Putinizmi dhe Erdoganizmi i 'Vetëvendosjes'!

Putinizmi dhe Erdoganizmi i 'Vetëvendosjes'!
  • 29 April 2017 - 14:08

Shkruan: Xhevat Sefaj

Braktisja e konceptit themelues

"Gjysma e së keqes në botë vjen si pasojë e njerëzve që dëshirojnë të jenë të rëndësishëm. Ata nuk duan të bëjnë keq me qëllim, mirëpo e keqja që e bëjnë nuk u intereson. Ose ndoshta edhe nuk e shohin atë, ose ndoshta e justifikojnë atë, sepse ata janë të gëlltitur nga lufta e pafund e të menduarit mirë vetëm për vete" Tomas S. Eliot

Në zgjedhjet e brendshme të muajve maj-korrik të vitit 2016, definitivisht u braktis Lëvizja dhe koncepti i saj,kështu që rezultoi së një klan është mbi Lëvizjen Vetëvendosje. Tani në Lëvizje më nuk mbretëron arsyeja, por vetëm kaosi dhe anarkia, sepse në Lëvizje tashmë secili ka të drejtë për gjithç- ka dhe njëherit nuk ka të drejtë për asgjë, çdo gjë është e ndërtuar artificialisht dhe në marrëdhënie mosbesimi. Tani më në Vetëvendosje nuk ka parime, nuk ka mekanizma kontrolli as llogaridhënie, ky për mua është një kali i Trojës ndaj Lëvizjes dhe frymës së saj.

Putini pasi mbaroi dy mandate kushtetuese si presidentë i Rusisë, ndryshoi kushtetutën për t'i vazhduar vetës edhe dy mandate të tjera. Po ashtu në Turqi Erdogani pasi i mbaroi mandati kushtetues si kryeministër i Turqisë, bëri ndryshime kushtetuese, duke e shndërruar Turqinë nga një sistem parlamentar në sistem gjysmëpresidencial për t'i vazhduar vetës edhe dy mandate si president, megjithatë ai nuk u ndal me kaq, në referendumin që u mbajt gjatë këtij muaji, Erdogani e shndrroi Turqinë moderne e laike të Kemal Ataturk-ut nga një shtet demokratik në një shtet autokratik. Friedrch Nietzsche thoshte: "Mënyra më e pabesë për ta dëmtuar një kauzë është mbrojtja e qëllimshme e saj me argumente të gabuara". Kështu lëvizja 'Vetëvendosje' në fillim sa ishte nën organizimin statutor ishte relativisht demokratike, ishte pothuajse një model në Kosovë për nga mënyra e organizimit, vendimmarrja ishte demokratike, nën organogramin e statutit ishin të ndara shumë qartë tri nivelet e organizimit, kishte demokraci të brendshme dhe meritokraci, kishte barazi në mesin e aktivistëve, Lëvizja si subjekt politik me dokumentet e saja themeluese ishin mbi secilin aktivist, unë kisha një bindje ideale se pozita më e madhe që mund të kishe në Lëvizje ishte të ishe aktivist, kjo më mjaftonte, ndihesha shpirtërisht i tillë.

Lidhja klienteliste

Aktivizmi vullnetar për Lëvizjen e shenjtë ishte një mekanizëm shumë parimor që bënte një lidhje organike të aktivistit me subjektin, pra kisha një bindje se ne kemi krijuar një lidhje organike aktivistë-parti, lidhje jo klienteliste, çfarë i dominon partitë tjera në Kosovë. Kishte meritokraci nuk mund të kandidonte çdo person në pozita të caktuara p.sh. kandidat për deputet, kandidat për kryetar të qendrës, kandidat për kryetar komune duhej të kishe së paku dy vite aktivitet ne Lëvizje, mirë që ishte kështu, dhe kështu do të duhej të ishte ende. Kishte ende kritere parimore njerëzit e kompromituar, të korruptuar, njerëzit që kanë qenë të përfshirë në vendime të dëmshme si pjesë e institucioneve të Kosovës nuk mund të ishin pjesë e strukturave të Lëvizjes. Megjithatë edhe ne, si shqiptarë jetojmë në Ballkan dhe vuajmë nga ego dhe bajraktarizmi, themeluesit e Lëvizjes duke menduar për vete, Lëvizjen që ishte mbi të gjithë aktivistët, e ulën poshtë dhe veten e ngritën lartë mbi Lëvizjen, sa më shumë që rritej Lëvizja aq më pak parimore, demokratike, meritokratike ishte ajo. Pra, filloi Putinizmi dhe Erdoganizmi i Lëvizjes, krijimi i mekanizmave të tkurrjes së vendimmarrjes demokratike nga këshilli i përgjithshëm si organi më i lartë vendimmarrës, filloi rritja e autoritarizmit dhe delegimi i kompetencave të një klan i pak njerëzve në kryesi të Lëvizjes, filloi kontrolli i Lëvizjes nga ata që hipën mbi Lëvizjen, sepse ata ishin themeluesit. Pra, rritja e elementit autokratik në kurriz të elementit demokratik. Tani s'ka parime, s'ka demokraci, s'ka meritokraci, tani s'ka rëndësi a je i korruptuar, i kompromituar a ke marr vendime të dëmshme për Kosovën, tani nëse dje ke qenë deputet apo ministër, kryetar komune ne PDK, AAK apo në ndonjë parti tjetër, sot ke të drejtë të konkurrosh në Lëvizje në çdo pozitë. P.sh. kur unë së bashku me shumë aktivistë, u përgjaka dhe e theva ashtin e hundës, sepse protestonim para parlamentit që deputetët mos ta votonin shitjen e distribucionit të KEK-ut në tetor 2012-s, koalicioni PDK-AKR dhe AAK-ja nga opozita në emër të ekonomisë së tregut të lirë e votuan shitjen e një gjiganti ekonomik për vetëm 26 milionë euro, e sot deputetja Donika Kadaj, e cila e kishte votuar shitjen e distribucionit të KEK-ut është deputete e 'Vetëvendosjes' dhe na shet moral politik.

Makiavelizmi i vetëvendosjes - 'Vetëvendosja' si një kali i Trojës!

Sipas makiavellizmit, qëllimi e arsyeton mjetin, politika është amorale dhe morali është apolitik, kështu të paktën përkufizohet makiavellizmi. Kur nuk kishte makiavelizëm në Lëvizje, kur kishte parime, Lëvizja kishte krijuar mekanizma model për partitë tjera, më kujtohet në një emision në TV sa me mburrje e thoshte Glauk Konjufca "në Lëvizja e kemi kriju një mekanizëm kontrolli të qeverisë të udhëhequr nga Lëvizja, se si ajo nuk mund të korruptohet, në Lëvizje nuk mund t'i kesh dy pozita edhe në kryesi edhe ne ekzekutiv në qeveri", zaten kështu ishte, nga 2011-ta deri në 2016-n. Në zgjedhjet parlamentare të 2010-s, 12 deputetët e Lëvizjes nuk ishin në kryesi në përjashtim bënte kryetari i Lëvizjes dhe shefi i grupit parlamentar, i cili në momentin që zgjidhej shef i grupit parlamentar me automatizëm zgjidhej anëtar i kryesisë, sepse thuhej se ai duhet ta njoftojë kryesinë e Lëvizjes me punën e grupit parlamentar. Në zgjedhjet lokale kur Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar i Prishtinës, dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të parë në Lëvizje, po ashtu Dardan Sejdiu u emërua nënkryetar i Komunës së Prishtinës, dha dorëheqje pozita si anëtar i kryesisë në Lëvizje, deputeti Liburn Aliu e dorëzoi mandatin e deputetit në momentin qe u emërua drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, e njëjta gjë ndodhi edhe me dy anëtarët e tjerë të Kryesisë , Xhelal Sfeçla dhe Hysen Durmishi, në momentin që u emëruan drejtorë në ekzekutivin e Komunës së Prishtinës i liruan pozitat e tyre në kryesi. Zaten kështu u veprua edhe ne zgjedhjet parlamentare të 2014-s të gjithë anëtarët e kryesisë së Lëvizjes që u zgjodhën deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës i liruan pozitat e tyre nga kryesia, ketë e bëri edhe Albin Kurti kur e mbaroi mandatin si kryetar i Lëvizjes, ishte vetëm deputetë e jo në kryesi të Lëvizjes.Në zgjedhjet e brendshme të muajve maj-korrik të vitit 2016, definitivisht u braktis Lëvizja dhe koncepti i saj,kështu që rezultoi së një klan është mbi Lëvizjen Vetëvendosje. Tani në Lëvizje më nuk mbretëron arsyeja, por vetëm kaosi dhe anarkia, sepse në Lëvizje tashmë secili ka të drejtë për gjithçka dhe njëherit nuk ka të drejtë për asgjë, çdo gjë është e ndërtuar artificialisht dhe në marrëdhënie mosbesimi. Tani më në Vetëvendosje nuk ka parime, nuk ka mekanizma kontrolli as llogaridhënie, ky për mua është një kali i Trojës ndaj Lëvizjes dhe frymës së saj. Nga tani je edhe ekzekutiv edhe kryesi në të njëjtën kohë, je edhe deputetë edhe në kryesi në të njëjtën kohë, udhëheq ekzekutivin, Qeverinë edhe i jep llogari vetes për punën që e bënë në kryesi të Lëvizjes. Je deputet, por edhe e njofton veten, i jep llogari vetes në kryesi për punën që e bën në parlament, kurse aktivistët janë spektatorë të shfaqjes teatrale që ju e bëni para tyre. Visar Ymeri, pavarësisht se është deputet është edhe kryetar, në rregull që është në kryesi, Glauk Konjufca është shef i grupit parlamentar, në rregull që është në kryesi, sepse e njofton kryesinë me punën e deputetëve të Lëvizjes dhe mund të marrë këshilla për qëndrimet që duhet të mbajnë deputetët për tema të caktuara, po VIP-at deputetë si Albin Kurti, Donika Kadaj dhe Rexhep Selimi çfarë kërkojnë në kryesi? po Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu që janë pjesë e ekzekutivit, qeverisë së 'Vetëvendosjes' në Komunën e Prishtinës çfarë kërkojnë në kryesi?, po Xhelal Sfeçla që dha dorëheqje si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, pas humbjes së jetëve të dy fëmijëve, çfarë kërkon në kryesi? Ky është standardi që ju keni vendosur, dorëheqje si përgjegjësi morale...! E largoni nga një pozitë më e ulët duke i dhënë një pozitë me fuqi politike më të lartë...! Njerëzit si Xhelal Sfeçla të papërgjegjshëm nuk kanë çka kërkojnë në politik, ai duhet t'i kthehet profesionit të tij prej stomatologu dhe s'ka çka i duhet më politikës, kështu vendoset standardi në politikë.

(Kosova Sot)