Një debat i vonuar gjerman rreth së ardhmes evropiane

Një debat i vonuar gjerman rreth së ardhmes evropiane
  • 29 March 2017 - 08:44

Shkruan: Marcel Fratzscher 

Rikthimi i Schulzit e tund dhe ndryshon dinamikën politike.

Pyetja qendrore tani është se a do t'ia dalin zërat proevropianë në të dy partitë më të mëdha, që të mbizotërojnë në debatin, të cilin e ka hapur ai. Përgjigjja varet nga disa faktorë, duke përfshirë edhe rezultatin e zgjedhjeve në Francë, negociatat rreth realizimit të Brexit-it dhe nga ajo sesi do të ndikojnë kërcënimet e bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump, a do ta shtyjnë ato Gjermaninë që të rreshtohet më afërt me fqinjët e saj evropianë.

Dalja e Martin Schulzit si kandidat për kancelar i socialdemokratëve të qendrës së majtë, e ka ndryshuar në mënyrë fundamentale dinamikën e politikës gjermane. Kjo po ashtu e ka ndryshuar debatin në Gjermani rreth pabarazisë dhe të ardhmes së Evropës në mënyra, të cilat do të kenë ndikim të rëndë- sishëm në tërë kontinentin. Gjermania konsiderohet si rrëfim i suksesit ekonomik. Papunësia është në nivelin më të ulët të saj që nga ribashkimi, në vitin 1990, bilanci pozitiv tregtar ka arritur një vlerë rekorde të lartë. Dhe, qeveria sapo ka regjistruar një bilanc pozitiv fiskal prej 24 miliardë dollarësh, ose 0.8% të produktit të GDP-së. Megjithatë, përkundër të gjitha lajmeve të mira ekonomike, anketat tregojnë se 70% e gjermanëve besojnë se pabarazia është tepër e madhe. Të dhënat tregojnë se Gjermania ka një shoqëri tepër të polarizuar, ku 40% të amvisërive më të varfra kanë të ardhura të njëjta, apo edhe më të vogla, se 25 vjet më parë. Edhe pse punësimi me orar të plotë ka shënuar rritje, rritje ka shënuar edhe punësimi me gjysmë orari. Numri i punëtorëve të varfër - atyre që punojnë por që fitojnë më pak se 60% të të ardhurave mesatare - është dyfishuar nga 4.8% sa ishte në vitin 2005, në 9.6% tani. 

Gjermania ka një ekonomi me dy shpejtësi Thënë shkurt, Gjermania ka një ekonomi me dy shpejtësi, me një hendek gjithnjë e më të gjerë midis eksportit të suksesshëm dhe sektorëve të tregtisë në njërën anë dhe të sektorëve jotregtarë, në anën tjetër. Nivelet e lëvizshmërisë sociale dhe mundësive të barabarta, po ashtu janë të ulëta. Për këtë shkak nuk habit fakti që ka filluar një debat i gjallë rreth efekteve të reformave "Agenda 2010" që derregullojnë sektorin e punës dhe reformojnë sigurimin social, të cilat filluan në vitin 2003 nga qeveria SPD e Gerhard Schröderit. Për ironi, kristiandemokratët e kancelares Angela Merkel e lavdërojnë "Agenda 2010" si sukses, derisa elementet e SPD-së e kritikojnë atë. Javën e kaluar, Schulz premtoi zgjatjen e përfitimeve të papunësisë dhe për zvogëlimin e numrit të vendeve të pasigurta të punës, nëse do të fitojë. Megjithatë, ky debat rreth meritave të "Agenda 2010" injoron sfidat, me të cilat ballafaqohet Gjermania. Vendi ka nevojë për investime serioze në një sistem më përfshirës edukativ dhe një riorganizim të politikave miqësore-familjare, të dizajnuar për krijimin e mundësive për femra dhe për grupet e tjera. Ajo po ashtu ka nevojë që të derregullojë sektorët e shërbimeve, me qëllim të nxitjes së investimeve, produktivitetit dhe të ardhurave, si dhe për forcimin e marrëveshjeve angazhuese kolektive.

 

Raportet me BE-në Në ndërkohë, CDU-ja ka filluar që ta sulmojë Schulzin për pozicionet e tij rreth BE-së dhe Eurozonës, sidomos angazhimit të tij rreth "euro-bonove" si mënyrë të lehtësimit të krizës së borxheve në zonën e valutës së përbashkët. Një debat në Gjermani rreth të ardhmes së Evropës dhe rolit të Gjermanisë në Evropë, nuk do mend se është vonuar. Evropa nuk ishte çështje në zgjedhjet federale gjermane të vitit 2013, kryesisht për shkak se CDU dhe SPD kishin frikë se diskutimi i kësaj teme, do të shkonte në favor të djathtistëve, partisë euroskeptike Alternativa për Gjermaninë. Ka rreziqe edhe për pjesën tjetër të Evropës. Derisa Gjermania tradicionalisht ka qenë fuqishëm pro evropiane, gjatë viteve të fundit, shumë zyrtarë të partive qeverisëse kanë kritikuar politikat që ndiqen nga shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe nga institucionet evropiane, duke përfshirë edhe politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane. Kthimi i Schulzit nuk do mend se i ka tundur ujërat në politikën e brendshme të Gjermanisë. Pyetja qendrore tani është se a do t'ia dalin zërat pro evropiane në të dy partitë më të mëdha, që të mbizotërojnë në debatin të cilin e ka hapur ai. Përgjigjja varet nga disa faktorë, duke përfshirë edhe rezultatin e zgjedhjeve në Francë, negociatat rreth realizimit të Brexit-it dhe nga ajo sesi do të ndikojnë kërcënimet e bëra nga presidenti amerikan Donald Trump, a do ta shtyjnë ato Gjermaninë që të rreshtohet më afërt me fqinjët e saj evropianë. (Autori është president i grupit të ekspertëve "DIW Berlin")

(Kosova Sot)