Pse shumica e politikanëve dhe e medieve shqiptare nuk e dëshironin fitoren e Donald Trump-it?

Pse shumica e politikanëve dhe e medieve shqiptare nuk e dëshironin fitoren e Donald Trump-it?
  • 20 February 2017 - 08:01

Shkruan:Skënder S. Kapiti

Vendet tona pa demokraci të konsoliduar

Shqipërisë, por edhe Kosovës, e cila dominohet nga i njëjti model elitar politik si në Shqipëri, të dyjave u duhet shembulli amerikan i zgjedhjeve të fundit, një lëvizje elektorale antipolitikë, antikrim dhe antikorrupsion, për ta ndëshkuar elitën politike të dështuar

Askund tjetër në Evropë nuk e kemi këtë dështim të plotë, pothuajse të të gjithë elitës apo të establishmentit politik, si në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Ka 25 vjet që në Shqipëri ciklohen dhe riciklohen, vijnë dhe ikin nga pushteti po të njëjtët individë që i parazgjedh dhe i paracakton establishmenti apo kryesia servile e ngushtë e rreth-kryetarëve të partive politike: individë politikisht shterpë, injorantë, të korruptuar, të painteresuar për interesin publik dhe kombëtar; të cilët vjedhin vota, pasuri dhe bëjnë lloj-lloj matrapazllëqesh dhe akrobacirash thellë- sisht amorale politike; të cilët i kanë bërë prona të tyre partitë politike, shoqatat, politikën dhe mediat dhe që e kanë kapur shtetin, asfiksuar drejtësinë dhe e pengojnë dhe bllokojnë integrimin. Kësaj elite politike shërbimin më të mirë ua ka bërë dhe ua bën media elitare servile dhe mercenare pranë tyre. Qarkullimi i elitave politike vetëm si ndërrim i pushteteve në Shqipëri ka qenë vetëm zëvendësim i keqqeverisjeve, krimit, korrupsionit, vjedhjes së parasë publike dhe që kanë prodhuar varfëri, papunësi, trafikim droge e qeniesh njerëzore dhe eksod. Pra, pothuajse tërë elita politike paskomuniste në Shqipëri ka dështuar dhe prandaj ajo duhet ndëshkuar, sepse ishte dhe vazhdon të jetë si trashëgimtare e ish-komunizmit dhe ish-funksionarëve të saj; si një brez i formësuar, si brezi i njeriut me botëkuptimin komunist; gjë e cila vazhdoi si një vazhdimësi fatkeqësie për kombin tonë, vazhdimësi e cila po fatkeqësisht edhe u promovua dhe u pranua realisht edhe në demokraci edhe nga Perëndimi, Evropa dhe SHBA-ja.

Votuesi shqiptar ta ndëshkojë këtë elitë politike tepër të dëmshme

Diktaturës komuniste në Shqipëri nuk iu bë asnjë lloj gjykimi dhe madje të paktën as ndonjë ndëshkim moral jo. Nuk kuptohet se përse Perëndimi ia besoi për 25 vite qeverisjen e demokracisë në Shqipëri ish-komunistëve dhe nuk këmbënguli as për lustracionin dhe as për ndëshkimin e krimeve të komunizmit, as për dekomunistifikimin e Shqipërisë? Përse? Me shumë vonesë BE dhe SHBA, pasi u bindën për gabimin e tyre: për tolerancën dhe me rolin prej sehirxhiut, por edhe pse e përkrahën elitën politike shqiptare ishkomuniste , të kriminalizuar, antidemokratike, antikombëtare, të korruptuar dhe kundërintegraliste. Ato, pra SHBA dhe BE, ia imponuan më në fund elitës politike shqiptare pas 25 vitesh që nga vetëshembja e komunizmit, që të miratojnë pavarë- sisht se me shumë vonesë Ligjin për Dekriminalizimin e Politikës si dhe Reformën në Drejtësi kundër vullnetit të saj, reforma të cilat u realizuan apo u miratuan në letër tani, pas 25 vitesh; vonesë e cila u ka kushtuar shumë shtrenjtë shqiptarëve dhe ndoshta do ta pësojnë edhe për shumë kohë. Kjo shumicë politikanësh shqiptarë dhe mediatikesh servile pranë tyre, të cilët e dëshirojnë gjithnjë status-quonë dhe vazhdimësinë e tyre në përjetësi në pushtet dhe në politikë, prandaj edhe nuk e dëshironin fitoren në SHBA të DONALD TRUMP, fitore të cilën ia dha atij votuesi amerikan si ndëshkim për establishmentin politik edhe në SHBA. Dhe nisur nga fakti se presidenti i SHBA-së fitoi për arsye se votuesi amerikan ndëshkoi me votë establishmentin politik si brenda Partisë Republikane ashtu dhe kundërkandidaten e Partisë Demokratike, znj. H. Klinton, të cilën e kishte zgjedhur apo më saktë e caktoi establishmenti i Partisë dhe jo anë- tarësia e saj. Ky fakt vjen si frymëzim që duhet të nxisë edhe opinionin politik brenda partive politike si dhe atë publik në Shqipëri, që në zgjedhjet parlamentare të 2017-s ta ndëshkojë edhe votuesi shqiptar këtë elitë politike tepër të dëmshme, mashtruese, gënjeshtare, të korruptuar dhe tradhtare të interesave të publikut; elitë e cila nuk dëshironte që në SHBA të fitonte Lëvizja e DONALD TRUMP. 

Korrupsioni në Shqipëri as nuk po luftohet dhe as nuk po ndëshkohet

Pothuajse e gjithë sfera politike, mediatike, deri dhe ajo akademike dhe artistike që ishin dhe punuan kundër kandidatit republikan, Donald Trump, "u habitën" për fitoren e tij si president të SHBA-së, gjë e cila tregon se edhe ato, pra të gjitha elitat e çdo lloji paskan nevojë për një zgjim nga letargjia e rehatisë monotone materialiste; paskan nevojë për një shkundje dhe për një reformim të tyre, pasi qenkan shumë mbrapa mençurisë, talentit, gjykimit e vlerësimit popullor amerikan për demokracinë, lirinë, ndryshimin, për politikën, për patriotizmin dhe për korrupsionin. Këto elita pra e paskan humbur ndjesinë humane dhe se edhe ato qenkan të shkëputura nga problematikat sociale të shoqërisë, ndaj atyre shtresave të harruara, periferike sidomos, të cilët paguajnë taksa për punën dhe për paratë që ata i fitojnë me punë; prej parasë të të cilëve mbahen shteti, politika dhe pushteti. Pyesim pse pra gjithë ky të cilin edhe mund ta quajmë si një "komplot" antiTrump? Dhe pse mos ta besojmë se ky reagim dhe kjo propagandë e egër antiTrump erdhi edhe prej korrupsionit global jo vetëm të elitave politike por edhe të atij financiar, atij intelektual dhe sidomos te atij edhe mediatik. Pra, Trampizmi duhet parë si një fenomen antikrizë; krizë që erdhi si rezultat i dështimit të elitave në përgjithësi dhe kryesisht të asaj politike, si dhe duhet parë, edhe si alternativë antikorrupsion. Këtë e kishte konstatuar votuesi amerikan, vota e të cilit bëri ndëshkimin, diferencimin dhe zgjedhjen e duhur. Mendoj dhe them se bota asnjëherë më shumë sesa sot nuk ka qenë kaq shumë e korruptuar, edhe për një fakt të thjeshtë: të asaj se edhe Shqipëria si një vend i vogël në Evropë është mbërthyer tmerrësisht nga kthetrat e korrupsionit dhe ajo që çudit më shumë është fakti se pavarësisht pranisë së madhe, monitorimit dhe presionit në dukje nga qeveritë dhe diplomacitë demokratike perëndimore, korrupsioni në Shqipëri as nuk po luftohet, dhe as nuk po ndëshkohet, dhe as nuk po çmontohet akoma. Pse? Sepse në Shqipëri sundon dhe qeveris një elitë politike e korruptuar, e kriminalizuar, produktivisht shumë negative, e papërgjegjshme dhe një keqbërëse e madhe publike. Pra, sepse së pari është kriminalizuar dhe është korruptuar elita politike shqiptare, e cila është autorja e kësaj gjendje të rëndë gjithë-institucionale, shtetërore, juridike dhe sociale në Shqipëri si dhe në Kosovë. 

Reformat e reja hasin në vështirësi

Pra, vetë Shqipëria e vogël dhe e varfër është shembulli më i mirë i dështimit të të gjitha elitave politike, intelektuale, mediatike, të shoqërisë civile etj., por edhe si një pasqyrë që reflekton edhe atë të kalbëzimit të elitave politike e qeverisëse dhe e korrupsionit në shtetet e Bashkimit Evropian, përderisa ato nuk janë në gjendje për ta ndihmuar dhe nxjerrë Shqipërinë nga ky batak korrupsioni, krimi, e padrejtësie ku e ka zhytur Shqipërinë vetë elita politike shqiptare. Pra, them se Shqipërisë dhe Kosovës, e cila edhe ajo dominohet nga i njëjti model elitar politik si në Shqipëri, të dyjave u duhet shembulli amerikan i zgjedhjeve të fundit, duhet një lëvizje elektorale antipolitikë, antikrim dhe antikorrupsion për ta ndëshkuar elitën politike të dështuar, autoritariste, kunderintelektuale, antipatriotike dhe të korruptuar shqiptare. Gjithmonë reforma dhe ndryshimi pozitiv dhe e reja hasin në vështirësitë e realitetit i cili duhet ndryshuar, vështirësi e pengesa që vijnë prej atyre që nuk pranojnë dhe i rezistojnë ndryshimit. Mospranimi i ndryshimit dhe i së resë është fanatizëm i papërfillshëm dhe i izoluar dhe frikë e vogël dhe e përkohshme në vendet e civilizuara demokratikisht siç janë SHBA, ku të dëshpëruarit edhe provokojnë dhe organizojnë ca protesta të vogla, të dëshpëruara dhe momentale siç ndodhi në disa qytete të SHBA-së. Fanatizmi është frikë nga e reja, nga liria. Por, AMERIKA ËSHTË VETË LIRIA, e cila gjithmonë triumfon kundër: fanatizmave, dogmave, pandryshueshmërisë dhe jolirisë. Detaje më të hollësishme studimi për fitoren e Trump do të japin dhe nxjerrin studiues të politikës dhe të demokracisë në SHBA në vijimësi, pse të mos themi që edhe skeptikët apo "të habiturit" për fitoren e Trump mendoj se do të fillojnë të ndryshojnë mendimin kur të shohin ndryshimin për në të mirë që do të sjellë vizioni dhe premtimet e Presidentit Trump. Por, për ne, shqiptarët, këto zgjedhje në SHBA duhet t'i shohim dhe të nxjerrim mësime për ndryshimin dhe reformimin e demokracisë, të shoqërisë dhe të shtetit tonë, pasi jemi shumë, shumë larg demokracisë, ku së pari partitë tona sundohen e qeverisen nga kryetarët e tyre dhe shpura e ngushtë rreth tyre si prona private njerëzore, ku vetëm demokraci dhe as zgjedhje të lira të brendshme në to nuk ka dhe as që bëhet fjalë më pastaj për demokraci e patriotizëm në politikën zgjedhore parlamentare, qeverisëse dhe burokratike të shtetit shqiptar. Demokracia shqiptare pengon dhe përjashton lirinë politike; e izolon nga aktiviteti politik talentin, dhuntinë, ndershmërinë, profesionalizmin dhe patriotizmin si dhe nuk i krijon shansin dhe mundësinë e realizimit të potencialeve të tilla as në sferat e tjera të biznesit, të intelektualizmit, në administratën publike dhe shtetërore. Pra, demokracia në Shqipëri vuan nga mungesa e demokracititetit; nuk është akoma demokraci e lirë, as moderne dhe me standardet e vlerat e duhura të saj dhe më kryesore është ajo se politikanët shqiptarë nuk janë aspak të përgjegjshëm dhe as patriotë. Demokracia, patriotizmi dhe liria politike në Shqipëri janë sfiduar nga krimi, padrejtësia, tradhtia, paaftësia, nepotizmi, klientelizmi, papërgjegjshmëria dhe nga korrupsioni. Një specifikë tjetër e demokracisë shqiptare është ajo se akoma demokracia në Shqipëri persekuton disidencën antikomuniste, nuk ia ka kthyer asaj të drejtat morale dhe pronësore, nuk e ka kompensuar atë për sakrificat dhe vuajtjet prej ish-regjimit dhe si më kryesore disidenca vazhdon të persekutohet akoma prej faktit se politika apo elita politike e paskomunizmit si trashëgimtare e përvojës dhe madje edhe biologjike e ish-nomenklaturës së komunizmit e ka penguar aktivizimin dhe integrimin politik, pra ia ka mohuar lirinë politike shtresës së të persekutuarve dhe të nacional-patriotizmit shqiptar. Kjo tregon se demokracisë në Shqipëri i mungon liria dhe demokracia pa liri nuk është demokraci.  
 

(Kosova Sot)