Zgjimi i vonuar i LDK-së

Zgjimi i vonuar i LDK-së
  • 21 May 2017 - 08:02

SHKRUAN: FLORIM ZEQA 

Në rrethana normale, të gjithë do të duhej t'i gëzoheshim emërimit të Avdullah Hotit si kandidat i LDK-së për kryeministër të ardhshëm të vendit. Mirëpo, kur e gjithë kjo nuk është rezultat i rrjedhave normale të situatës politike në vend, atëherë duhet të ndiejmë dhembshuri për kandidimin e tij. Lideri aktual i LDK-së, i vetëdijshëm për humbjen e sigurt të LDK-së në këto zgjedhje si pasojë e katandisjes (së qëllimshme) të këtij subjekti politik, në stilin e tij prej dinaku, e bëri 'tërheqjen' taktike, duke e futur në lojë "xhokerin" Avdullah Hoti, duke pritur djegien e sigurt të partisë në garën zgjedhore. Pajtohem plotësisht me konstatimin e atyre që bëjnë krahasime mes një profesori universitar, një njeriu të ndershëm, siç është Hoti me Kadri Veselin, njeriun numër një të nëntokës politike dhe ish-drejtues i SHIK-ut. Dallimet janë pakrahasimisht të mëdha mes Hotit dhe Kadri Veselit, por fatkeqësia qëndron tek fakti se Hoti dhe të tjerët, që deri dje ishin në bashkëqeverisje me Kadri Veselin për opinionin e gjerë dhe elektoratin rugovian janë figura të djegura politike. Ngase LDK-ja mban përgjegjësi historike për katapultimin e Hashim Thaçit në postin e presidentit, si dhe të faktorizimit të Kadri Veselit në skenën politike.

Yryshnikët e pushtetit të LDK-së

Po të mos ndodhte tradhtia e shekullit e Isa Mustafës në natën e 19 nëntorit 2014, sot Kosova do të frymonte ndryshe, vendi nuk do të ndodhej në këtë proces të kurdisur nga nëntoka politike vendore dhe ndërkombëtare, epilogu i të cilit dihet paraprakisht! Ashtu sikurse kandidimi i Hotit, edhe zgjimi i LDK-së duket të jetë i vonuar për këtë proces të kurdisur zgjedhor nga nëntoka politike vendore dhe ndërkombëtare, epilogu i të cilit dihet paraprakisht. Si pasojë e egos së pakufishme për pushtet të liderëve partiakë, ndërkombëtarët me lehtësi po i realizojnë lëvizjet e figurave në tabelën politike kosovare. Servilët dhe puthadorët e ndërkombëtarëve e kanë të garantuar pushtetin në gjysmë shtetin e Kosovës. Ndërsa atdhetarëve dhe mbrojtësve të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit u përgatiten sfida të mundimshme dhe të pakapërdishme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë. Pas zgjimit të vonuar të LDK-së, brenda këtij subjekti politik kanë filluar të lakohen emra, të anatemuar deri më tani për deputetë në radhët e LDK-së. Këta yryshnikët e pushtetit të LDK-së pas humbjes së pushtetit, kur me sytë e tyre e shohin edhe humbjen e sigurt në zgjedhjet e 11 qershorit, sikur u janë kthyer legjendave të gjalla të frymës rugoviane, jo për t'i nderuar me privilegje, por për interesat e tyre personale në prag të fushatës zgjedhore, për të mbuluar turpin nga dështimet e njëpasnjëshme në qeverisjen e vendit dhe katandisjen e partisë që drejtojnë. Legjenda këto, për të cilat milionerëve të LDK-së asnjëherë nuk u bie ndërmend a janë gjallë a ku janë, e lëre më për t'i vizituar ndonjëherë, për t'i parë nga afër dhe njohur me kushtet në të cilat jetojnë burrat e mëdhenj të Dardanisë. U ka rënë ndërmend për të harruarit vetëm tani, kur e kanë punën "pick" për vota. Të bindur se tutje nuk mund të marrin vota në emrin e presidentit historik dhe familjes së tij, tentojnë t'i keqpërdorin dhe marrin votat mbi supet e njerëzve fisnikë, atdhetarëve të guximshëm, që qëndruan pararojë besnike të vizionit rugovian.... 

Qëllimet politike nuk arrihen me emocione të çastit

Nominimi i Avdullah Hotit për kryeministër nga radhët e LDK-së është veprim i mençur me plot dinakëri të Isa Mustafës, i cili këtë e bëri për t'u ikur kritikave të elektoratit rugovian rreth përgjegjësisë për koalicionin joparimor me PDK-në. Në masë të madhe ia arriti qëllimit, veprimin politik të çastit e shndërroi në "reformë" partiake, duke mashtruar të mashtruarit, por jo edhe ata që i kuptojnë dinakëritë e tij prej një komunisti të regjur, saqë disa kaluan në ekzaltim nga gëzimi dhe dëshira për fitoren e LDK-së në këto zgjedhje, duke harruar se janë shumë larg cakut të dëshiruar. Vetë slogani partiak "Shihemi në finale", i dalë nga një fjalim tepër emocional në seancën e fundit të parlamentit tashmë të shpërndarë, dëshmon për mungesën e vizionit dhe kapacitetit për arritjen e qëllimeve politike. Qëllimet politike nuk arrihen me emocione të çastit, por me vizion të qartë, shkathtësi dhe guxim politik, i cili fatkeqësisht i ka munguar dhe i mungon liderit aktual të LDK-së. Finalja për LDK-në, në të cilën po thirren drejtuesit dhe sejmenët e tyre partiakë, pritet të ndodhë në vjeshtë, në zgjedhjet lokale, aty do të matet fuqia e vërtetë politike e secilit subjekt, e determinuar paraprakisht nga përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë komunash, kur do të jetë balotazhi-finalja për të cilën bëhet fjalë në LDK. Se në sa komuna do të hyjë në finale LDK-ja në vjeshtë, mbetet për t'u parë, ndërsa zgjedhjet e 11 qershorit 2017, LDK-në do ta nxjerrin partinë e tretë në vend, që i bie se LDK-ja do të jetë jashtë garës për pushtet. Kështu do të ndodhë jo pse po them dhe dëshiroj unë, por pse qëllimi i këtyre zgjedhjeve e arsyeton këtë konstatim logjik. Si përfundim dua të shtoj edhe këtë, nuk e kam asnjë vërejtje personale ndaj kandidaturës së Avdullah Hotit, do të ishte ideal në rrethana normale, por në rrethanat në të cilat është emëruar është pak më tepër se dështim, është një kartë e djegur e në dorën e një njeriu të dështuar. Andaj, nëse vërtet aktivistët, veprimtarët dhe elektorati i LDK-së ia dëshirojnë të mirën subjektit të tyre dhe vendit në përgjithësi, duhet të dalin me sloganin e ri partiak për ndryshime "Vazhdojmë pa Isa Mustafën dhe sejmenët e tij". Njëherësh, ky do të ishte fillimi i ndryshimeve rrënjë- sore dhe fillim i mbarë, i cili do të krijonte premisa për fitore të LDK-së në të ardhmen e afërt. Në të kundërtën theqafja dhe katandisja politike e këtij subjekti do të vazhdojnë.

(Kosova Sot)