< Tri befasi në vitin 2017 - Opinione - Kosova Sot
Tri befasi nė vitin 2017

Tri befasi nė vitin 2017

Shkruan: Anatole Kaletsky 

EFEKTET E PARA TË PRESIDENCËS 'TRUMP'

Në vend të dezintegrimit, BE-ja stabilizohet

Ngjarja kryesore do të jenë zgjedhjet presidenciale në Francë, të cilat me gjasë do të përfundojnë me një rund të dytë, më 7 maj

Ekspertët e ekonomisë zakonisht i paraqesin parashikimet e tyre të vitit të ri në fillim të janarit. Por, rrethanat globale këtë vit nuk janë aspak tradicionale, prandaj dukej me vend që të pritej derisa të inaugurohej presidenti amerikan, Donald Trump, për të folur rreth disa prej befasive, të cilat mund të ndodhin sivjet në botë. Duke gjykuar në bazë të lëvizjeve dhe rrethanave aktuale të tregut, bota mund të befasohet nga tri zhvillime potencialisht transformuese. Sa për fillim, politikat ekonomike të Trump-it kanë të ngjarë që të prodhojnë norma shumë më të larta të interesit dhe një inflacion, sesa që pritet nga tregjet financiare. Zgjedhja e Trump-it gati me siguri i ka dhënë fund trendit 35-vjeçar të dezinflacionit dhe të rënies së normave, i cili filloi në vitin 1981, dhe i cili ka qenë ndikimi dominues në rrethanat ekonomike dhe në çmimet e aseteve në mbarë botën. Por, investitorët dhe politikëbërësit ende nuk e besojnë këtë. Pasi që Trump lansoi politikat e tij, Banka qendrore e SHBA-së ka të ngjarë që ta shtrëngojë politikën e saj monetare më shumë sesa që kishte planifikuar para inaugurimit. Ajo që ka më shumë rëndësi, derisa politikat e Trump-it stimulojnë si aktivitetin real ekonomik, po ashtu edhe inflacionin, normat afatgjata të interesit, të cilat ndikojnë në ekonominë botërore më shumë sesa normat brenda natës, të caktuara nga bankat qendrore, kanë të ngjarë që të rriten shpejt. 

Inflacioni duket se do të përshpejtohet

Planet e Trump-it në lidhje me shpenzimet dhe taksat do të rikthejnë në mënyrë të shpejtë konsolidimin buxhetor, të imponuar nga Kongresi ndaj administratës së Barack Obama-s, dhe huamarrjet e familjeve do të rriten në mënyrë dramatike nëse Trump e realizon premtimin e tij që t'i anulojë rregullimet bankare të imponuara pas krizës financiare të vitit 2008. Derisa ky stimulim shtesë ushqen një ekonomi, e cila është gati një punësim të plotë, inflacioni duket se do të përshpejtohet, me tarifat proteksioniste tregtare që do të rrisë çmimet edhe më shumë për mallrat e importuara. Pasiguria e vetme ka të bëjë sesi politika monetare do të reagojë ndaj këtij "Trumpflacion"-i. Në anën tjetër, rrethanat monetare në Evropë dhe Japoni, do të mbesin "të dobëta", derisa bankat qendrore vazhdojnë ta mbështesin rritjen ekonomike me norma të interesit të barabarta me zero dhe me lehtësim sasior (QE). Dhe, kjo divergjencë politike sugjeron një tronditje potenciale të dytë për të cilën tregjet financiare nuk duket se janë të përgatitura. Dollari amerikan mund të forcohet edhe më tej, përkundër dëshirës së shprehur të Trump-it për të rritur eksportin e SHBA-së. Një 'konfluencë' e fuqisë së dollarit dhe huamarrja e tepërt e jashtme, shkaktuan krizën e borxheve në Amerikën latine dhe Azi gjatë viteve 1980 dhe 1990. Kësaj here, proteksionizmi i Trump-it mund t'i bëjë gjërat edhe më keq, sidomos për vendet që e kanë bazuar zhvillimin e tyre në zgjerimin e shpejtë të eksporteve dhe që kanë financuar aktivitetet e bizneseve vendore me borxhe në dollarë. Kaq sa iu përket lajmeve të këqija. Për fat, një zhvillim i tretë i madh, i cili nuk vlerësohet në tregjet financiare, mund të jetë më i favorshëm për rrethanat ekonomike globale: BE-ja mund të bëjë shumë më mirë gjatë vitit 2017, sesa që është pritur. 

Lajme të mira nga BE-ja

Treguesit ekonomikë filluan që të përmirësoheshin me të shpejtë në shumicën e vendeve të BE-së nga fillimi i vitit 2015, kur BQE-ja ndali fragmentimin e Eurozonës, duke lansuar një program të blerjes së bonove, më të madh sesa ai i lansuar nga lehtësimi sasior. Por, kjo rimëkëmbje ekonomike u mbizotërua vitin e kaluar nga frika e dezintegrimit politik. Me Holandën, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, ku që të gjitha këto vende rrezikohen nga ngritja e populizmit dhe, të paktën, tri prej tyre do të mbajnë zgjedhjet këtë vit - tronditjet Brexit dhe Trump në mënyrë të natyrshme kanë shkaktuar ankth, se dominoja e ardhshme që do të rrëzohet, do të jetë njëra nga këto vende, themeluese të BE-së, duke u pasuar, ndoshta, nga e tërë BE-ja. Këto pritje krijojnë mundësinë e befasisë më të madhe të vitit 2017: në vend të dezintegrimit, BE-ja stabilizohet, duke lehtësuar një rikthim ekonomik dhe një periudhë të performancës së fuqishme ekonomike, të ngjashme me periudhën "Goldilocks" të SHBA-së, midis viteve 2010 dhe 2014, gjatë së cilës ekonomia rritej me një hap i cili nuk ishte as tepër i shpejtë, e as tepër i ngadalshëm. Ngjarja kryesore do të jenë zgjedhjet presidenciale në Francë, të cilat me gjasë do të përfundojnë me një raund të dytë, më 7 maj. Nëse fiton François Fillon, ose Emmanuel Macron, Franca do ta fillojë një proces të reformave ekonomike, që do të mund të krahasohen me ato të Gjermanisë, të vitit 2003. Këto reforma do ta inkurajojnë relaksimin e masave kursyese, të kërkuara nga qeveria e re e Gjermanisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, të cilat atje pritet të mbahen më 24 shtator. Në këtë aspekt, një bashkëpunim më konstruktiv midis Francës dhe Gjermanisë do ta dobësojë mbështetjen për partinë populiste italiane "Pesë yjet". Por, ky skenar bie poshtë, nëse në Francë fiton Marine Le Pen. Në atë rast, shkatërrimi i BE-së do të bëhet një perspektivë reale. Çdo anketë dhe analizë serioze tregon se Le Pen nuk ka gjasa që të bëhet presidente. Por, a nuk thoshin kështu analizat dhe anketat edhe në lidhje me fitoren e Trump-it? 

(Anatole Kaletsky është ekonomist kryesor i "Gavekal Dragonomics") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)

13 orë e 23 minuta më parë