Çka dëshiron në të vërtetë Vladimir Putin nga Donald Trump?

Çka dëshiron në të vërtetë Vladimir Putin nga Donald Trump?
  • 15 January 2017 - 08:58

Shkruan: Philip Stephens

Kremlini dëshiron një botë në të cilën interesat kombëtare zëvendësojnë rregullat ndërkombëtare .

Trump theu të gjitha rregullat e politikës për t'u futur në Shtëpinë e Bardhë, por një president që është në luftë me ata që janë të ngarkuar për ta mbajtur Amerikën të sigurt, çfarë presidenti është?

Nëse i afrohesh Kremlinit, atëherë mos u befaso pasi që të digjesh. Nuk ka nevojë të besojmë në rrëfimet e paverifikuara rreth përpjekjeve ruse për të kultivuar dhe komprometuar Donald Trump-in, për të pranuar rrezikun që del nga pasioni i presidentit të zgjedhur ndaj Vladimir Putin-it. Trump është një ndërtimtar i pasur; presidenti rus është ish shef i FSB-së, pasardhëses së KGB-së. Këto dy profile nuk do të duhej të përputheshin. Putin ka arritur një fitore të rëndësishme edhe para se Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Herën tjetër kur agjencitë e inteligjencës ta tërheqin vërejtjen rreth ndonjë rreziku të sigurisë - psh rreth ndonjë inkursioni të ardhshëm të Rusisë në Ukrainë, apo përzierjes së Rusisë në zgjedhjen e qeverive në vendet evropiane - Kremlini e ka një kundërpërgjigje. Nëse presidenti i SHBA-së nuk ia ka besën CIA-s, FBI-së, apo Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, atëherë pse dikush tjetër do të duhet të besojë në to? Trump theu të gjitha rregullat e politikës për t'u futur në Shtëpinë e Bardhë, por një president që është në luftë me ata që janë të ngarkuar për ta mbajtur Amerikën të sigurt, çfarë presidenti është?  

Trump dhe Putini janë vëllezër për nga narcizmi Agjencitë e inteligjencës nuk kanë gjithmonë të drejtë. CIA do të vazhdojë me vite të tëra që ta paguajë çmimin për vlerësimet e saj të pasakta rreth programeve të armëve të Saddam Hussein-it. Por, agjentët rrallëherë kanë qenë më të sigurt se Kremlini ka hakuar kompjuterët e Partisë Demokratike gjatë kampanjës presidenciale në Amerikë. Republikanët kryesorë në Kongres iu kanë besuar këtyre fjalëve të agjencive. Rex Tillerson, i emëruari i Trump-it për sekretar të shtetit, thotë se sulmet e tilla kibernetike mund të kenë ndodhur vetëm me autorizimin e Putin-it. Trump preferon t'i vrasë lajmëtarët. Kur Trump pyet në mënyrë retorike se a jemi duke jetuar në Gjermaninë naziste, gjëja e parë që na bie ndërmend, është mungesa e balancës. Askush që shikon sjelljet e presidentit të zgjedhur dhe konferencat e tij për shtyp, nuk mund të thotë se di ku e lë kjo propozimin e tij për t'i rinisur nga fillimi marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë. Ai ende insiston se dëshiron të ketë raporte të mira me Putin-in, por më pas shton se ato marrëdhënie mund të dështojnë. Po, Kremlini me gjasë ishte përgjegjës për hakimin e Komitetit nacional demokratik, por rrjedhjet e informatave nga agjencitë amerikane të inteligjencës ishin me të vërtetë gjë e turpshme. Një raport i mirë me Rusinë do të ndihmojë në luftën kundër ISIS-it. Por jo, ai nuk do t'i heqë sanksionet e fundit të vëna nga presidenti Obama kundër Rusisë. Putini është i etur që të pranohet si lider, me një vend në krye të tavolinës ku diskutohen çështjet globale. Ai këtë ambicie e ka të përbashkët me Trump-in. Ata janë vëllezër për nga narcizmi.

Rreziku i një konfrontimi aksidental nuk përjashtohet Bota është një vend më i sigurt kur Amerika dhe Rusia gjejnë një mënyrë për menaxhimin e dallimeve të tyre. Ato e kishin bërë një gjë të tillë edhe gjatë periudhës më të vështirë të Luftës së Ftohtë. Asnjëra palë nuk ka përfituar nga ringjallja e tensioneve në Evropën lindore dhe në Baltik. Ka tepër shumë armë bërthamore në botë. Rreziku i një konfrontimi aksidental nuk përjashtohet. Rreziku rritet kur angazhimi bëhet sinonim me nënshtrimin, kur përmbajtja e domosdoshme keqkuptohet si provokim dhe kur "bisedimet" me Moskën shndërrohen në një formë të realizmit gjeopolitik, sipas të cilit është Perëndimi ai që gjithmonë duhet të lëshojë pe. Sado konfuz që të jetë Trump rreth asaj se çka dëshiron nga Kremlini, qëllimet e Putin-it janë të qarta si kristali. Ato fillojnë me pajtimin e Perëndimit me revanshizmin rus në Ukrainë dhe me bombardimet e pamëshirshme të civilëve, me qëllim që të mbahet në pushtet presidenti sirian Bashar al-Assad. Ato vazhdojnë me heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Moskës dhe, përfundojnë eventualisht me largimin e angazhimit të SHBA-së në Evropë dhe me themelimin e sferës ruse të interesave në territoret e ish-BRSS-së. 

Largimi i Amerikës nga Evropa Kur zyrtarët e Kremlinit flasin rreth një arkitekture të re të sigurisë për Evropën, ata nënkuptojnë përfundimin e pranisë amerikane. Lufta e Ftohtë ka mbaruar, kështu që Amerika duhet të shkojë në shtëpi. Sipas kësaj logjike, Gjeorgjia, Bjellorusia dhe Moldavia, si dhe Azia qendrore dhe Ukraina, "i takojnë" Rusisë. Nga ana e vet, NATO-ja më nuk ka shkak që të ekzistojë, e sidomos ajo nuk ka vend në ish-shtetet e Paktit të Varshavës. Nëse këto ambicie duken të çuditshme, atëherë sjellja publike nënçmuese e Trump-it ndaj NATOs dhe aversioni i tij temperament ndaj ofrimit të ndihmës për vendet aleate, i ka dhënë hapësirë Putin-it. Trump është më pak i interesuar për ruajtjen e "Pax Americana"-s, sesa që është për arritjen e marrëveshjeve me fuqitë e tjera të mëdha. Evropianët munden vet të paguajnë për sigurinë e tyre. Bota e Putin-it është botë e Trump-it, një botë ku interesat e ngushta nacionale zëvendësojnë rregullat dhe normat ndërkombëtare dhe ku shtetet më të dobëta nënshtrohen ndaj vullnetit të shteteve të forta. Evropianët dikur e quanin këtë gjë si balancë të fuqisë. Skandali i hakimit vë një re ndaj motiveve të Trump-it dhe rreth aftësisë së tij të gjykimit. Dhe, nëse seanca dëgjimore e Tillerson-it në Senat tregoi ndonjë gjë, atëherë ajo ishte se vetë partia e Trump-it ka pikëpamje shumë të ndryshme rreth Putin-it. Por, Kremlini nuk do të mjaftohet me këtë sukses fillestar. Dhe, kushedi se çka do të bëjë Trump pasi që ta marrë postin e presidentit? Nëse themi se na presin kohë të vështira, nuk kemi thënë asgjë që nuk dihet. 

 

(Kosova Sot)