të fundit, interesant, nga të kthesh e ku të arrish, dy gjëra i ke në sofër të bisedimeve të njerëzve nga secila moshë: E para: Kohën më të madhe qytetari kosovar sot e harxhon duke u përplasur e katandisur me ithtarët e politikës ditore, e vdekur, e hidhur, e kotë boll, por më se të "mashtrohet"kjo ditë vere pushimesh , o në male, o në det, o në bjeshkë, apo me mahi e batuta e vargje meselesh popullore. E dyta, koha sa ka mbetur e një dite verore, sikur shkon e rezervuar në adresë të hokatarëve (hajgareçinjve) , të tipit të Cimës, të cilët, përpiqen që me humor e satirë e batuta të lehtësojnë peshën e të pakënaqurve me kohën dhe me njerëzit e sotëm të fillimshekullit të ri. Prandaj, falë rastësisë, arritëm të kapim me kujtesë disa nga mahitë e batutat e humorin e shakaxhinjve popullorë, me dëshirë që të mos i nxehet askujt gjaku, sepse, këto mahi e batuta e vargje popullore nuk i adresohen me emër e mbiemër asnjë njeriu, por një adrese kane gjithsesi : "Ju t'pangopur, gojësahana,të pa shkollë shaklamana,shembni, pështyni çdo miqësi, dhini n'bukë, pshurrni n'sofër, shani shtetin, miq e motër! Bre t'padijshëm për mbi dhe, deri kur m'u tall me ne! Edhe ushtrinë e mohoni, edhe pagat i ndaloni! Gjithçka shihni zi e ma zi, ju s'besoni kem liri! Rroga t'majme, haj medet, shani, pështyni votë e shtet! S'njihni shtet as flamur, Shani, pështyni shoqishojnë! Thirrni popullin t'u votojnë! Kështu kush jeni, haj medet, dilni n'shesh, pranoni vetë: Populli e di kush është më i miri, shkon Tahiri, vjen i biri! Populli sheh, nuk është qorr, kush punon e kush është horr! Vjen dita, e tana shihen, në kazan të gjitha zihen! N'bukë e kripë bëni be, për politikë jeni le, por me shamje, e përgojime, s'bëhet shteti, Hallë Halime! Ju o rrenca, s'jeni tjetër, veç mashtrues, zemërlepur! Për parti e politikë, s'ka ma shumë as n'Amerikë! Që tri herë votën kafshu't, deri sot e bëtë krejt m.. !".

Një mesazh i urtësisë popullore!

Me jetue me ner e në zemër t'popllit, ndershmenisht, për me luftue të keqën, me luftue cilësinë e robit, me rrokun pushkën me dalë në luftë e me dekë për lirinë e atdheut, qe besa të duhet shumë burrëri , guxim, sakrificë dhe ashtë shumëfish ma zor se sa me dekë! Droj dikush s'e di: Tjetër ashtë me dashtë mikun, tjetër ashë me dekë për mikun, tjetër ashtë me dashtë lirinë, tjetër ashtë me derdh gjakun për të, tjetër ashtë me i besue Zotit, tjetër ashtë me veprue e me punue mirë e mbarë ashtu siç porosit i Madhi Zot, e jo me u mëshef pas Zotit...