Mundësia e Evropës për reforma

Mundësia e Evropës për reforma
  • 25 May 2017 - 12:22

Shkruajnë: Herman Van Rompuy Janis A. Emmanouilidis Fabian Zuleeg

"Plani Juncker" mund të jetë pjesë e zgjidhjes, por nuk do të mjaftojë Kriza e Eurozonës tani është shumë më pak e rrezikshme sesa gjatë kulminacionit të saj, midis viteve 2010- 2013. Rritja ekonomike është kthyer në vendet e BE-së, kështu që midis viteve 2014 dhe 2017 janë hapur pesë milionë vende të reja të punës. Por, Unioni bankar i BE-së mbetet jo i kompletuar, sektori bankar në Greqi dhe ai në Itali vazhdojnë që të ballafaqohen me sfida dhe, gjendja pas krizës së euros, mundet ende ta rrezikojë stabilitetin e BE-së, apo edhe ta rrezikojë vetë valutën e përbashkët. Nëse nuk ndodh më e keqja, duke fituar populistët në zgjedhjet e Francës, në maj dhe në ato të Gjermanisë, në shtator, atëherë liderëve evropianë u mbetet që të mblidhen dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të ndjekur reforma më ambicioze, por edhe pragmatike. Si hap fillestar, politikëbërësit duhet të pranojnë se ende u mungojnë mjetet efektive të një koordinimi të politikave. Edhe pse "European Semester" krijoi një kornizë të gjerë për koordinim, ai dështoi që ta përmirësojë në mënyrë efikase aftësinë konkurruese, rritjen ekonomike, apo punësimin në të gjitha vendet e BE-së. Në të njëjtën kohë, investimet vazhdojnë që të mbesin tepër të vogla në tërë Eurozonën. "Plani Juncker" mund të jetë pjesë e zgjidhjes, por nuk do të mjaftojë. Thënë të vërtetën, këto probleme ekonomike do të kërkojnë zgjidhje në nivel nacional, por ato janë përkeqësuar edhe nga dështimet e përbashkëta të politikëbërjes. Për shembull, reformat e miratuara të Eurozonës janë implementuar tepër ngadalë. 

Duhet rikthyer besimin

Ekziston po ashtu edhe një divergjencë e konsiderueshme politike në mesin e vendeve anëtare të BE-së, meqë disa prej tyre nuk u besojnë të tjerave, për përmbushjen e obligimeve të tyre individuale. Njëri kamp, i kryesuar nga Gjermania dhe Holanda, beson se qeveritë nacionale janë të obliguara që të bëjnë reformat e dakorduara, duke respektuar rregullat e dakorduara së bashku. Në anën tjetër, Franca dhe vendet e Evropës Jugore, thonë se qeveritë kanë nevojë për një fleksibilitet më të madh, për të marrë vendime rreth reformave fiskale dhe strukturore dhe se qeveritë me liri më të madhe veprimi në rrafshin fiskal, duhet të ndihmojnë në adresimin e disbalancave aktuale, duke rritur shpenzimet e tyre publike. Meqë qeveritë kombëtare u japin llogari qytetarëve të tyre, atyre shpesh u mungon iniciativa për ta rritur bashkëpunimin në nivel të BE-së. Kjo pakënaqësi tani është duke penguar reformat e mëtejme ekonomike dhe të unionit monetar (EMU). Pas publikimit të Letrës së bardhë rreth të së ardhmes së Evropës, Komisioni Evropian, nga ana e tij, ka për qëllim të bëjë propozime shtesë për reforma të EMU-s në gjysmën e parë të vitit 2017. Për këtë qëllim, liderët evropianë duhet ta ndërmarrin hapin e parë pragmatik, për ta rikthyer besimin e nevojshëm për inovacione shtesë politike në të ardhmen. Kjo iniciativë duhet të vijë nga Franca dhe Gjermania, dy vendet e Eurozonës me ekonomitë më të mëdha, duke përfshirë edhe dy vende të tjera. Pas zgjedhjeve të tyre këtë vit, Franca dhe Gjermania duhet ta bëjnë një propozim të përbashkët, i cili do të reflektonte shqetësimet rreth përgjegjë- sisë kolektive, fleksibilitetit individual dhe solidaritetit të BE-së. Së pari, një propozim franko-gjerman duhet të lejojë më shumë fleksibilitet fiskal, por brenda një kornize strikte. EMU duhet ta ketë një rregull të artë për investimet publike dhe sociale, me një definicion të qartë të atyre projekteve dhe një mekanizëm për vlerësimin e vlerës së tyre. Së dyti, propozimi duhet të apelojë për marrëveshje rreth reformave dhe investimeve (RIA) midis vendeve anëtare dhe Këshillit evropian. Kjo iniciativë do të pranonte se, për nxitjen e rritjes ekonomike, nevojiten investime, por financimi i tillë duhet të kushtëzohet nga veprimet evidente. 

Një pako franko-gjermane e reformave

Përfundimisht, kapaciteti fiskal do të nevojitet për t'i mbështetë RIA-t në vendet, të cilave u mungon hapësira buxhetore për ta stimuluar rritjen e tyre. Një pako franko-gjermane e reformave, e cila përfshin këto propozime, do ta përmirë- sonte gjendjen e Eurozonës në rrafshin ekonomik dhe politik. Me një EMU më të fortë, BE-ja mund të mbetet e hapur, duke ofruar në të njëjtën kohë më shumë mbrojtje për qytetarët e vet. Ky plan do ta paraqiste vetëm hapin e parë substancial kah reformat më fundamentale, që mbeten të bëhen. Por, ai do të varej nga rezultatet e favorshme, proevropiane, të zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani. Por, liderëve evropianë nuk duhet t'iu ikë rasti, që ta vejnë procesin e integrimit në binarë. Përndryshe, dobësia aktuale e Eurozonës do ta rrezikojë stabilitetin e vet EMU-s, duke shkaktuar kosto të pakontrollueshme, të cilat do të duhej t'i paguanin të gjitha vendet e BE-së. (Herman Van Rompuy është president i Qendrës politike evropiane.

Janis A. Emmanouilidis është drejtor i studimeve në Qendrën e politikave evropiane (EPC). Fabian Zuleeg është shef ekzekutiv i Qendrës për politika evropiane). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)