Ekuilibri i keq i Rusisë

Ekuilibri i keq i Rusisë
  • 26 February 2017 - 09:40

Shkruan: Anders Aslund 

Politika e jashtme është duke lënë nën hije politikën e brendshme

Pas më shumë se dy viteve të tkurrjes ekonomike, Rusia duket ta ketë arritur një- farë ngjasimi me stabilitetin. Edhe pse rritja ekonomike pritet që të jetë vetëm 1% në vitin 2017, frika nga destabilizimi ekonomik, e cila e kishte përfshirë vendin që nga invadimi i Krimesë në vitin 2014, sikur është avulluar. Kombinimi i optimizmit të politikës së jashtme, komfortit dhe represionit të brendshëm, duket të jetë një eliksir i fuqishëm. Sikur edhe në kohën e Leonid Brezhnevit, politika e jashtme është duke lënë nën hije politikën e brendshme të Rusisë. Por, për dallim nga atëherë, perspektivat e Rusisë duken të ndritura. Presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë dëshirën e tij për t'i përmirësuar raportet me Kremlinin dhe bëhet e ditur se do të takohet me Putinin në qershor. Zgjedhjet presidenciale franceze, të caktuara për në prill, po ashtu mund t'i shkojnë për shtati Rusisë. Si kandidati i qendrës së djathtë, François Fillon, po ashtu edhe kandidatja e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, janë miq të pasionuar të Putinit edhe pse edhe centristi Emmanuel Macron, i cili nuk është, ka gjasa në zgjedhje.

Spektri i represionit

Zgjedhjet presidenciale të vetë Rusisë, që pritet të mbahen në mars të vitit 2018, nuk duken aq momentale, meqë nuk pritet ndonjë ndryshim. Mbetja e Putinit në postin e presidentit duket se do të jetë e pranueshme për shumicën e rusëve, të paktën për moskovitët. Infrastruktura e Moskës kurrë nuk është dukur më mirë: qyteti ka një metro që funksionon për merak dhe ka disa aeroporte moderne dhe të pastra e efikase. Bile edhe parkingjet e saj, që dikur ishin kaotike, tani janë vënë në rend. Banorët e Moskës mund të vizitojnë qendrat luksoze tregtare dhe të blejnë çfarë ushqimi që të duan (me përjashtim të djathërave perëndimore) me çmim të mallit me shumicë. Natyrisht, ka rusë që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale të gjërave. Kjo, midis tjerash, është shkaku pse ekziston Shërbimi federal i sigurisë (FSB). "Freedom House" ka degraduar deri në maksimum vlerësimin e Rusisë në fushën e të drejtave politike. Spektri i represionit ishte evident në Forumin Gaidar të muajit të kaluar, një ngjarje vjetore e cila organizohet nga Akademia presidenciale e Rusisë, për nder të reformatorit nga epoka e Yeltsinit, Yegor Gaidar. Çdo vit, me mijëra shkencëtarë socialë rusë dhe me qindra të huaj mblidhen për tri ditë, për të diskutuar politikën ekonomike. Ministrat qeveritarë në panele duken të relaksuar, të hapur dhe kompetentë, por janë të vëmendshëm që t'i evitojnë deklaratat e mëdha. Problemet kyçe të Rusisë - mungesa e të drejtave reale pronësore, mungesa e sundimit të ligjit, dhe mungesa e demokracisë, janë përmendur sivjet, në rend të parë nga ish-ministri i financave, Alexei Kudrin, por vetëm në përgjithësi dhe shkarazi. Si zakonisht, pjesa më e madhe e diskutimeve plenare iu përkushtoheshin detajeve të politikës makroekonomike të vendit, e cila duket se funksionon mirë. Establishmenti i madh ekonomik i Rusisë nuk është aspak në gjendje të mjerë.

Regjimi i Putinit e ka konsoliduar veten

Derisa qëndrimi i ministrave mund të mos na habitë, forumet e kaluara 'Gaidar' e kanë bartur shpresën për disa sfida ndaj elitës sunduese. Akademikët ekonomistë të Moskës marrin pjesë me vëmendje në këtë forum çdo vit, duke shpresuar që të dëgjojnë diçka radikale, apo paksa shpërfillëse edhe pse as vetë nuk janë të gatshëm për ndryshime. Në forumin e vitit të kaluar, një panel prej dhjetë personave, liberalë të mirënjohur të Rusisë, kishte menduar se ndryshimet ishin në ardhje e sipër. Disa pjesëtarë të panelit bile prisnin edhe sfida ndaj regjimit, p.sh. që ndonjë pjesëtar i opozitës do të zgjidhej në Duma, ose se vështirësitë ekonomike do të shkaktonin trazira sociale. Këto parashikime nuk u realizuan. Në fakt, ndjenja e përgjithshme në mesin e rusëve është se, invadimi rus në Ukrainë dhe konfiskimi i Krimesë, ishin gjë e mirë për Rusinë. Kjo ishte një kryevepër e Putinit. Duke transformuar Ukrainën në një vend të dobët dhe me konflikte, ai shtypi ngritjen e ndjenjës së demokracisë në Rusi, si dhe rriti euforinë nacionaliste. Një zhvillim tjetër i politikës së jashtme, nga i cili do të mund të përfitonte Putini, sipas Tatyana Vorozheykinas, profesoreshë në Shkollën moskovite të shkencave sociale dhe ekonomike, ka të bëjë me shkatërrimet në Alepo. Këtë vit, askush nga paneli në evenimentin Gaidar nuk parashikoi asgjë të re, pos inercisë, një represioni më të madh dhe një konformizmi në masë. Regjimi i Putinit e ka konsoliduar veten rreth flamurit dhe janë të paktë ata rusë që janë të gatshëm ta sfidojnë status-quonë. Për këtë shkak, burimi i vetëm i ndryshimeve, janë ngjarjet dhe raportet me jashtë, zonat në të cilat Putin nuk e ka një kontroll të plotë. mDuket se Rusia gjendet në "këmbë" të fuqishme gjeopolitike. Por, gjërat nuk janë gjithmonë ashtu sikur që duket të jenë. Por, në aspektin afatshkurtër, sikur që e bëri të ditur analisti politik i pavarur Dmitri Oreshkin në forumin 'Gaidar', ka të ngjarë që vetëm ndonjë ngjarje "mjellma e zezë" jashtë vendit, mund të shkaktojë ndryshime në Rusi. Ekuilibri i ri i vendit mund të mos jetë i mirë, por ai duket stabil, tani për tani.

(Anders Aslund është bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Atlantikut në Uashington). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)