Fajtorët e mundshëm që qëndrojnë prapa sulmeve në Shën-Petersburg

Fajtorët e mundshëm që qëndrojnë prapa sulmeve në Shën-Petersburg
  • 19 May 2017 - 11:08

Shkruajnë: Peter Bergen&David Sterman
Derisa ende nuk është e qartë kush i kreu sulmet në metronë e St. Petersburgut, ekzistojnë dy grupe të cilat e kanë aftësinë dhe motivin, që të bëjnë sulme të gjera terroriste në qytetet e Rusisë. Së pari, aty janë separatistët çeçenë, të cilët kanë bërë një varg sulmesh terroriste në Rusi. Rusët janë duke bërë luftëra me këta separatistë që nga shekulli XIX. Leo Tolstoy kishte shërbyer në një regjiment të artilerisë në Kaukaz dhe kishte shkruar rreth përvojës në "Kozaki", duke thënë për çeçenët: Askush nuk fliste rreth urrejtjes ndaj rusëve. Ndjenja që kanë çeçenët, si të rinj, po ashtu edhe pleq, ishte shumë më e fortë sesa urrejtja". Ajo urrejtje vazhdon. Në vitin 2002, militantët çeçenë sulmuan një teatër të Moskës, ku morën me qindra pengje dhe 130 u vranë. Dy vjet më vonë, militantët çeçenë bombarduan një stacion metroje në Moskë, duke vrarë 39 njerëz. Në vitin 2004, militantët çeçenë morën me qindra nxënës dhe pengje të tjera në një shkollë në Beslan. Këtë situatë Rusia e zgjodhi me tanke, me më shumë se 300 të vrarë. Militantët vazhduan me sulme të tilla përgjatë tërë fundit të viteve 2000. Në vitin 2009, militantët, të udhëhequr nga Emirati i Kaukazit, një grup islamik i udhëhequr nga lideri çeçen, Doku Umarov, vranë 28 njerëz me anë të një sulmi vetëvrasës me bomba në trenin e shpejtë që lidhte St. Petersburg un dhe Moskën. Grupi i Umarovit po ashtu ka marrë përsipër edhe sulmin e vitit 2011 në aeroportin moskovit "Domodedovo", ku u vranë 37 njerëz.
Qytetarët rusë, ku shumë prej tyre e kanë prejardhjen nga regjioni mysliman i Kaukazit në Rusi
Por, tash vonë, ISIS-i ka ndërmarrë një seri sulmesh dhe komplotesh kundër Rusisë. ISIS-i ka përfshirë pjesë të tjera të lëvizjes ushtarake çeçene, e cila kishte marrë orientin më proislamik. Në fakt, qytetarët rusë, ku shumë prej tyre e kanë prejardhjen nga regjioni mysliman i Kaukazit në Rusi, janë grupi më i madh i këmbësorisë së ISIS-it nga ndonjë vend me shumicë jo myslimane. Në qershor të vitit 2015, ISIS-i shpalli formimin e një "province" në Regjionin e Kaukazit rus. Pas kësaj, ISIS-i me të shpejtë filloi me sulmet në Kaukaz. Në shtator të vitit 2015 ai mori përsipër sulmin e parë, i cili kishte të bënte me kazermat ushtarake ruse në Dagestanin jugor. Tre muaj më vonë, ISIS-i ndërmori një sulm tjetër, në të cilin një person i armatosur vrau 11 njerëz në qytezën Derbent, që mbrohet nga UNESCO. Më 31 tetor të vitit 2015, ISIS bombardoi një avion rus që fluturonte nga Egjipti për në Shën Petersburg, duke vrarë 224 njerëz. ISIS-i e festoi kryerjen e këtij sulmi. 
Rusia ka kontribuar me numrin më të madh të luftëtarëve të ISIS-it
Në gusht të vitit 2016, ISIS-i mori përsipër përgjegjësinë për kryerjen e sulmit të parë në Rusi, jashtë Kaukazit. Dy njerëz, me prejardhje çeçene, sulmuan një pikë kontrolli afër Moskës. Policët i vranë këta njerëz, por ISIS-i publikoi një video, në të cilën ata e pranonin se ishin besnikë të liderit të ISIS-it, Abu Bakr al Baghdadi. Më pas, në nëntor, zyrtarët rusë arrestuan pesë njerëz të dyshuar se kishin lidhje me ISIS-in. Ata u akuzuan për planet që përfshinin sulmin kundër Moskës. Këto sulme terroriste në Rusi janë të shoqëruara nga fakti se Rusia ka kontribuuar me numrin më të madh të luftëtarëve të ISIS-it, sesa çdo vend tjetër me shumicë jomyslimane. Vitin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, vlerësoi se numri i atyre që kishin shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak, nga Rusia dhe ish-republikat e BRSS-së, nga 5,000 deri 7,000. Derisa ISIS-i është duke përjetuar humbje në terren, mund të pritet që kontingjente të caktuara të luftëtarëve të ISIS-it nga Rusia, mund të tentojnë që të kthehen në territorin rus. Atyre duhet t'u ndalohet një gjë e tillë. Përpos vazhdimit të kampanjës agresive kundër ISIS-it në Irak dhe Siri, e cila filloi nën presidentin Obama, bashkësia ndërkombëtareyduhet të bashkëpunojë me Interpolin, për t'u bërë i ditur identiteti i luftëtarëve të ISIS-it, në mënyrë që ata të burgosen sapo të tentojnë që të ikin nga ISIS-i. Duke pasur parasysh vlerën prej rreth 30000 luftëtarëve të huaj, të cilët i ka joshur ISIS-i, atëherë del se Rusia dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë duart plot me punë.  
 

(Kosova Sot)