Treni i bukur-modern rus, por me përmbajtje çetniko-nazifashiste serbe, nuk kalon në Kosovë!

Treni i bukur-modern rus, por me përmbajtje çetniko-nazifashiste serbe, nuk kalon në Kosovë!
  • 16 January 2017 - 07:56

SHKRUAN: DR.MEHDI HYSENI

Duke qenë se Kosova është shtet i pavarur ( i njohur nga 113 shtete të OKB-së), atëherë Beogradi zyrtar duhet ta ketë më se të qartë, se trenat dhe aeroplanët e Serbisë dhe të Rusisë mund do të arrijnë në Kosovë vetëm atëherë kur Moska dhe Beogradi ta njohin Republikën e Kosovës. Ndryshe jo, pavarësisht nga premtimet dhe nga koncesionet politike të bëra nga "Trojka": Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Edita Tahiri, në procesin e Dialogut të Brukselit (2011-2017). Treni serbo-rus Beograd-Mitrovicë (1401.2017) nuk pati fatin të arrinte në destinacionin e fundit në Kosovë, sepse ata që e planifikuan dhe e vunë në qarkullim pas 18 vjetësh edhe e ndaluan në stacionin hekurudhor të Rashkës, nga frika se do të përjetonte avari "terroriste" nga shqiptarët, para se të arrinte në Mitrovicë.

"Dhurata" serbo-ruse nuk arriti në duart e dialoguesve kosovarë me Beogradin, sepse patën frikë nga populli që ta pranonin atë!

S'ka dyshim se treni special serbo-rus me bagazh çetniko-fashist antishqiptar i Slobodan Milosheviqit, Tomislav Nikoliqit, Aleksandar Vuçiqit, Milan Gjuriqit, Ivica Daçiqit, Vojislav Sheshelit, Mirsolav Llazanksit, Milovan Drecunit… etj., i cili në mëngjesin e 14 dhjetorit 2017 niset nga Beogradi për të arritur në Mitrovicën e Kosovës, ishte "dhuratë" konkrete speciale, e destinuar për Hashim Thaçin, për Edita Tahirin, për Isa Mustafën dhe për Enver Hoxhajn, të cilët kanë meritat kryesore për hapjen dhe për zhvillimin e dialogut me Serbinë në Bruksel (2011-2017) sipas Planit Gjashtë Pikësh të Vuk Jeremiqit (ish-ministër i Jashtëm i Serbisë), të miratuar edhe nga Qeveria dhe nga Parlamenti i Kosovës, e më pas edhe nga Ban Ki Moon-i (ish-sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara), sepse ishte me bazë të Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, e cila, ashtu sikurse Qeveria dhe Kushtetuta e Serbisë (2006) nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo ishte arsyeja kryesore e fillimit të Dialogut famëkeq në Bruksel (2011) mes palës serbe dhe asaj kosovare, JO kurrfarë "dialogu teknik", as i "normalizimit" të marrëdhënieve me Serbinë e as i "njohjes de fakto dhe de jure të Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar".

Të pezullohet dialogu me Serbinë!  

Nëse duam t'i parandalojmë trenat e paralajmërimit të vdekjes së shqiptarëve me flamuj të nacionalizmit shovinist serbomadh të Slobodan Milosheviqit, që të mos hyjnë në Kosovë, sikurse në vitet 1987-1999, atëherë pezulloni çdo dialog me Beogradin, sepse nesër do të bëhet vonë. Lufta do të jetë e pashmangshme mes Kosovës dhe Serbisë. -Hëpërhë, më 14 janar të këtij viti, "treni special serbo-rus" Beograd-Mitrovicë u ndalua në Rashkë ngase Qeveria e Kosovës së Isa Mustafës mori vendimin e drejtë, në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën e Kosovës, që ai të mos qarkullonte më tutje në drejtim të kufirit të Kosovës. Për fat të mirë, këtë vendim të prerë të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Qeverisë së Serbisë e kuptoi drejt, në momentin e duhur dhe urdhëroi që "treni provokues" (dallëndyshja e parë e paralajmërimit të luftës së Serbisë kundër Kosovës), të përfundonte udhë- timin e tij në stacionin hekurudhor të Rashkës brenda Serbisë. Mirëpo, ky kompromis nuk do të thotë edhe zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Përkundrazi, ky provokim "i papritur", tanimë, paralajmëron hapjen e një konflikti të ri të armatosur mes Serbisë dhe Kosovës. Ndryshe, kokë më vete, pa pëlqimin e palës shqiptare, qeveria e Aleksandar Vuçiqit, nuk do të niste një tren të tillë për të hyrë në territorin e Kosovës, me qëllim që Qeverisë dhe shqiptarëve të Kosovës t'u tregonin ja shikoni përmbajtjen e brendshme dhe të jashtme të këtij treni të "stolisur" me kisha, me ikona, me car llazara, me kërcënime dhe me paralajmërime të Slobodan Milosheviqit, se "Kosova është serbe". Kjo është prapavija e dialogimit me Beogradin, jo kurrfarë normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore. Ky është vetëm një blof për t'i mashtruar shqiptarët dhe Evropën, ngase ai farë "dialogu historik" është në funksion të mohimit të lirisë, të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës, duke qenë se "platforma" e tij politike dhe juridike është zbatimi dhe respektimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, që nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008). Ia vlen të theksojmë se as në aspektin politik, as diplomatik, as de fakto e de jure, pas pavarësimit të Kosovës (17. II. 2008) nuk ka kurrfarë kuptimi dialogimi me Serbinë në frymën e Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, sepse është e pavlefshme - nul për Kosovën dhe për të gjitha ato shtete, që e kanë njohur Kosovën (113). 

Ikni nga "zona e kuqe" e rrezikut të Serbisë kolonialiste dhe neokolonialiste!

Prandaj, ikni nga "zona e kuqe" e rrezikut të Serbisë kolonialiste dhe neokolonialiste! Ndaloni dialogun, jo trenin, se ai është pjellë e keqe e dialogut. Nëse ndërpritet dialogu i Brukselit, atëherë do të marrin fund edhe problemet me Serbinë. Kështu do të vinte në shprehje detyrimi i Serbisë që ta përshpejtonte procesin e njohjes së Republikës së Kosovës. Ndryshe, Serbia, derisa t'i realizojë objektivat e saj për rikthimin e saj në Kosovë, do të vazhdojë me provokimin e incidenteve dhe të konflikteve të saj, duke atakuar sovranitetin territorial të Kosovës, ashtu sikurse provoi me rivendosjen në funksionim të vijës hekurudhore Beograd-Mitrovicë, duke vënë në qarkullim trenin modern rus, më 14 janar 2017. Dialogu hap vijat e hekurudhore dhe ajrore, që trenat dhe aeroplanët e Serbisë të ripushtojnë Kosovën, ashtu sikurse qindra autobusë dhe kamionë BeogradPrishtinë (2000-2017). Po qe se nuk ndërpritet dialogu i Brukselit (2011-2017), Kosova (në afat të gjatë) nuk mund të pengojë asnjë tren, asnjë autobus, asnjë kamion dhe asnjë aeroplan nga Beogradi për në Kosovë, sepse Serbia dhe Kosova tanimë janë partnerë bashkëpunues dhe pretendues për të aderuar në BE. Me një fjalë kanë pranuar obligimet e bashkëpunimit dhe të integrimit rajonal dhe evropian sipas kritereve dhe standardeve të BE-së. Kështu që, as Serbia e as Kosova nuk mund ta pengojnë njëra-tjetrën kur është fjala për qarkullimin e lirë të kapitalit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve, sepse këto standarde janë alfa dhe e omega respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Të dy kryeministrat: Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, parandaluan shpërthimin e konfliktit të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë, duke ndaluar trenin provokues serb në Rashkë! Këtë vendim të drejtë të tyre duhet përshëndetur si Prishtina, ashtu edhe Beogradi zyrtar, sepse është në interesin e përbashkët të ruajtjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Në veçanti, duhet çmuar vendimin e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, që ka urdhër ndalimin e trenit serb në Rashkë, duke kuptuar seriozisht paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës se treni i tij provokues dhe i dekoruar me ikona religjioze, me kisha, me manastire, me flamuj dhe me mesazhe kërcënuese nacionalshoviniste, raciste, segreguese dhe kolonizuese, të shkruara në disa gjuhë të huaja, se "Kosova është Serbi", nuk ka asnjë shans që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës. Si rrjedhim, që të mos përsëriten provokimet e tilla mes Serbisë dhe Kosovës, që tani, qeveritë e këtyre dy shteteve duhet të braktisin dialogun e filluar në Bruksel, sepse ai është fals, nuk ka të bëjë as me normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve të theksuara e as me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Së fundi, këtë e dëshmoi edhe vënia në qarkullim e trenit modern rus-Beograd- Mitrovicë (14 janar 2017). Nëse Beogradi zyrtar dëshiron që trenat e Serbisë të arrijnë në: Mitrovicë, Fushë- Kosovë, Pejë, Prizren, Ferizaj e Kaçanik, së PARI duhet ta njohë Republikën e Kosovës. Pa përmbushjen e këtij kushti, lidershipi i Kosovës, nuk duhet të lejojë kurrfarë "treni", apo "aeroplani" të Serbisë në Kosovë, ngaqë kjo do të ishte cenim direkt dhe indirekt i sovranitetit territorial dhe shtetëror të Kosovës. 

(Kosova Sot)