Rezoluta e Kuvendit, pastaj konkluzioni qeveritar!

Rezoluta e Kuvendit, pastaj konkluzioni qeveritar!
  • 27 March 2017 - 08:02

SHKRUAN: PROF. DR. RIZA SMAKA 

Rezoluta e organit përfaqësues Rezoluta është akti i organit përfaqësues (Kuvendit, Asamblesë, Parlamentit), e cila e përmban karakterin si dhe elementet e vendimit politik. Çështjet aktuale të karakterit politik, pas debatimit të mirëfilltë në organin përfaqësues më të lartë, në procedurë të caktuar, vendosen politikisht me rezoluta. Ekzekutivi, në vijim, është i obliguar që, varësisht nga materia dhe natyra e temës së caktuar, me akt juridik adekuat, me vendim, aktvendim apo me konkluzion dhe me instrumente e mekanizma ekzekutive, për të implementuar rezolutën e organit përfaqësues. 

Vendimi, aktvendimi dhe aktgjykimi Vendimi është akti juridik, i cili nga organi administrativ ose gjyqësor i autorizuar miratohet në procedurë të caktuar. Në këtë kontekst, procedura kurdoherë duhet të jetë e përcaktuar me ligj të caktuar. Vendimi, si akt juridik i përgjithshëm apo individual, në procedurë dhe çështje juridike të caktuar, kryesisht, miratohet nga organi kolegjial i autorizuar, siç janë Kuvendi, Qeveria, organet kolegjiale të tyre të organizuara në formë të pleqë- sisë, komisionit, komitetit, këshillit, drejtorisë apo inspektoratit. Vendimi, zakonisht, në zbatimin e tij,aktvendimi, miratohet në procedurë juridike - civile, penale, administrative apo në procedurë ekonomike. Aktvendimi, në procedurën administrative, kryesisht, miratohet nga organi individual në vendosje meritore të çështjeve juridike - administrative. Në procedurën juridike - penale , çështjet juridike - penale trajtohen me vendime, aktgjykime, aktvendime si dhe me urdhëresa. Në procedurën juridike - civile, çështjet juridike - civile trajtohen me vendime në formë të aktgjykimeve dhe të aktvendimeve. Në procedurat juridike - administrative, çështjet juridike - administrative vendosen nëpërmjet aktvendimeve dhe konkluzioneve. Në formën e aktvendimit, organi i autorizuar, e vendos vetëm çështjen juridike - administrative që është lëndë e procedurës. Në procedurat juridike - administrative, me konkluzion, zakonisht, vendoset për çështjet të cilat u referohen procedurave, të cilat nuk vendosen me aktvendime, konsiderohen anësore nga lënda në procedurë, nuk vendosen me aktvendime, flakën ose refuzohen çështje që nuk kanë të bëjnë me lëndën në procedurë, lejohet apo nuk lejohet leqitja e palës në procedurën e caktuar si dhe kur konkludohet në saje të fakteve ekzistuese dhe të pakontestuara në procedurë!

Vendimi, aktvendimi dhe aktgjykimi, akte juridike formale, ndërsa konkluzioni akt juridik material Vendimi, varësisht nga dispozita juridike e caktuar, zakonisht,aplikohet nëpërmjet aktvendimit të miratuar nga organi individual përkatës në zbatim të të njëjtit, por, varësisht nga çështja juridike, mund të implementohet edhe drejtpërdrejt. Vendimi në zbatimin e tij, në procedurën administrative aktvendimi, përkatësisht, në procedurën gjyqësore aktgjykimi, është akt juridik formal, i cili konform me ligjin, në procedurë, mund të atakohet me mjet juridik të zakonshëm e vijimisht me mjet juridik të jashtëzakonshëm të caktuar. Vendimi, përkatësisht aktvendimi, sikundër edhe aktgjykimi, në procedurë juridike - administrative ose gjyqë- sore, vendosë çështje (juridike) administrative sikundër edhe çështje (juridike) gjyqësore të caktuar. Përfundimisht, me vendim përkatësisht aktvendim apo me aktgjykim, në procedurë ligjore të caktuar, vendoset çështja juridike- administrative apo çështja juridike - gjyqësore konkrete. Së andejmi, aktet juridike formale, konform me ligjin e aplikuar, në procedurë juridike të caktuar (administrative, civile, penale) me mjete juridike përkatëse, mund të atakohen dhe të kontestohen. 

Mënyrat dhe bazat e atakimeve të akteve juridike formale dhe të akteve juridike materiale Vendimet përkatësisht aktvendimet dhe aktgjykimet janë akte juridike formale, ngase vendosin përkatësisht gjykojnë çështje juridike në procedura ligjore të caktuara. Çështjet juridike mund të jenë civile, ekonomike, penale ose administrative. Procedurat ligjore caktohen me akte ligjore formale siç është Ligji (Kodi) për Procedurat e Përgjithshme Administrative, Ligji ( Kodi ) për Procedurën Penale, Ligji (Kodi) për Procedurën Civile etj. Vendimet, aktvendimet dhe aktgjykimet janë akte juridike - formale të sferave juridike përkatëse, të cilat konfom me aktet ligjore referuese mund të atakohen me mjete juridike të zakonshme (ankimi, kundërshtimi) si dhe me mjete juridike të jashtëzakonshme (kërkesa për mbrojtjen e ligjësisë, kërkesa për përsëritjen e procedurës, kërkesa për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit etj). Për dallim nga aktet juridike formale të sipërshënuara, konkluzionet janë akte juridike materiale dhe, zakonisht, nuk mund të atakohen me mjete juridike të sipërpërmendura. Përderisa nuk mund të atakohen me mjete juridike të caktuara ,aktet juridikemateriale mund të kontestohen në procedurë gjyqësore! 

Vendimi qeveritar për asetet shtetërore do të duhej të miratohej pas dhe në zbatim të rezolutës së Kuvendit Ditë më parë, Qeveria e vendit tonë, me vendim përkatësisht me akt administrativ formal, vendosi që asetet shtetërore të ish-shtetit federativ, eventualisht të ndonjë republike, përkatësisht shteti tjetër që deri në vitin 1992 ishte konstitutentë e ishshtetit federativ, çfarë ishte edhe Kosova, të cilat ndodhen në territorin e Kosovës, të trajtohen dhe konsiderohen prona të Republikës së Kosovës. Akti juridikadministrativ formal i tillë, edhe pse paarsyeshëm tejet i vonuar, në parim është i qëlluar,por është defektoz sikundër me procedurën e miratimit ashtu edhe me formën. Qeveria e Kosovës, sipas nenit 92 të Kushtetutës së RK-së, është organ kolegjial që ekskluzivisht e ushtron funksionin e ekzekutivit, pra jo edhe të legjislativit. Edhe pse me dispozitat e neneve 92 par. 4 dhe 93 par. 4 të Kushtetutës së RK-së Qeveria është e autorizuar për të miratuar vendime, megjithatë, të njëjtat nuk u referohen vendosjeve të çështjeve juridike - administrative as gjyqësore, por zbatimeve të akteve ligjore eventualisht të akteve nënligjore valide. Pra, Qeveria, si ekzekutiv i vendit, nuk ka autorizime për vendosje ad-hoc, të përgjithshme,të pakonkretizuara përkitazi me përkatësinë dhe natyrën juridike as me pronësinë e aseteve, në rastin konkret, të ish-shtetit federativ në kuadrin e të cilit, gjatë periudhës 1945 - 92, ishte edhe vendi ynë. Aq më pak,Qeveria, sikundër as cili do organ i administratës publike apo i judikaturës, pa procedim dhe pa juridiksion ligjor nuk mund të caktojë titullar pronësor! Aq më parë kur pronësia as prona, askund dhe asnjëherë me vendim qeveritar as të cilit do organ tjetër të administratës publike nuk mund të definohet përkrah përkatësia as natyra juridike. Madje, vendosja e tillë nuk mund të aplikohet as nga cila do gjykatë para se çështja të trajtohej dhe të gjykohej në procedurë ligjore të caktuar. Sikundër shteti, ashtu edhe individi është entitet natyral përkatësisht entitet legal,qe, në rrethana të caktuara, mund të jetë pronar i asetit apo aseteve të caktuara. Në rast të kontestimit të pronës së caktuar, entiteti natyral apo legal qe pretendon pronësinë, nuk praktikon as nuk ka autorizim të vendosë përkitazi me te, por mund të aplikojë argumentimin e bazës legale të pronësisë dhe atë, në procedurë ligjore përkatëse.

Përfundime Qeveria e RK-së, në rastin konkret, ishte dashur që Kuvendit të RK-së t'i propozonte të miratonte rezolutë,me të cilën,do të konkludohej se të gjitha asetet shtetërore të lokuara në territorin e vendit tonë, më parë të shtetit federativ eventualisht të ndonjë republike -shteti tjetër që ishte një nga konstituentët federative, çfarë ishte edhe Kosova, të disolucuara në vitin 1992, janë pronë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, Qeveria si ekzekutiv do të duhej që, jo me vendim, por me konkluzion konform me rezolutën e Legjislativit, të njëjtën, në procedurë dhe me instrumente e mekanizma të caktuara, ta ekzekutonte dhe zbatonte. Konkluzionin, si akt juridik material, të miratuar në zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të RK-së, në asnjë procedurë dhe me asnjë mjet juridik nuk do të mund ta atakonte cili do entitet natyral (person fizik) apo entitet legal( person juridik) i jashtëm as i brendshëm, për dallim të vendimit të përmendur të Qeverisë, i cili, është akt juridik formal! Ndryshe, menjëherë pas miratimit të vendimit në fjalë të Qeverisë së RK-së, Qeveria e Republikës së Serbisë, edhe pse arbitrarisht dhe e paautorizuar me çfarë do baze juridike, e ka 'nuluar' po atë akt vendim! Gjithsesi, çështjet kontestimore eventuale referuar aseteve shtetërore të sipërpërmendura, të cilat janë pronë e shtetit tonë, nuk mund të trajtoheshin nga Qeveria e Serbisë, por, në procedurë të suksesionit e, eventualisht, të arbitrazhit ndërkombëtar. 

(Kosova Sot)