Komisioni ka qenë i përbërë nga politikanë dhe mbështetës të politikës ditore

Komisioni ka qenë i përbërë nga politikanë dhe mbështetës të politikës ditore
  • 21 February 2017 - 07:56

SHKRUAN: FITIM HUMOLLI

Dorëhiqem nga Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës
Pasi kërkesat e mia verbale dhe propozimet e tjera nëpërmjet dokumenteve të dërguara nga ne dhe kolegët e institucioneve të tjera nuk janë marrë në konsideratë, ndihem i obliguar të përfundoj punën time në këtë komision. I mbështetur plotësisht në bindjet profesionale, morale dhe kombëtare, në asnjë formë nuk pranoj të jem më tutje pjesë e cirkut të tillë.

Duke shfrytëzuar të drejtën time njerëzore dhe ligjore, mbështetur në arsye profesionale, morale dhe kombëtare, njoftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës për: Dorëheqje Nisur nga njoftimet e mediave u informuam se qeveria e Republikës së Kosovës kishte nxjerrë një vendim për matjen e territorit të Republikës së Kosovës. Natyrisht për mua ishte absurde një vendim i tillë duke njohur nga afër problematikat dhe konsekuencat profesionale që dalin nga kjo çështje. Për më tepër, më shumë se një vit çështja e kufirit me Malin e Zi, validiteti dhe shtrirja e tij ka qenë tema kryesore politike dhe mediale në vend. I ftuar nga Qeveria dhe i dërguar nga punëdhënësi im pranova të shkoja duke qenë në plotni për konceptin e gabuar qysh në emërtimin e këtij komisioni. Dy arsyet e pjesëmarrjes sime ishin: 1: Të sqaroja se koncepti i " matjes", në kushtet e tilla është i pamundur dhe 2: Mbi bazën e këtyre sqarimeve të ndikoja që anëtarët e komisionit dhe nëpërmjet tyre edhe Qeveria e vendit të tërhiqeshin nga ide të tilla të çoroditura dhe aspak profesionale. Me pranimin e ftesës së parë u interesova për vendimin mbi themelimin e këtij komisioni, sepse në këtë ftesë ( ftesa e datës 18.01.2017) nuk jepeshin më shumë informacione. Në pikën e 3-të të vendimit nr.03/122 të datës 23.12.2016 ndodhej lista e institucioneve pjesëmarrëse. Lista kishte dy grupe defektesh: 1. Kishte institucione e organizata të panevojshme për pjesëmarrje në këtë komision dhe mjerisht kishte anashkalime thelbësore-qenësore të institucioneve ose organizmave profesional që në kushtet normale dhe me institucione të përgjegjshme do të duhej të ishin bartësit profesionalë të këtij procesi. Sqarim: Mungonte Departamenti i Gjeodezisë i Universitetit të Prishtinës, mungonte Ministria e Infrastrukturës, etj., ndërsa ishin ftuar institucione krejtësisht irrelevante për çështjen në fjalë:Operatori i sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), Agjencia e pronave të Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, kryetarët e komunave perëndimore të Kosovës- pozita politike dhe aspak profesionale. 2. Çuditërisht anomalitë profesionale sikur ishin në korrelacion të fortë edhe me gabime të shumta drejtshkrimore dhe shtrembërimet profesionale në emërtimin e institucioneve, organizatave, etj. Numërova së shpejti dhe gjeta disa shtrembërime institucionesh, si pika 3.7, 3.8, 3.9, 3.10, 3.11, 3.13.

Qëllimet e mbrapshta në emër të "profesionalizimit"

Në takimin e parë(24.01.2017) u bënë shumë shkelje dhe u paraqitën shumë pakënaqësi nga unë dhe pjesëmarrësit e tjerë. Kryeministri i Kosovës bëri deklarim publik se komisioni do të jetë i lirë të veprojë dhe organizohet për të realizuar, sipas tij, qëllimin e formimit në mënyrë që, i pavarur të sjellë rezultate...Në përfundim të fjalës na informoi se kishte zgjedhur kryetarin e ASHAK-ut, profesor Hivzi Islamin, për udhëheqës. Duke mos u pyetur anëtarët e këtij komisioni, kjo bëri shkeljen e parë. Njëanshmëria dhe qëllimet e mbrapshta në emër të "profesionalizimit" shfaqen edhe tutje. Ishim të ftuar për trakimin konstituiv të komisionit, ndërsa pranuam dokumente, të cilat shpalosën në tërësi njëanshmërinë e fakteve mbi bazën e të cilave në eksperiencat ndërkombëtare vendoset për caktimin e kufijve. Dokumenti në asnjë vend nuk shkruan metoda e teknika të matjes por është krejtësisht përshkrues e banalizues profesional, është një listë e selektuar e të dhënave, të cilat duke mbledh dhe të cilat kurrë e asnjëherë nuk japin sipërfaqe. Dokumenti i ASHAK-ut e jo i Qeverisë, tregoi disa anashkalime: JO-thuhej për harta të cilat japin ndryshe kufirin e Kosovës nga kufiri kadastral i Kosovës. JO iu thuhet hartave (bllok hartave zinxhirore në disa periudha kohore që nga vitet e 20-ta e deri në vitet e 80-ta të shekullit XX), të cilat janë punuar me peshën e përgjegjësisë së institucionit qendror të hartografisë në ish- RSFJ, e PO u thuhet hartave të kolegëve gjeografë e të tjerë të cilët mjerisht për shkak të rrethanave në të cilat kanë jetuar e vepruar kanë bërë harta duke kopjuar mbi xham, mbi paus, dhe mediume tjera të kohës. JO, u thuhet profesionistëve me tituj nga më të ulëtit e deri më të lartit, të cilët mendojnë për kufirin e Kosovës e jo për kufirin kadastral të Kosovës, kujtojmë emrin e prof.dr. Muharram Carrbregut( gjeograf-hartograf) dhe të gjithë tjerëve, të cilët mendojnë ndryshe nga projektuesit e mashtrimit profesional të radhës. Në këtë takim unë kam sqaruar se dokumenti i prezantuar për mbledhjen selektive të të dhënave është i orientuar drejt të dhënave kadastrale dhe kam kërkuar sqarim se si do të llogaritni sipërfaqen e vendit. I kam ftuar të definohet metodologjia e cila ka nxjerr sipërfaqen e mirënjohur për dekada me radhë të Kosovës, sipërfaqen prej 10887 km2, 2. Kjo duhej minimalisht të bëhej, sepse për informacionin tuaj sipërfaqja e sipër përmendur dallon nga sipërfaqja e pronave të Kosovës e prezantuar në disa variante deri më tani, si: 10908km2, 10906km2, etj. Metodat e llogaritjes së sipërfaqes duhet të jenë të njohura për të gjithës, sepse sipërfaqja është një produkt i kalkuluar dhe metodat e ndryshme të llogaritjes sjellin rezultate të ndryshme. Edhe për këtë çështje nuk kam marrë asnjë koment, pra asnjë përgjigje.

Shkelje dhe njëanshmëri në proces

I vetëdijshëm se këtë çështje nuk e njihnin shumica e panelistëve dhe nuk i shkon në interes protagonistëve të kësaj katrahure profesionale, konkretizohej përherë e më shumë fakti se ata nuk do të matin e llogarisin asnjëherë asgjë për ata se për çfarë janë emëruar. Z.Agron Luta ka kërkuar të lirohet nga përgjegjësitë e shërbyesit civil në mënyrë që të ndihej i lirë për të deklaruar aspekte profesionale për të cilat ishte i thirrur profesionalisht, sepse është gjeodet me profesion. Iu tha se do të kenë në konsideratë këtë çështje dhe në takimin e radhës me 10.02.2017 u bë e njohur se kërkesa e tij nuk ishte aprovuar. Shkelje dhe njëanshmëri të procesit qysh në takimin e parë janë vërejtur duke na u marrë fjala si mua, si dhe z.Luta, i cili sikur edhe unë provoi të sqaronte procedurat e nxjerrjes së sipërfaqes të cilat ishin në kundërshtim me "principet" që kishin zgjedh protagonistët e zgjedhur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në takimin e dytë prapë u ngritën çështje dhe u kërkua nga unë dhe folësit e tjerë për të dhënat e prezantuara dhe u debatua për to. Fjala prapë ju ndërpre z, Luta. Të dhënat e deklaruara ishin të dyanshme: ato të orientuara drejt të dhënave kadastrale dhe ato që ishin ndryshe nga to, në fakt ato të cilat tregojnë kufirin e Kosovës të vetmin dhe të pandryshuar për dekada me radhë që nga koha e formimit të tyre. Në këtë takim është dorëzuar nga unë një dokument-punim profesional nga dr.Përparim Ahmeti dhe dr. Bashkim Idrizi, të dytë gjeodetë me kompetencë profesionale për çështjen e ngritur. Në takimin e tretë të datës 10.02.2017 dhe takimin datës 20.02.2017 u vërtetu se ai nuk është marrë në konsideratë. Në kohën e dedikuar për dorëzimin e të dhënave nga institucionet kam dorëzuar 10 harta, 5 nga këto harta kanë qenë të prof.Hivzi Islamit dhe të cilat kufirin e Kosovës nuk e kanë si kufiri i versionit me demarkimin e fundit Kosovë-Mali i Zi. Një nga to është hartë me kufirin e Kosovës dhe kufijtë e komunave kadastrale( zonave kadastrave). Në takimin e tretë u mundua në formën më jo profesionale dhe më diletante të "hidhet hi" në një hartë, e cila, sipas tyre, nuk ka kualitetet e nevojshme. Një hartë në shkallë 1:200 000 (shkallë e madhe) e botuar nga Geokarta e Beogradit në vitin 1973 dhe prodhuar nga drejtoria krahinore për gjeodezi në Prishtinë, bartëse e së cilës sot është Agjencia e kadastrave e Kosovës, është e pakuptimtë dhe krejtësisht naive. Baza topografike dhe relievore sikur kufijtë kadastralë komunalë dhe shtetërorë të kësaj harte janë përdorur zyrtarisht gjithandej për krijimin e hartave të tjera në funksion të planifikimit hapësinor, arsimit, hartave të tjera shkollore, etj. Mosha nuk e humb vlefshmërinë e hartës, është përmbajtja e saj që duhet vlerësuar. Pasi kërkova me ngulm, shikuam në prezencë të të gjithë pjesëmarrësve se harta e sipërpërmendur plotësisht përputhej në të gjitha anët tjera përveç në zonën kontestuese me Malin e Zi". Shkelje dhe njëanshmëri e radhës është kjo për mua kur në fillim keni deklaruar se do të marrim të gjitha faktet në konsideratë e jo vetëm kadastrin. Këtu në këtë takim ju thashë: " Ju kujtoj se në takimin e parë ju kam thënë se kadastra për ju është alfa dhe omega e kësaj pune për të cilën jeni të gabuar". Madje, pikërisht për faktin e mbështetjes kryesisht në kufijtë e zonave kadastrave kemi dërguar hartën e sipërpërmendur për të dëshmuar të kundërtën e asaj që shfaqej. Në takimin e tretë, datë 16.02.2017 u prezantua një rend dite me disa pika për të cilat nuk ishim dakord unë, z. Agron Luta dhe z. Faruk Bojaxhiu. Kjo kishte të bënte më shumë më pikën 3, ku u njoftuam se komisioni pa dijeninë tonë dhe pa ftesë, e pa pjesëmarrjen tonë kishte bërë aktivitet në terren (kujtoj me këtë rast se i takoj grupit profesional të komisionit, sikur edhe dy kolegët e apostrofuar). Ky është një anashkalim i plotë dhe i qëllimshëm që na është bërë, prandaj e konsideroj shkelje të radhës si shumë të tjera para dhe prapa kësaj.

Raport për konsum politik

Ky aktivitet terreni u prezantua si aktivitet për të parë, sipas tyre, mbulueshmërinë gjeografike të territorit të Kosovës. Absurditeti i tillë dëgjohej para nesh, të flitet për mbulueshmëri terreni me matjen e dy-tri shtyllave elektrike dhe të prejudikohet se kufiri caktohet duke marrë për bazë një shtyllë të tillë, kjo s'ka koment. Me këtë anashkalohet gjithë mbulesa tjetër natyrore dhe kulturore e zonës në fjalë dhe pesha bie sipas tyre në një shtyllë elektrike. Ajo shtyllë nuk kishte nevojë të matej fare, sepse në një takim para u deklarua se koordinatat e saj janë verifikuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe se ishin në përputhje me të dhënat e këtij institucioni, të cilat sikur dihet tanimë nuk mbulojnë mjerisht gjithë territorin e Kosovës. Ky aktivitet terreni u prezantua si matje dhe si verifikim i kufijve të Kosovës në shumë media të shtypit e elektronik gjatë datës së 16.02.2017. Për mua kjo është një gënjeshtër dhe sajesë e radhës dhe përbën shkelje rregullash profesionale për të cilat unë shpreh kundërshtim. Z.Faruk Bojaxhiu nga Agjencioni Pyjor i Kosovës që nga takimi i parë ka kërkuar që pronat, të cilat i menaxhon ky institucion dhe të cilat me dëshmi të argumentuara janë dorëzuar në këtë komision, të merren parasysh, sepse janë prona Kosove. Pesha e tyre hapësinore është jo më pak se 614 ha. Pesha e tyre është më e madhe dhe me këtë sipërfaqe dëshmon se jo vetëm ato prona pyjore, por edhe kullotat dhe kategoritë e tjera tokësore të asaj pjese janë të Republikës së Kosovës deri në kufi. Z.Bojaxhiu ka kërkuar " që përderisa këto prona nuk merren në konsideratë, unë kundërshtoj çdo propozim tjetër". Në këtë takim u vërtetua se këto prona nuk janë përfshirë në territorin e vendit tonë dhe rrjedhimisht në sipërfaqen e Kosovës. E kam theksuar çështjen e pronave pyjore të Kosovës të ngritura në këtë komision nga z.Bojaxhiu për të treguar se isha në tërësi në mbështetje të kërkesave të tij. Kjo është e papranueshme. Në takimin e katërt me radhës (dt.20.02.2017), kryetari i komisionit lexoi raportin e draftuar për t'i çelur rrugën raportit final, i cili pritet sipas deklarimeve të tij të jetë pas të premtes (24.02.2017). me këtë raport politiko-historik unë nuk u pajtove për shumë arsye: - Ishte jo profesional, - Ishte për konsum politik, - Nuk flitej për rezultatet e paarrira, - Ishte kronologji e ngjarjeve politike dhe juridike nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe populli i saj. Me kërkesën e kryesuesit mora fjalën dhe pa të drejtë ma ndërpreu fjalën vetëm e vetëm se mendimi ndryshe për të është i papranuar. Kjo përbën arsye shtesë që unë të tërhiqem nga komisioni dhe me këtë rast bëra njoftimin verbal për dorëheqje nga komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës. Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës quhet kështu, ndërsa z.Luta i merrej fjala sa herë ai fliste si profesionist. Në këtë rast i thuhej " nëse keni të thoni diçka për agjencinë e privatizimit të Kosovës thojeni, përndryshe ndale, na lejo të ecim tutje, etj, etj ". E thanë disa herë radhazi në takimet e këtij komisioni në forum të përmbledhur dhe deklaroj se komisioni nuk ka qenë i ekspertëve, përjashtuar një numër minoren. Ekspertët nuk janë marrë qëllimisht - Departamenti i gjeodezisë i përfolur më sipër. Komisioni për mua është instrument i mbrapsht, i cili për qëllime politike se e di se çfarë mund të jenë, dëshiron të bëjë "shpikje bashkëkohore" se nga sipërfaqja definohet territori e jo siç e njeh mbarë bota se nga territori i kufizuar llogaritet sipërfaqja. Komisioni ka qenë i përbërë nga politikanë dhe mbështetës të politikës ditore. Shkeljet dhe pakënaqësitë e paraqitura gjatë punës në këtë komision janë më të shumta se sa kam mundësi t'i paraqesë në këtë letër. E thënë në edhe në të gjitha takimet e komisionit diku qartazi e diku në diskutim e sipër deklaroj se për mua përfundimi i mbulesës kadastrale nuk do të thotë përfundim i territorit të vendit. Kadastri as nuk ka qenë kriter në përcaktimin fillestar të kufijve e as nuk duhet të jetë kriter për ndarje ( definim të kufirit shtetëror ), aq më shumë kur në emër të tij vendi ynë humb territor të konsideruar. Pasi kërkesat e mia verbale dhe propozimet e tjera nëpërmjet dokumenteve të dërguara nga ne dhe kolegët e institucioneve të tjera nuk janë marrë në konsideratë, ndihem i obliguar të përfundoj punën time në këtë komision. I mbështetur plotësisht në bindjet profesionale, morale dhe kombëtare në asnjë formë nuk pranoj të jem më tutje pjesë e cirkut të tillë. I vetëdijshëm se nuk kam arritur të adresoj aq sa kam dashur këtë çështje, ngelem me ndërgjegje të pastër se e vërteta nuk bazohet në manipulim dhe në laicitet profesional, prandaj jap dorëheqjen time për të vazhduar me ndershmëri dhe përkushtim punën profesionale, pedagogjike e shkencore në dobi të vetës time dhe shoqërisë për aq sa mundem dhe aq sa di.

Prishtinë, më 20.02.2017 Anëtari i Komisionit Dr.Sc. Fitim Humolli

(Kosova Sot)