Demokracia liberale, në zmbrapsje?

Demokracia liberale, në zmbrapsje?
  • 28 March 2017 - 09:28

Shkruan: Christopher R. Hill 

Amerika ndonjëherë ka importuar me zor demokracinë në vendet e tjera, apo edhe e ka dërguar atë në majë të bajonetës.

Katër vitet e ardhshme mund të mbahen mend si një përudhë e errët e formës së tij të qeverisjes. Por, demokracia liberale i ka mbijetuar rivalët e vet në të kaluarën dhe, me gjasë, do ta bëjë këtë përsëri.

Jemi vetëm në muajin e dytë të presidencës së Donald Trump-it, por shumë amerikanë tanimë janë lodhur nga drama dhe pyesin se çka do të sjellin 46 muajt e ardhshëm. Përpos që sjell një ankth të vazhdueshëm, presidenca bizare e Trump-it shtron një pyetje edhe më fundamentale: Pasi që është sulmuar në shumë seli të saj anekënd botës, a mund të thuhet se demokracia liberale tani rrezikon që ta humbë edhe kalanë e saj? Nëse po, atëherë pasojat për politikën e jashtme amerikane dhe për botën mund të jenë tepër të mëdha. SHBA-ja ka zgjedhur një president, i cili është evidente se e ka të kufizuar të kuptuarit e tij të demokracisë amerikane te fakti se ai fitoi nga vendimi i Kolegjit elektoral. Dorën në zemër, kjo kërkon pak njohuri të kushtetutës amerikane, aty ku përkufizohet Kolegji elektoral. Por, përtej kësaj, Trump nuk duket të ketë ndonjë respekt të madh për sistemin kushtetues të kontrolleve dhe balancave dhe për ndarjen e fuqive midis ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit. Ai po ashtu duket se nuk ka respekt ndaj "pushtetit të katërt" të Amerikës, shtypit, të cilin ai ka filluar që ta quajë "armik të popullit amerikan". Zgjedhjet, edhe pse të domosdoshme, zor se mjaftojnë për ruajtjen e parimeve themelore të demokracisë liberale. Fundja, presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti turk Recep Tayyip Erdo?an, si dhe shumë despotë të tjerë, kanë ardhur në pushtet me votën e popullit. 

Rritja e pakënaqësisë së vendeve të tjera Sikur që e di çdo nxënës në shkollë, zgjedhjet kërkojnë që çdo qytetar të tolerojë pikëpamjet që dallojnë nga ato të tijat. Zgjedhjet nuk kanë për qëllim tejkalimin, apo rrëzimin e institucioneve demokratike, apo ndarjen e pushteteve. Pa marrë parasysh se cili do të jetë rezultati përfundimtar i performancës së administratës së Trump-it, urdhrat ekzekutivë të saj, të lëshuar gjatë muajit të parë, zor se mund të shikohen si triumf i demokracisë liberale. Trump do të bëjë mirë ta studiojë kushtetutën dhe, pasi që t'ia nisë kësaj pune, ai do të bënte mirë sikur t'i lexonte edhe disa nga dokumentet themeluese të republikës. Ai mund të fillojë me Marrëveshjen 1620 Mayflower, e cila në mënyrë implicite njihte të drejtën e pakicave politike dhe sociale në njërën prej kolonive më të hershme religjioze në Amerikë. Por, Trump nuk është amerikani i vetëm, i cili duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të reflektuar rreth historisë së vendit të tij dhe rolit të tij në botë. Edhe pse maksima "America first" e administratës mund të duket e frikshme për veshët e huaj, ajo mund të jetë lehtësuese për të tjerët. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, më shumë se një çerek shekulli më parë, qëllimi primar i politikës së huaj amerikane ishte përhapja e demokracisë në botë. Por, në ndjekje të kësaj ambicieje të lartë, SHBA-ja ndonjëherë ka bërë mashtrime. Edhe pse mbështetja ndaj demokracisë do të dukej ta bënte Amerikën të ishte engjëll, politikat e saj shpesh janë implementuar me një masë arrogance, bile edhe zemërimi. Amerika ndonjëherë ka importuar me zor demokracinë në vendet e tjera, apo edhe e ka dërguar atë në majë të bajonetës. Ka shumë arsye pse demokracia liberale duket të jetë në zmbrapsje në tërë botën. Por, në mesin e tyre me gjasë është rritja e pakënaqësisë së vendeve të tjera dhe liderëve të tyre, të cilët janë lodhur së dëgjuari të akuzave, leksioneve dhe paralajmërimeve amerikane.

Rasti i Ballkanit Merreni shembullin e Irakut. Shumë vëzhgues perëndimorë ishin frymëzuar nga pamjet e gishtave të irakianëve, të ngjyer me ngjyrë (pas votimeve), në zgjedhjet e para të këtij vendi. Por, derisa zgjedhjet e lira shpesh janë një hap i parë rrugës për demokraci, periudha pas zgjedhjeve nuk ishte e qetë në Irak. Identitetet politike u bënë gjithnjë e më të karakterizuara nga sektarizmi, sesa nga çështjet substanciale, dhe shpejt u bë e qartë se institucionet demokratike dhe kultura e tolerancës, në të cilën ato mbështeten, nuk mund të futen me lehtësi në një shoqëri ku ato më parë kanë qenë të panjohura. Disa vjet më parë, bisedova me një lider të Ballkanit, i cili sapo kishte dëgjuar ligjëratën e një filantropi amerikan, rreth të gjitha mangësive demokratike të vendit të tij të ri. Derisa ai "e treste" dhembjen politike të shkaktuar nga ndjekja e këshillës pa pagesë të filantropit, më pyeti: "Çka duhet të bëj me këtë?" Ai kishte identifikuar një mangësi fundamentale në lëvizjen e promovimit të demokracisë: t'i thuash dikujt sesi të implementojë reformat demokratike, nuk është njësoj sikur kur merr rreziqet dhe përgjegjësitë e bërjes së asaj gjëje. Pa marrë parasysh skenën aktuale toksike politike të saj, SHBA-ja vazhdon që ta ketë njërën prej demokracive më të suksesshme në histori. Ajo ofron një model madhështor për vendet e tjera, por shembulli i saj nuk mund t'i imponohet pjesës tjetër të botës. T'u thuash njerëzve se shtetet e tyre duhet të jenë si Amerika, nuk paraqet strategji qëndruese. Demokracia liberale tanimë e kishte humbur balancën, demokracia tani e ka humbur qendrën e gravitacionit. Katër vitet e ardhshme mund të mbahen mend si një përudhë e errët e formës së tij të qeverisjes. Por, demokracia liberale i ka mbijetuar rivalët e vet në të kaluarën dhe, me gjasë, do ta bëjë këtë përsëri. Ata që kanë luftuar aq shumë dhe kanë bërë sakrifica të mëdha për të, do të përkujdesen që ajo ta bëjë një gjë të tillë. (Christopher R. Hill aktualisht është dekan i Shkollës Korbel të studimeve ndërkombëtare, të Universitetit të Denverit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për P ROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)