Evropa apo anti-Evropa?

Evropa apo anti-Evropa?
  • 26 March 2017 - 08:39

Shkruan: Michael Spence 

AFTËSIA KONKURRUESE E VENDEVE TË EUROZONËS

Eurozona gjithnjë e më shumë është duke u shndërruar në një bllok ekonomik

Që nga kriza financiare e vitit 2008, mençuria konvencionale thotë se një rimëkëmbje e gjatë dhe e vështirë për vendet e Eurozonës, më pas do të çojë deri te një rritje më e fortë. Por, kjo narrativë është duke e humbur besueshmërinë e saj

Një mik imi në Milan tash vonë më pyeti: "Nëse një investitor autsajder, të themi, nga SHBA-ja, do të donte ta bënte një investim të konsiderueshëm në ekonominë italiane, çka do ta këshilloje ti atë?" Iu përgjigja se, edhe pse ka mundësi të shumta për të investuar në kompani dhe sektorë, ambienti i përgjithshëm investues është i komplikuar. Do të rekomandoja investimin me ndonjë partner të njohur vendor, i cili mund të gjendet në këtë sistem, duke vërejtur rreziqet e fshehta. Natyrisht, e njëjta këshillë vlen edhe për shumë vende të tjera, sikur p.sh. Kina, India dhe Brazili. Por, Eurozona gjithnjë e më shumë është duke u shndërruar në një bllok ekonomik me dy shpejtësi, gjë që është shqetësuese. Në një takim të mbajtur tash vonë, të këshilltarëve të lartë të investimeve, njëri nga organizatorët pyeti të gjithë nëse ata besonin se euroja do të ekzistonte edhe pas pesë vjetëve. Vetëm një person nga 200 sish mendonte se euroja nuk do të ekzistonte pas kësaj periudhe, gjë që është një vlerësim i çuditshëm i përgjithshëm, duke pasur parasysh gjendjen aktuale ekonomike të Evropës. 

Gjermania do të vazhdojë që të ketë bilance të mëdha pozitive

Tani për tani, vlera reale e GDP-së në Itali, është në nivelin e vitit 2001. Spanja ka një gjendje më të mirë, por vlera reale e GDP-së së saj vazhdon që të mbetet rreth vlerës që kishte në vitin 2008, pak para krizës financiare. Dhe, vendet e Evropës Jugore, duke përfshirë edhe Francën, kanë përjetuar një rimëkëmbje të dobët dhe një papunësi tepër të lartë, më të lartë se 10%, por te të rinjtë kjo papunësi është edhe më e lartë. Nivelet e borxheve sovrane i janë afruar, apo e kanë tejkaluar vlerën prej 100% të GDP-së, derisa inflacioni dhe rritja reale mbesin të ulëta. Ky borxh është duke e kufizuar aftësinë e përdorimit të masave fiskale për ta rikthyer rritjen më të madhe ekonomike. Aftësia konkurruese e vendeve të Eurozonës, sidomos në sektorët e tregtisë, dallon shumë, falë dallimeve që u paraqitën pasi që u lansua valuta e përbashkët. Edhe pse rënia e tashme e vlerës së euros do t'i zbutë ca nga këto dallime, ato nuk do të zhduken në tërësi. Gjermania do të vazhdojë që të ketë bilance të mëdha pozitive. Që nga kriza financiare e vitit 2008, mençuria konvencionale thotë se një rimëkëmbje e gjatë dhe e vështirë për vendet e Eurozonës, më pas do të çojë deri te një rritje më e fortë. Por, kjo narrativë është duke e humbur besueshmërinë e saj. Evropa duket të ketë ngecur në një ekuilibër gjysmë permanent të rritjes së vogël ekonomike. 

Rritja e mbështetjes ndaj populizmit

Politikat sociale të vendeve të Eurozonës e kanë pasur efektin e tyre. Por, këto vende ende mbeten prapa në lidhje me tri ndryshime, që ndikojnë ekonominë globale, që nga viti 2000. Së pari, euroja ishte futur në përdorim pa një unifikim komplementar fiskal dhe rregullator. Së dyti, Kina iu bashkua Organizatës Botërore të Tregtisë dhe u bë më e integruar në tregjet globale. Dhe, së treti, teknologjitë digjitale filluan që ta kishin një ndikim më të madh në strukturat e ekonomisë, vendeve të punës dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Shkurt pas kësaj periudhe, midis viteve 2003 dhe 2006, Gjermania implementoi reformat përfshirëse, me qëllim të përmirësimit të fleksibilitetit strukturor dhe të aftësisë konkurruese. Dhe, në vitin 2005, skadoi marrëveshja "Multi-Fiber" (MFA). Pa një MFA, prodhimi global i tekstilit u përqendrua me të madhe në Kinë dhe, befasisht, në Bangladesh. Vetëm gjatë vitit 2005, Kina dyfishoi prodhimin e tekstilit dhe eksportet në Perëndim. Këto ndryshime krijuan një disbalancë në një numër të madh të vendeve. Derisa shumë vende ndërmorën masa për të adresuar pasojat, borxhi sovran u rrit dhe erdhi deri te shpërthimi i flluskave. Këto mënyra të rritjes nuk ishin të qëndrueshme dhe kur dështuan, doli në pah dobësia strukturore. Tani është në rritje e sipër rezistenca ndaj sistemit aktual. Referendumi pro Brexit në Britani dhe fitorja e Trump-it në SHBA, që të dyja këto ngjarje reflektojnë një pakënaqësi të publikut me aspektet distributive. Dhe, rritja e mbështetjes ndaj populizmit, nacionalizmit dhe partive antievropiane mund të paraqesë një rrezik të madh si për Evropën në tërësi, e sidomos për vendet si Franca dhe Italia. Natyrisht, një alternativë thotë se Brexit, zgjidhja e Trump-it dhe rritja e populizmit dhe partive nacionale do të shërbejë si thirrje për t'u zgjuar duke e nxitur Evropën kah një integrim më i madh dhe kah politikat që do të çojnë te rritja ekonomike. Kjo do të kërkojë nga politikëbërësit evropianë që të heqin dorë nga pikëpamja se çdo vend është përgjegjës vetëm për gjendjen e vet e jo edhe për atë të përgjithshmen. Përkrahja e rregullave të BE-së nuk është më praktike, meqë sistemi aktual imponon tepër kufizime dhe pak mekanizma efektivë. Për të qenë të sigurt, reformat fiskale, strukturore dhe politike janë më se të nevojshme, por ato nuk do të mjaftojnë për të zgjidhur problemin e Evropës me rritje ekonomike. A do të ngjajë Evropa në të ardhmen në një tren të ngadalshëm, apo një gjeneratë e re e liderëve do të çojë kah një integrim më i thellë, gjë që do ta stimulojë rritjen? Kjo është vështirë që të dihet dhe unë nuk mund ta përjashtoj asnjërën mundësi. Një gjë duket e qartë: status quoja nuk është stabile dhe nuk mund të qëndrojë pakufi. Nëse nuk do të ketë një ndryshim të politikave dhe trajektores ekonomike, atëherë do të vijë deri te një krizë politike, sikur që ka ndodhur në SHBA dhe Britani.

(Michael Spence, laureat i 'Nobelit' në ekonomi, është profesor i ekonomisë në Nju-Jork) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)