A mundet Evropa të vazhdojë të mbështetet te NATO-ja?

A mundet Evropa të vazhdojë të mbështetet te NATO-ja?
  • 21 February 2017 - 08:06

Shkruan: Shashank Joshi

NATO-ja është aleanca më e madhe dhe më e fuqishme ushtarake në botë, pasi që ka rritur madhësinë e saj më shumë se dyfishi, krahasuar me vendet themeluese dhe ka trupa të vendosur në tërë botën, nga Ballkani e deri në Afganistan. Por, e ardhmja e saj është vënë në një dyshim të paprecedent, pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump. Gjatë kampanjës së tij, Trump sugjeronte se, gatishmëria e SHBA-së për t'i mbrojtur aleatët e saj evropianë, do të kushtëzohet nga kontributi i tyre ndaj NATO-s, gjë që, sipas tij, deri atëherë kishte qenë i mangët. Ai po ashtu kishte fjalë miradije për presidentin rus, Vladimir Putin, derisa në anën tjetër shante liderët evropianë. Zyrtarët e tij e kanë mirëpritur kolapsin e BE-së. Kjo i ven liderët evropianë në një pozitë të vështirë. Ata aktualisht ballafaqohen me mundësinë e rritjes së përpjekjeve ruse për destabilizimin e shteteve evropiane demokratike gjatë një viti kur pritet të mbahen zgjedhje të rëndësishme dhe gjatë vazhdimit të turbulencës në lindje, në Ukrainë dhe, në jug, në Afrikën jugore dhe në lindjen e mesme. Ekzistojnë dy mundësi të përgjithshme: të punohet më shumë dhe të shpëtohet aleanca, apo çdo shtet të mbyllet në vetvete dhe të përcaktohet për vetëmbrojtje. Në praktikë, presim që t'i shohim elemente nga këto dy opsione, derisa shtetet e ndryshme mbështesin shpresat e tyre në mënyra të ndryshme

NATO-ja është strumbullari i sigurisë

Derisa presidenti i Francës deklaroi në Samitin e BE-së në Malta se "ata që duan të krijojnë lidhje të veçanta me SHBA-në, kuptohen mirë nga publiku... ata duhet ta kuptojnë se nuk ka një të ardhme me Trump-in, nëse nuk kanë qëllime të përbashkëta". Ministri gjerman i punëve të jashtme deklaroi se "bota e vjetër e shekullit XX ka marrë fund". Në vend të kësaj, Britania ka tentuar që ta ruajë këtë botë, duke u afruar më shumë me qeverinë e re amerikane. Muajin e kaluar, kryeministrja britanike Theresa, deklaroi se Britania dhe SHBAja janë "të bashkuara në qëndrimin e tyre se NATO është strumbullari i sigurisë së tyre dhe i një mbrojtjeje të përgjithshme", derisa presidenti amerikan, gjatë tërë fjalimit të Merkelit, tundte kokën në shenjë pajtimi. Në anën tjetër, Britania beson se, për ta mbajtur Trump-in në anën e vet, asaj do t'i duhet që t'i bindë edhe shtetet e tjera evropiane për të kontribuuar më shumë ndaj aleancës, në mënyrë të shpenzimeve më të mëdha për mbrojtje. Në fakt, zonja May ua ka bërë këtë të qartë liderëve të tjerë të BE-së. Tani, vetëm katër vende, nga gjithsej 26 shtetet anëtare evropiane të NATO-s - Britania, Greqia, Polonia dhe Estonia - kanë arritur cakun e aleancës, duke shpenzuar 2% të GDP-së për mbrojtje. Por, 22 nga gjithsej 28 shtete anëtare të NATO-s, vitin e kaluar kanë rritur shpenzimet e tyre për mbrojtje, trend i cili ka të ngjarë që të vazhdojë. Shpenzimet më të mëdha të mbrojtjes iu shërbejnë dy qëllimeve. Për disa, sikur p.sh. për Theresa May, një gjë e tillë do të jetë e dobishme për neutralizimin e akuzës së bërë nga Trump, se aleatët e tjerë, thjesht gëzojnë një mbrojtje falas, në kurriz të Amerikës. Në janar, presidenti i Këshillit të BE-së, "deklaratat shqetësuese" të Trump-it i vendosi në listën e rreziqeve, ku gjendeshin edhe Rusia, Kina dhe islamizmi radikal. Nëse presidenti Trump vetë ka qenë nga mesi i atyre që do ta dobësonin NATO-n, atëherë kush do të mbeste? Një përgjigje vjen nga sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis. Një tjetër nga sekretari i shtetit, Rex Tillerson, i cili mbajti një fjalim të qetë, sigurues në ditën e tij të parë në post. Shtetet evropiane shpresojnë që Mattis, Tillerson dhe të tjerët, do ta kenë një ndikim modifikues te presidenti Trump. Por, evropianët po ashtu kuptojnë se kjo mund të mos mjaftojë. Mattis dhe Tillerson mund të pushohen nga puna dhe presidenti ka treguar një gatishmëri që t'i trajtojë aleatët shumë të afërt, sikur që është Australia, me një armiqësi të haptë. Për këtë shkak, shpenzimet më të mëdha në mbrojtje i shërbejnë edhe një qëllimi të dytë: ato e rrisin rrjetin e sigurisë së Evropës, në rast se SHBA-ja me të vërtetë dobëson përkushtimin e saj ndaj mbrojtjes së Evropës. Ky rrjet i sigurisë nuk është tepër i fortë. Derisa shpenzimet e përgjithshme evropiane të mbrojtjes janë rreth katër herë sa ato të Rusisë, ushtritë evropiane kanë shumë shpenzime "të shumë- fishta" dhe, në rast nevoje, do të pengoheshin nga një nevojë për miratim politik nga dhjetëra kryeqytete të ndryshme.

Britania është fuqia më e madhe ushtarake në Evropë

Një mënyrë për tejkalimin e një gjëje të tillë, nënkupton një bashkëpunim më të madh. Por, a duhet që ky bashkëpunim të jetë në kuadër të NATO-s, BE-së, apo diçka tjetër? Neni i pestë i NATO-s, i cili thotë se sulmi ndaj njërit vend anëtar është sulm ndaj të gjitha vendeve, nuk i obligon të gjithë në mënyrë ligjore që të luftojnë. Nëse Trump vendos që të mos reagojë, këtë mund ta bëjnë edhe vendet e tjera anëtare të NATO-s. Por, komandanti suprem aleat i NATO-s është gjithmonë amerikan dhe SHBA-ja vazhdon që të ofrojë disa nga aftësitë më të rëndësishme mbështetëse, sikur që është mbushja e avionëve dhe radari, pa çka do të ishte shumë vështirë edhe për vendet, si Britania, Franca dhe Gjermania, që të vepronin të vetme. Për këtë shkak, disa fuqi evropiane kanë nxitur BE-në që të zhvillojë më tej institucionet e saj mbrojtëse. Në shtator, Franca dhe Gjermania - të mbështetura nga Italia dhe Spanja - propozuan që të ekzistojë një shtab permanent ushtarak, për të planifikuar dhe udhëhequr misionet ushtarake evropiane, si dhe një komandë mjekësore, një qendër logjistike, si dhe stërvitje të përbashkëta të oficerëve. Këto plane më pas u lanë pas dore, por është e qartë se politika mbrojtëse e BE-së është duke fituar një vëmendje më të madhe në Bruksel. Britania dikur ishte një mbështetëse e madhe e bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes, duke nënshkruar deklaratën vendimtare Saint-Malo në vitin 1998. Por, më pas, Britania është bërë më hezituese ndaj një bashkëpunimi të tillë, duke thënë se përpjekjet e tilla e pengojnë atë nga angazhimi në NATO dhe inkurajojnë dyfishimin e shpenzimeve. Duke pasur parasysh dëshirën e Theresa May-it që t'ua dëshmojë vlerën e NATO-s zyrtarëve në Uashington, ajo ka të ngjarë që të shqetësohet se, hapat e tillë nga BE-ja, do ta inkurajonin Uashingtonin që të largohej. Por, Britania është duke dalë nga BE-ja dhe më nuk mund ta bllokojë atë që BE-ja do ta bëjë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, Britania është fuqia më e madhe ushtarake në Evropë, duke ua tejkaluar me të madhe aleatëve të saj në disa fusha. Çdo institucion ushtarak i BE-së, i cili nuk përfshin Britaninë, do të ketë aftësi shumë të kufizuara. Vendet e tjera evropiane, sikur Polonia dhe Sllovakia, po ashtu kanë qëndrim të përbashkët me Britaninë dhe do të preferonin që të përqendroheshin te forcimi i NATO-s.

Sprova e Ukrainës

Sprova e parë e besueshmërisë së Trump-it rreth çështjes së sigurisë evropiane do të jetë në Ukrainë, ku luftimet midis separatistëve, të mbështetur nga Rusia, dhe qeverisë ukrainase, kanë eskaluar. Janë të shumtë ata që frikësohen se Trump do t'i heqë sanksionet ndaj Rusisë, pa siguruar respektimin e një armëpushimi nga ana e Moskës. Duke folur në Maltë, presidenti francez, François Hollande, pasqyroi frikën evropiane."Ne duhet ta kemi një koncept evropian për të ardhmen tonë. Nëse jo, atëherë, sipas mendimit tim, nuk do të ketë Evropë, e as mënyrë që çdo vend të jetë në gjendje ta ketë ndonjë ndikim në botë". Evropa nuk mund të jetë e kënaqur nga administrata Trump. Por, nëse liderët evropianë insistojnë tepër herët për një bashkëpunim ushtarak jashtë NATO-s, ata rrezikojnë që ta zgjerojnë një mosmarrëveshje me fuqinë më të madhe ushtarake në regjion, Britaninë, duke inkurajuar ata që besojnë se me të vërtetë ka marrë fund rendi evropian i sigurisë, i vënë pas Luftës së Dytë Botërore. Evropa ka të drejtë që të mendojë rreth një pavarësie më të madhe sa i përket mbrojtjes, por ajo duhet të bëjë çdo përpjekje që të punojë me ata në Uashington dhe në administratën Trump, të cilët e kuptojnë rolin unik të NATO-s.

(Shashank Joshi është kërkues shkencor në Institutin mbretëror "United Services" -RUSI, me seli në Londër)  

(Kosova Sot)