Inteligjenca artificiale dhe problemet artificiale - Opinione - Kosova Sot
Inteligjenca artificiale dhe problemet artificiale

Inteligjenca artificiale dhe problemet artificiale

Shkruan: J. Bradford DeLong 

NDIKIMI I TEKNOLOGJISË NË VENDET E PUNËS

Punëtorët duhet të edukohen dhe trajnohen që të përdorin mjete gjithnjë e më të komplikuara teknologjike

Duke i rënë alarmit se "inteligjenca artificiale është duke i lënë amerikanët pa punë", ne nuk bëjmë asgjë për zgjidhjen e këtij problemi. Mnuchin ka të drejtë -ngritja e robotëve nuk duhet të jetë në radarin e sekretarit të Thesarit

Ish-sekretari amerikan i Thesarit, Larry Summers, tash vonë shprehu kundërshtimin e tij ndaj pikëpamjeve të sekretarit aktual të Thesarit, Steve Mnuchin, rreth "inteligjencës artificiale" (AI) dhe temave të ngjashme. dallimi midis atyre dyve, në rend të parë, duket të jetë çështje e prioriteteve. Mnuchin ka një pikëpamje të ngushtë. Ai mendon se problemi i ndonjë teknologjie të veçantë që ka të bëjë me "marrjen e vendeve të punës nga ana e inteligjencës artificiale", i takon "një të ardhmeje të largët". Dhe, ai vë në pyetje vlerat e larta të "njëbrirëshve" - kompanive të vlerësuara me, apo mbi vlerën 1 miliard dollarë, të cilat nuk kanë sjellë asnjë fitim të tillë, i cili do ta arsyetonte vlerën e tyre të supozuar. Summers ka një pikëpamje më të gjerë. Ai e shqyrton "ndikimin e teknologjisë në vendet e punës" në një perspektivë më të gjerë dhe mendon se vlera e tregjeve të aksioneve për kompanitë tepër fitimprurëse teknologjike, sikur 'Google' dhe 'Apple' janë më se të drejta.

Ndikimi i teknologjisë së informacionit në punësim

Mendoj se Summers ka të drejtë rreth 'optikës' së deklaratave të Mnuchinit. Një sekretar amerikan i Thesarit nuk duhet të japë përgjigje të ngushta në pyetjet e shtruara, meqë njerëzit do të nxjerrin konkludime të gjera edhe nga përgjigjet e kufizuara. Ndikimi i teknologjisë së informacionit në punësim nuk ka dyshim se është një çështje madhore, por nuk është në interes të shoqërisë që të dekurajohen investimet në kompanitë e teknologjisë së lartë. Në anën tjetër, unë kam simpati ndaj përpjekjeve të Mnuchinit për t'ua tërhequr vërejtjen jo ekspertëve nga investimet rutinore në "kështjellat në qiell". Edhe pse teknologjitë e mëdha janë të vlefshme që të investohet në to, nga një pikëpamje sociale, nuk është lehtë për një kompani që të arrijë një përfitim të qëndrueshëm. Mund të supozohet që një sekretar Thesari tanimë ka mjaft informata, që të shqetësohet rreth "kryengritjes së makinave". Në fakt, nuk është aspak produktive që të ushqehet frika nga robotët dhe që kjo çështje të kufizohet si "inteligjenca artificiale ua merr amerikanëve vendet e punës". Ekzistojnë fusha shumë më konstruktive që politikëbërësit ta orientojnë përqendrimin e tyre. Nëse qeveria është duke e përmbushur në mënyrë adekuate obligimin e saj për ta parandaluar një depresion të shkaktuar nga rënia e kërkesave, atëherë përparimi teknologjik në një ekonomi të tregut nuk ka nevojë për punëtorë të paspecializuar. Kjo është sidomos e vërtetë kur vlera llogaritet nga puna e duarve njerëzore, apo nga puna e gjërave, të cilat janë bërë nga duart njerëzore, sesa nga lëndët e mangëta të para, sikur në Mesjetë. Karl Marx ishte njëri ndër teoricienët më të mençur dhe të përkushtuar të kësaj teme. Inovacionet teknologjike bëjnë më të dobishme gjërat që prodhohen nga makinat, edhe pse me një kontribut më të vogël nga fuqia e paspecializuar punëtore. Por, kjo vetvetiu nuk e varfëron askënd. Për ta bërë një gjë të tillë, përparimet teknologjike duhet që, çdo gjë të prodhuar, ta bëjnë më pak të vlefshme çdo gjë të bërë nga punëtorët e pakualifikuar. Por, kjo rrallë ndodhë kështu, meqë nuk ka asgjë që i pengon makinat relativisht të lira, që përdoren nga punëtorët e pakualifikuar, që të bëhen më të fuqishme. Me mjete më të përparuara, këta punëtorë më pas mund të prodhojnë gjëra më të dobishme. Shikuar në aspektin historik, ka pak raste në të cilat progresi teknologjik ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në varfërimin e punëtorëve të pakualifikuar. Në këto instanca, makinat shkaktuan në rënien e shpejtë të vlerës së një malli, të prodhuar në një sektor intensiv të punës, duke rritur prodhimin e atij malli aq shumë, saqë të kënaqen të gjithë konsumatorët potencialë. 

Ekonomia jonë e tregut duhet të promovojë qëllimet sociale

Një shembull tipik i këtij fenomeni ka të bëjë me industrinë e tekstilit në shekullin XVIII dhe XIX në Indi dhe Britani. Makineritë e reja prodhonin produktet krejt identike, të cilat deri atëherë ishin bërë me dorë, por ato e bënin një gjë të tillë në shkallë masive. Për shkak të rënies së kërkesës, konsumatorët më nuk ishin të gatshëm që të paguanin produktet e bëra me dorë. Kjo bëri që të binte vlera e këtyre produkteve të bëra me dorë, por çmimi i gjësendeve që blinin këta punë- torë, nuk kishte rënë. Leksioni nga historia nuk na thotë që robotët duhen ndalur, por se do të na duhet që të ballafaqohemi me problemet politike të mbajtjes së një balance të drejtë midis të të ardhurave në tërë shoqërinë. Për ta arritur këtë qëllim, duhen respektuar tri etapa. Së pari, ne duhet që të sigurohemi që qeveritë ta luajnë rolin e tyre makroekonomik, duke mbajtur një ekonomi stabile, me shkallë të ulët të papunë- sisë, në mënyrë që tregjet të mund të funksionojnë si duhet. Së dyti, duhet ta shpërndajmë pasurinë me qëllim të ruajtjes së një shpërndarjeje adekuate të të ardhurave. Ekonomia jonë e tregut duhet të promovojë qëllimet sociale, të cilat përshtaten me vlerat dhe moralin tonë. Përfundimisht, punëtorët duhet të edukohen dhe trajnohen që të përdorin mjete gjithnjë e më të komplikuara teknologjike, në mënyrë që ata të mund të bëjnë gjëra të vlefshme, të cilat ende kërkohen në treg. Duke i rënë alarmit se "inteligjenca artificiale është duke i lënë amerikanët pa punë" ne nuk bëjmë asgjë për zgjidhjen e këtij problemi. Mnuchin ka të drejtë: ngritja e robotëve nuk duhet të jetë në radarin e sekretarit të thesarit. 

(J. Bradford DeLong është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkli) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)

21 orë e 26 minuta më parë