Krejt njëjtë!

Krejt njëjtë!
  • 19 May 2017 - 08:35

SHKRUAN: ILIR SEFAJ
Tash, kur fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë veçse ka filluar, edhe politizimi i shoqërisë sonë është në vlugun më të madh të saj. Për kë do të votosh? Pse? Jo s'janë të mirë ata? Më mirë për këta? Janë pyetjet që qëllimshëm ose pa të, vetëdijshëm ose instinktivisht ia drejtojmë njëri-tjetrit. Pavarësisht asaj që debatohet e fiqirohet në kafene të qytetit, në biseda mes miqsh e familjarësh, partitë politike po i përvjelin mëngët dhe po i bëjnë matematikat e tyre, për rezultatin e zgjedhjeve, koalicionet para e pas-zgjedhore. Bredhjet tona Ne qytetarët e rëndomtë, në këtë fushatë elektorale do krijojmë miq e armiq, me pritjet, dëshirat e prognozat tona për fituesin e zgjedhjeve parlamentare. Dëshira ose vullneti ynë që të fitojë e djathta apo e majta, ky apo ai grupacion politik devalvohet që me përfundimin e procesit zgjedhor. Pra ne kemi votuar njëjtë, për të gjithë dhe për asnjërin. Krejt njëjtë! Themi kështu, ngase ato ëndrrat dhe bredhjet tona për të mbledhur votat për të "besueshmit" tanë, mbytën menjëherë pas përfundimit të rezultatit të zgjedhjeve. Si mund të ndodh kjo, do të thoshte ndonjëri?! Krejt thjesht. Koalicionet e "panatyrshme" Ata të besueshmit tanë menjëherë shndërrohen në të besueshëm të mos-besueshmëve tanë të dikurshëm. Matematikë e thjeshtë. Koalicionet e "panatyrshme" që do të krijohen pas bërjes publike të rezultatit zgjedhor, do t'i shuajnë "ëndrrat" tona për ndryshime. Prapë njëjtë krejt njëjtë. Në një realitet politik si ky yni, e në një shoqëri si kjo e jona, zgjedhjet mund të konsiderohen si diçka abstrakte, ani pse qytetarët e rëndomte presin gjëra konkrete nga të zgjedhurit e tyre. Nuk dua të tingëllojë pesimiste, por meqë është kështu ose mund të jetë kështu, e gjitha që kërkohet nga ne është ta ruajmë njëri-tjetrin, që pas përfundimit të procesit zgjedhor të kemi me kënd të pimë kafe e të tjerrim lesh për pritjet nga zgjedhjet që do t'i lëmë pas.

(Kosova Sot)