Kosova para kolapsit socio-ekonomik

Kosova para kolapsit socio-ekonomik
  • 06 July 2015 - 08:10

Shkruan: Muhamet Kelmendi

KOSOVA ME EKONOMI IMPERIALE, ME KONCENTRIM TË KAPITALIT NË DISA GRUPE KRIMINALE

Kah po shkon ekonomia e vendit?

- Duke ua dhënë pasurinë ish-udbashëve të UDB-së, sepse kanë qenë dhe aktualisht janë për qeveritarët shumë të dëgjueshëm. Në duart e tyre, pothuajse, e koncentruan tërë pasurinë e privatizuar në Kosovë. Për këtë gjetën marifete juridike, kuptohet jashtë gjendjes së përcaktuar për tenderim dhe me mjete të huazuara të pushtetit serb, që botërisht dihet në vend, i blenë gjoja ato pasuri. Prapa tyre qëndrojnë qeveritarët. Shih për këtë K. 'Devolli', 'Alb-petroll', 'Albimall', 'ETC', 'MBT', 'Ipko', 'Lesna' etj. -

-Bënë tenderimin e disa subjekteve (fushave ekonomike) kryesore të Kosovës, të cilat ua dhanë tenderistëve gjoja nga Turqia, prapa të cilëve, qëndrojnë qeveritarët e Kosovës. Kjo është tek aeroporti, te KEDS, te disa xeherore dhe te disa subjekte tjera ekonomike, të cilat faktikisht vetëm eksploatim bëjnë (shih: firmat e tilla në Kosovë). Për këtë flet më së miri KEDS, që është shndërruar në monstrum të plaçkitjes së masave. Asgjë më shumë.

Në Kosovë është sjellë gjendja e masave të gjera popullore buzë katastrofës, duke krijuar gjendje të rëndë sociale, kryesisht mbi bazën e një ekonomie imperiale, e cila ka bërë koncentrim të kapitalit në disa grupe kriminale. Si politika ekonomike e Qeverisë, ashtu edhe vetë privatizimi në Kosovë, kane shpier tek varfërimi dhe privatizimi i tërë Kosovës, duke krijuar gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale në vend.

Shteti me politika tejet antiekonomike, me klasë mbizotëruese në kurriz të masave të gjera popullore

Pse politika ekonomike e Qeverisë? Në kuadër të politikës ekonomike të shtetit, kemi disa elemente, të cilat kuptojnë se kjo politikë është tejet antiekonomike dhe e karakterit te kapitalizmit imperial, duke e krijuar një klasë mbizotëruese ndaj masave të gjera popullore. Me këtë kuptojmë:

a. Investimet e gabuara në ndërtimin e autostradave në Kosove, duke i dhënë nga viti 2012 e deri më tash, 2015 nga 40% të buxhetit të Kosovës.

Vetëm rruga për Prizren i ka kushtuar buxhetit të vendit mbi 1 miliard e 400 milionë euro.

Ndërsa, rruga e filluar tash për Han të Elezit, po i kushton Kosovës, vetëm në këtë vit, rreth 600 milionë euro (shih: të dhënat nga investimet për autostradat në Kosovë, buxheti i Kosovës).

Kjo s'është politikë e drejtë financiare, kur dihet se populli mbi 40% jeton në varfëri të skajshme (të dhënat e IP). Përkundrazi? Me këtë mendohet te keqpërdorimet e mjeteve të buxhetit të Kosovës, sepse nga tregu i ndërtimit për kilometër në tregun e Evropës, në Kosovë një kilometër i ka kaluar standardet me 50-80% ( shih: tregun në Evropë për ndërtimin e autostradave për kilometër). Kjo flet për keqpërdorim!

Ndarja e gabuar dhe joproporcionale e mjeteve të buxhetit të vendit ka sjellë buzë katastrofës sociale

Pjesa tjetër e financave të mbetura nga buxheti i përcaktuar për rrugë, po investohen në rrugët e filluara, të cilat që katër a pesë vite kanë filluar të ndërtohen në Kosovë, po të cilat për shkak të vjedhjeve, nëpërmjet tenderimeve, kanë mbetur në vend, për faktin se tenderi ka kaluar nëpër disa subjekte ekonomike, derisa ka ardhur te ndërtuesi de-fakto, të cilit nuk i kanë mbetur financa për të kryer punën me kohë.

b. Ndarja e gabuar dhe joproporcionale e mjeteve të buxhetit të vendit:

- 40-50% për autostradë.

- 20 për qind për çështje sociale dhe shëndetësi.

- 20 për qind për arsim rini dhe sporte, duke e përfshirë edhe shkencën dhe kulturën dhe

- 10 për qind për çështjet e tjera në vend (Ligji i buxhetit të Kosovës për vitin 2015). Kjo ndarje joproporcionale e mjeteve buxhetore ka krijuar gjendjen ku masat janë sjellë buzë katastrofës sociale:

1. 30%-40% të qytetarëve kosovarë jetojnë me nga një euro në ditë.

2. 15-20% jetojnë me nga 2-3 euro në ditë.

3. 30-35.% me nga 4-5 euro në ditë.

4. 3-5% me nga 10 euro në ditë dhe

5. Rreth 10 % është klasa borgjeze e krijuar apo në krijim e sipër që e ka tërë ekonominë e Kosovës nën sundim (Ekonomik, RFGJ, 2015).

Privatizimin e ekonomisë publike dhe shoqërore e shtetërore, pa principe, po mbi bazën e krijimit të klasës së re borgjeze

C. Për të arritur deri te ky qëllim, Qeveria e Kosovës, ka shfrytëzuar disa mekanizma ekonomiko-politikë e juridikë, madje edhe kriminalë:

1. Privatizimin e ekonomisë publike dhe shoqërore e shtetërore, pa principe, po mbi bazën e krijimit të klasës së re borgjeze.

2. U bënë investime në degët që sillnin përfitime kësaj klase, e nuk bënë zhvillim ekonomik të vendit, duke hapur vende të punës.

3. I ndanë masat të gjera popullore ndihma sociale dhe pensione vetëm sa për të jetuar.

4. Bënë koncentrimin e kapitalit në duar të klasës së re që vinte nga pushtuesi serbomadh, e, që tash u vunë në shërbim të qeveritarëve. Kjo u arrit: - Duke ua dhënë pasurinë ishudbashëve të UDB-së, sepse kanë qenë dhe aktualisht janë për qeveritarët shumë të dëgjueshëm. Në duart e tyre, pothuajse, e koncentruan tërë pasurinë e privatizuar në Kosovë. Për këtë gjetën marifete juridike, kuptohet jashtë gjendjes së përcaktuar për tenderim dhe me mjete të huazuara të pushtetit serb, që botërisht dihet në vend, i blenë gjoja ato pasuri. Prapa tyre qëndrojnë qeveritarët. Shih për këtë K. 'Devolli', 'Albpetroll', 'Albimall', 'ETC', 'MBT', 'Ipko', 'Lesna', etj. - Bënë tenderimin e disa subjekteve (fushave ekonomike) kryesore të Kosovës, të cilat ua dhanë tenderistëve gjoja nga Turqia, prapa të cilëve qëndrojnë qeveritarët e Kosovës. Kjo është tek aeroporti, te KEDS-i, te disa xeherore dhe te disa subjekte të tjera ekonomike, të cilat faktikisht vetëm eksploatim bëjnë (shih: firmat e tilla në Kosovë). Për këtë flet më së miri KEDSi, që është shndërruar në monstrum të plaçkitjes së masave. Asgjë më shumë.

Çka duhet bërë?

1. Mjetet e privatizimit duhet t'i kthehen menjëherë ekonomisë së vendit, Kosovës për investim, e jo të mbesin nëpër bankat e ndryshme jashtë Kosovës;

2. Të ndalohet puna e Trustit Pensional dhe ato mjete t'i kthehen ekonomisë së vendit, si dhe sigurimit pensional e invalidor, atij familjar etj., që duhet të ndërtohet në Kosovë, sipas skemës së sigurimit që ekziston në shtetet e UE;

3. Tëra subjektet e privatizuara të shqyrtohen përsëri nga AKMja në privatizim dhe në destinimin e bërë nga privatizimi, si dhe t'i kthehen shtetit për shqyrtim dhe vendim të ri, nëse nuk iu ka përmbajtur privatizimit objekti i privatizuar;

4. Të ndryshojë tërësisht politika ekonomike, duke i dhënë impulse zhvillimit ekonomik, përkatësisht bujqësisë dhe blegtorisë, sikundër edhe duke investuar në kapacitete ekzistuese, përkatësisht në ekonomi familjare, apo në ato vende ku premtohet zhvillim;

5. Të ndërpritet menjëherë ndarja parciale e mjeteve buxhetore, sipas territorit a dikasterit, sepse krijon disproporcion dhe konflikte të mëdha në vend;

6. Të rriten të ardhurat e sigurimit social dhe të atij pensional, invalidor e familjar, në varshmëri me jetën në vend dhe nga mjetet që i ka vendi i ynë, të cilat i theksova, e të cilat gjenden jashtë Kosovës; të sigurohet jeta e shtresës së popullit pas moshës 65- vjeçare;

7. Për këtë duhet të ndërtohet një subjekt (ent) i veçantë i sigurimit të punës, i cili bën aftësimin e njerëzve për punë dhe, u siguron jetën qytetarëve me mjete, deri te punësimi i tyre i plotë;

8. Të ndërtohet subjekti (enti) i veçantë i sigurimit pensionaloinvalidor dhe familjar mbi skemën tash të njohur botërisht dhe, e cila ka treguar suksese në botë;

9. Të ndalen shpenzimet e tepërta të qeveritarëve, duke i ndalur shpenzimet me ligj, po edhe duke i zvogëluar ministritë nga 21 sa janë tash ne 13 ministri, të cilat mjaft mirë mund t'i kryenin detyrat ministrore. Po kështu duhet zvogëluar edhe numrin e zëvendësministrave, ku aktualisht janë nga 3-5 zëvendës, në vetëm një zëvendësministër për dikaster;

10. Kosova të heqë dorë nga euro si mjet pagese dhe të nxjerrë paranë e vet të brendshme;

11. Të kapen dhe të dënohen kriminelët, ata që e kanë kapur shtetin, duke vjedhur dhe keqpërdorur pozitën e shtetit, e të cilët janë shumë. Kështu luftohet krimi ekonomik. Prandaj, jam i mendimit se me një politikë të tillë ekonomike, Kosova do të ecë shumë shpejt dhe, natyrisht se edhe problemet e paraqitura do të zgjidhen, kurse gjendja ekonomike dhe sociale do të përmirësohet dukshëm. Në të kundërtën, priten, shpërthime!