Deklaratat e Hashim Thaçit e prishin imazhin e Kosovës

Deklaratat e Hashim Thaçit e prishin imazhin e Kosovës
  • 29 April 2017 - 08:28

Shkruan:Reshat Sahitaj 

Deklaratat pompoze për bashkimin kombëtar

Sikur Kosova të kishte forcën e SHBA-së ose të Rusisë, atëherë jo vetëm që do t'i kishim bashkuar pjesët tona të okupuara, por edhe vende të tjera që na rrethojnë. Duke u nisur nga fakti se ne nuk e kemi një forcë të tillë, është e domosdoshme që të përqendrohemi në zhvillimin ekonomik, kulturor, diplomatik të shtetit tonë, në mënyrë që në forma evolutive të arrijmë së pari bashkimin shpirtëror dhe ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare

Deklaratat, qëndrimet, veprimet dhe sjelljet e personaliteteve shqiptare janë të papërgjegjshme për postin që e kanë, madje disa i kalojnë kompetencat e përcaktuara me Kushtetutë. Personalitetet tona politike pozitë-opozitë jo vetëm përmes deklaratave, por edhe me sjelljet e tyre nuk tregojnë se kanë kulturë diplomatike. Prononcimet në medie si dhe qëndrimet e tyre gjatë takimeve me personalitete të huaja lënë përshtypje sikur Kosova të ishte superfuqi botërore.

Thaçi me deklarata të rrezikshme 

Secili shqiptar e ka në shpirt bashkimin e trojeve tona të copë- tuara në disa shtete, përveç bashkëpunëtorëve të Serbisë. Mirëpo, aktualisht kushtet për krijimin e një shteti shqiptar që i bashkon të gjitha copat e atdheut ende nuk janë të kompletuara. Sikur Kosova të kishte forcën e SHBA-së ose të Rusisë, atëherë jo vetëm që do t'i kishim bashkuar pjesët tona të okupuara, por edhe vende të tjera që na rrethojnë. Duke u nisur nga fakti se ne nuk e kemi një forcë të tillë, është e domosdoshme që të përqendrohemi në zhvillimin ekonomik, kulturor, diplomatik… të shtetit tonë, në mënyrë që në forma evolutive të arrijmë së pari te bashkimi shpirtëror dhe ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare. Nga tensionimi i situatës së brendshme dhe rrezikimi i humbjes së pushtetit në Shqipëri, Edi Rama tentoi ta frikësonte Evropën me bashkimin e shqiptarëve. Qëllimi i Edi Ramës nuk ishte bashkimi, por t'ia impononte Bashkimit Evropian të bënin trusni te Sali Berisha. Në anën tjetër, Hashim Thaçi, duke u nxënë ngushtë nga dështimi për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, iu bashkëngjit deklaratave të Edi Ramës, në mënyrë që të fitonte kredibilitetin tanimë të zbehur në popull. Dy liderët tanë, Rama dhe Thaçi, lëshuan kërcënime për ta detyruar Evropën të bënte lëshime ndaj kritereve që duhet plotësuar çdo shtet për të qenë pjesë e familjes evropiane. Disa analistë kosovarë e disa medie serbe, deklaratën e Hashim Thaçit e interpretojnë si ndikim i Turqisë e veçanërisht i Erdoganit që ka qëllime për kolonializimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës. Kontaktet e ngushta me Erdoganin dhe investimet e shumta turke në Kosovë, lënë për të dyshuar se Hashim Thaçi dhe Edi Rama iu kërcënuan Evropës që ta përkrahnin Erdoganin i cili pak ditë më herët kishte përdorur fjalor kërcënues kundër Gjermanisë, Holandës e në tërësi kundër BE-së. Dy liderët tanë iu bënë argatë vullnetarë Turqisë, pa logjikuar se po i dëmtonin seriozisht interesat e shteteve tona. Turqia e Erdoganit ka mundësi praktike ta kundërshtojë Unionin Evropian duke u bazuar në forcën e tyre ushtarake dhe në rëndësinë gjeostrategjike. Madje, Turqia me dekada të tëra është duke bërë përpjekje të bëhet pjesë e familjes evropiane, mirëpo si mundet të pretendojnë që i plotësojnë kriteret kur minoriteti shqiptar (dy deri tre milionë shqiptarë) jo vetëm që nuk guxojnë t'i thonë vetës shqiptarë, por ua ndërrojnë edhe emrat, pa i cekur edhe lirinë e shprehjes së lirë etj. 

Çka fiton Kosova, nëse presidenti ynë i kërcënohet Evropës?

Hashim Thaçi e di shumë mirë çështja e bashkimit kombëtar, aktualisht është vetëm një iluzion që duhet ende shumë punë e shumë vite për t'u konkretizuar. Presidenti ynë e di shumë mirë që bashkimi është i dëshirueshëm, por i papranueshëm në kushtet tona. Kryetari i shtetit tonë e di shumë mirë që një deklaratë e tillë ngjallë reagime në bashkësinë ndërkombëtare të cilët po investojnë në të gjitha format në stabilizimin e Ballkanit e t'i shuajnë apetitet klasike të Shqipërisë së Madhe, Bullgarisë apo Serbisë së Madhe. SHBA dhe Unioni Evropian janë duke bërë çdo gjë që gjendja në Evropë të jetë stabile dhe një paqe të qëndrueshme për shumë dekada të ardhshme. Hashim Thaçi e di shumë mirë që deklaratën e tij, Serbia do ta përdorë si pretekst se populli shqiptar është luftënxitës dhe si kundërpërgjigje ata do kërkojnë po ashtu bashkimin e Republika Serpskës, "Zajednicës" në Kosovës, të serbëve në Mal të Zi dhe Maqedoni. Një bashkim i serbëve natyrisht me përkrahjen pa asnjë rezervë nga ana e Rusisë, është më i rrezikshëm sesa bashkimi i shqiptarëve pa asnjë aleat të asnjë superfuqie. SHBA nuk është aspak e interesuar që për qejfe të Hashim Thaçit të fillojnë luftën e tretë Botërore. Titujt në disa gazeta e portale se po frikë- sohet Vuçiqi, po frikësohet Serbia nga shqiptarët janë qesharakë dhe aspak seriozë. Pse të frikësohet Serbia kur pas tyre e kanë Rusinë, e cila tanimë nuk është ajo e vitit 1999. Këto dy vitet e fundit, Rusia është ajo e cila po provokon nxitjen e luftës së tretë, jo vetëm në Krime duke e aneksuar, por në Siri, në Ballkan, madje pa asnjë autorizim po dërgon aeroplanët luftarakë me pilotë e pa pilotë mbi hapësirën e vendeve perëndimore. SHBA dhe Unioni Evropian janë duke i analizuar këto veprimet agresive ruse, dhe nuk janë të rralla fjalimet shqetësuese të personaliteteve të NATO-s mbi provokimet e ndryshme ruse. Bota perëndimore nuk është duke shkuar nga nxitja e luftërave, por shuarja e tyre dhe gjetja e një paqe stabile e veçanërisht në Ballkan. Andaj, deklaratat e Hashim Thaçit janë të rrezikshme jo nga fakti se ne i kemi përfunduar të gjitha formalitetet e bashkimit dhe tash mund t'ia fillojmë edhe luftës, por këto i shërbejnë Serbisë si pretekst. Kjo tregon mospjekurinë politike të Hashim Thaçit, i cili duke deklaruar ashtu mendon se po fol më kundërshtarët politikë. Duke mos u kënaqur me reagimet që edhe SHBA ia drejtoi deklaratës së Presidentit tonë, ky shkruan kundër Komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn: " …. Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën. Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t'ia dijë fare ". Reagimi i Thaçit në këtë mënyrë nuk përputhet me realitetin, sepse BE-ja ishte aleate kryesore e SHBA-së për t'i bombarduar caqet ushtarake serbe si dhe pas luftës BE-ja ndihmoi Kosovën më miliarda, të cilat një pjesë u përdor për zhvillimin ekonomik e pjesa tjetër u keqpërdor nga vetë ata që e kritikojnë Evropën. Nga kjo nuk duhet të nënkuptohet shqiptarët të jenë servilë, por se pakut mirënjohës, po ashtu nuk duhet të mendoni se nuk jam për bashkimin e trojeve tona, por këtë nuk mund ta bëjë kjo garniturë politike e Kosovës e as e Shqipërisë. Si mendon Hashimi të bëjë bashkimin kombëtar, kur Kosovën e ka ndarë me "Zajednicë" ? Si mendon ta bëjë bashkimin kombëtar kur Mitrovica Veriore de fakto është e ndarë. Ne nuk jemi në gjendje të bashkojmë Mitrovicën, që e kemi në derë shtëpisë, e kërkojmë bashkim kombë- tar?! Kjo garniturë politike me dëshirë ka krijuar "Zajednicën", e tash kërkojnë bashkim?! A mendoni se BE-ja nuk ka njohuri për gjendjen e krijuar nga vetë qeveritarët tanë, se populli nuk ka faj. Duke menduar se po krijohet Shqipëria Etnike, e Jonuz Musliu si kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve po mbetet mbrapa, u solidarizua me Thaçin dhe Edi Ramën. Deklarata e Jonuz Musliut ia forcoi mendjen Serbisë se shqiptarët janë luftënxitësit e Ballkanit. Jonuz Musliu që i ka njëqind probleme të gjendjes së shqiptarëve të pazgjidhura po do për ta drejtuar botën, se pak po i duken zbatimin e kërkesave të elektoratit të tij. 

Hashim Thaçi pa këshilltarë

Kam bindje se Hashim Thaçi nuk këshillohet me këshilltarët e tij, për asgjë, ose me ata këshillohet vetëm sa për t'i pyetur në cilin restorant do të shkojnë, apo me përgatitjen teknike të makinave dhe përcjelljes nga eskorta. Dytre këshilltarë të presidentit i njoh mirë dhe kam respekt të konsiderueshëm për këta se janë të aftë për të menaxhuar dhe për të këshilluar shefin e tyre. Mendoj se po t'i kishte pyetur Hashimi këta dy këshilltarët, nuk do të kishte lëshuar deklarata absurde e nuk do kishte rënë në këtë gjendje që është sot. Mirëpo, presidenti i ynë, e quan nënçmim të veprojë sipas këshillave, ngase, sipas tij, presidenti di më shumë se ata e se krejt intelektualët e Kosovës, përndryshe nuk do ishte president, mendon ai në vete. Mendoj se nga gabimet e deritashme, Hashim Thaçi duhet të ketë mësuar se këshilltarët dhe opinionet e ndryshme edhe më kritike ndaj tij, nuk janë kundër tij, por janë për nderimin e shtetit të Kosovës. Gjatë luftës janë të tjera vendime dhe diskutime, ndërsa në kohën e paqes janë të tjera. Kjo është arsyeja që në SHBA dhe vende të tjera, luftëtarëve, komandantëve dhe gjeneralëve u ndalohet të jenë ministër i Mbrojtjes. 

(Kosova Sot)