Pse Berlini nuk do t'ia lejojë Theresa May-it një Brexit të lehtë?

Pse Berlini nuk do t'ia lejojë Theresa May-it një Brexit të lehtë?
  • 28 April 2017 - 08:35

Shkruan: Christian Odendahl
A ta në Britani që shpresojnë për një qëndrim të butë të BE-së gjatë negociatave të ardhshme, herët apo vonë përmendin prodhuesin e automobilave BMW, njërin prej eksportuesve më të mëdhenj të Gjermanisë. Është e sigurt që BMW-ja do të donte të vazhdonte me eksportin e veturave të tij pa pengesa dhe do ta përdorë ndikimin e vet të konsiderueshëm politik, bashkë me atë të tërë industrisë automobilistike, për të ndikuar te Angela Merkel për miratimin e një qëndrimi të përshtatshëm?
Rreziqet e tjetërsimit të Britanisë
Në fund të fundit, pse Gjermania duhet të jetë tepër e emocionuar apo tepër politike rreth Brexitit, duke ndjekur një strategji të vetëlëndimit? Gjermania, ndikimi i së cilës në botë është falë fuqisë së saj ekonomike, në fund do të lejojë që ekonomia ta mundë politikën, apo jo? Mund të dëgjohen edhe argumente të ngjashme rreth interesave gjermane të sigurisë. Ajo mund të jetë vendi më i fuqishëm në Evropë, në aspektin ekonomik, por nuk është ndonjë fuqi e madhe ushtarake, apo diplomatike, sikur që është Britania. Pas zgjedhjes së Donald Trump-it në SHBA, si dhe i ballafaquar me qeveritë autoritare në fqinjësinë evropiane, Berlini varet nga Britania, si partnere. A nuk do të shqetësohej Gjermania nga rreziqet e tjetërsimit të Britanisë, me anë të një Brexiti të vështirë? Pikëpamjet e tilla rreth qëndrimit të Gjermanisë në bisedimet e ardhshme rreth Brexitit janë të gabueshme, për tri arsye. Së pari, për asnjë vend evropian Projekti evropian nuk ka rëndësi më të madhe sesa për Gjermaninë. Integrimi evropian është, për pjesën më të madhe të gjermanëve, një projekt politik i gjatë disa dekada, i cili është bërë pjesë përbërëse e ADN-së së vendit. Politikanët kryesorë, duke përfshirë Merkelin dhe sfiduesin e saj kryesor, Martin Schulz, pranojnë në tërësi rëndësinë e integrimit evropian dhe të bashkëpunimit për interesat kombëtare të Gjermanisë dhe janë mbështetës të zjarrtë të BEsë. Së dyti, ekonomia e Gjermanisë është thellësisht e lidhur me atë të Britanisë. Përkundër bindjeve të përhapura, vendi me bilancin më të madh pozitiv tregtar, nuk është doemos fituesi. Kompanitë e eksportit dhe punëtorët e tyre do të dëmtohen nëse tregtia do të jetë më pak e lirë. Gjermania dhe Britania përafërsisht eksportojnë 2% të asaj që punëtorët dhe kompanitë vendore kanë prodhuar për njëra-tjetrën, duke u bërë në mënyrë të barabartë të varura nga njëra-tjetra. 
Gjermania nuk varet shumë nga Britania
Eksportuesit nuk janë të vetmit që do të dëmtohen. Konsumatorët, fituesit kryesorë të tregtisë, do të goditen nga ngritja e çmimeve, aq më shumë sesa që vendi të varet nga importet. Kur rrezikohen interesat kryesore kombëtare të Gjermanisë, atëherë interesat e bizneseve kalojnë në ulësen e pasme, sikur që ndodhi gjatë krizës në Ukrainë, kur Gjermania angazhohej për vënien e sanksioneve për Rusinë, sanksione këto që dëmtonin edhe bizneset e Gjermaninë. Por, në rastin e Brexitit, interesat tregtare kryesisht janë të rreshtuara me politikën: bizneset gjermane janë tërësisht të rrjetëzuar në BE, në një zinxhir furnizues dhe varen nga Evropa dhe pjesa tjetër e botës, për eksportet e tyre. Ato kanë një interes më të fortë në ruajtjen e tregut të përbashkët evropian dhe ndikimit të tij në negociatat tregtare botërore, sesa që kanë në qasjen pa tarifa në tregun britanik. Së treti, rrezikuesit dhe injoruesit e Brexitit e rrezikojnë BE-në në një kohë të krizës së brendshme, apo të jashtme. Për Gjermaninë, Brexiti është vandalizëm gjeopolitik. Çdo tentim i Britanisë që ta përdorë kontributin e saj në fushën e sigurisë si çip pazarllëqesh, nga Berlini do të shihet si një rrezik i mëtejmë i interesave esenciale nacionale të saj (sigurisë evropiane) duke humbur vullnetin e mirë për negociata me Theresa May-in. Brexiti po ashtu në Berlin shihet edhe si një akt i vetëlëndimit gjeopolitik, pa marrë parasysh fitoren e Trumpit, Britania është bërë më pak e ndikueshme dhe efektive, si rrjedhim është bërë më pak atraktive si partner. Por, kur të analizohen gjërat, del se Gjermania nuk varet më shumë nga Britania, sesa që Britania varet nga Gjermania. Çdo qëndrim i tillë paraqet bazë të dobët për negociata. Kohezioni, uniteti dhe stabiliteti i BE-së kanë më shumë rëndësi për Gjermaninë, sesa çdo gjë që mund t'ia ofrojë Britania. Sa më parë që këtë ta kuptojnë Brexitersat, aq më shumë ka gjasa për arritjen e një kompromisi në negociatat për realizimin e Brexitit.  
 

(Kosova Sot)