Demokracia diktatoriale!

Demokracia diktatoriale!
  • 08 July 2015 - 08:03

Shkruan: Faik Krasniqi

DEMOKRACI TË KORRUPTUAR NUK KA, POR BËHET E KORRUPTUAR NGA NJERËZ TË KORRUPTUAR

Shqiptarët dhe diktatura 

Pa një shtet ligjor të fortë, demokracia është një gënjeshtër e madhe. Njerëzit tek ne shtypen me këmbë nga padrejtësitë e kësaj demokracie të gënjeshtërt

Për shkak të eksperiencës së kombit shqiptar (në të gjitha trojet etnike shqiptare) në lidhje me diktaturën, ne si shqiptarë kemi nevojë që të kuptojmë se termi diktaturë domethënë vetëm të ushtrosh diktat. Të ushtrosh diktat nuk është domosdoshmërisht e keqe. Kur isha fëmijë, prindërit e mi ushtronin diktat mbi mua në kuptimin e mirë të fjalës, me qëllimin për të më mbrojtur mua. Për shembull, sot kanë ardhur kohë të atilla të rrezikshme, saqë prindërit nuk i lënë fëmijët të dalin vetëm nga frika se mos i rrëmbejnë. Prindërit ose gjyshërit shkojnë i dërgojnë dhe i marrin nga shkolla. Por, kur unë isha fëmijë kjo gjë nuk ndodhte. Fëmijët që nga klasa e parë shkonin vetë në shtëpi. Sepse, nuk kishte frikë. Kishte një lloj diktati, por diktat të mirë për mbrojtje.

Shqiptarët kanë pësuar nga diktati shtypës

Diktati mund të përdoret për të shtypur, por mund të përdoret për të ndihmuar. Popujt që janë shumë të rinj në lidhje me sistemet demokratike, mund të bien shumë kollaj në gabime dhe në shfrenime. Këtu mund të ketë diktat të mirë, me qëllimin e mirë për të ndihmuar. Pra, fjala diktat nuk është fjalë e keqe. Varet se për çfarë përdoret ai: mund t'i japësh përdorim të keq ose të mirë. Ne shqiptarëve na ka ardhur kjo fjalë në majë të hundës, sepse e kemi pësuar nga diktati shtypës dhe i keq. Për këtë arsye nuk e kemi haberin fare se çfarë është diktati i mirë. Shqiptarët kanë pësuar nga diktati shtypës dhe për këtë arsye nuk e kanë idenë e diktatit të mirë i cili të kufizon në disa gjëra për të mirë. Diktatura është dhe mbetet diktaturë, sistem sundues që ka në themel dhunën dhe "disiplinën e egër". Aq më keq, një demokraci e korruptuar që ka në themel zvetënimin e paskrupullt njerëzor dhe si pasojë, sjell gërryerjen e shkërmoqjen e sistemit. Demokraci të korruptuar nuk ka, por bëhet e korruptuar nga njerëz të korruptuar. Me sa duket aty ku ka korrupsion, nuk janë njerëzit demokratë sa duhet. Diktatura ka në themel dhunën. Diktatura është pushtet i pakufizuar shtetëror, që shpreh dhe mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një person ose një grup personash, p.sh. pushtet i diktatorit, diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste).

Diktatura apo tirania janë sisteme, që institucionalizojnë padrejtësinë dhe pabarazinë sociale

Demokracia është regjim politik, ku pushteti ushtrohet nga populli drejtpërdrejt ose nëpërmjet organeve të zgjedhura, ku shtetasit gëzojnë të drejta të barabarta dhe liri me standarde të njëjta për të gjithë. Ka disa forma: demokraci proletare, socialiste (e dështuar), demokraci borgjeze... Sikundër edhe realizimi në praktikë, shkon larg e përtej përkufizimeve teorike e filozofike të këtyre dy nocioneve. Atëherë pyetja është pikërisht kjo: A pëlqej më shumë një demokraci të korruptuar apo një diktaturë të drejtë? Jam kundër çdo lloj forme diktature apo tiranie, se janë sisteme që institucionalizojnë padrejtësinë dhe pabarazinë sociale. Pa një shtet ligjor të fortë, demokracia është një gënjeshtër e madhe. Njerëzit tek ne shtypen me këmbë nga padrejtësitë e kësaj demokracie të gënjeshtërt, ndërsa njerëzia derdhet lumë e sulet si lukuni për ditën e verës për ta festuar sikur asgjë të mos ketë ndodhur (kënaqet me fjalët e bukura "tallava" të qeverive që shkojnë e vijnë, pjella të sistemit famëkeq komunist e klaneve feudale). Mbi të gjitha, janë edhe antishqiptarë. Nëse nuk ndryshojnë njerëzit (sidomos politikanët), Kosova dhe Shqipëria kurrë nuk do të ndryshojnë. Në mos me një ritëm tejet të ngadaltë, atëherë me hapat e breshkës!