Arabia saudite e sheh si aleat presidentin e ri amerikan

Arabia saudite e sheh si aleat presidentin e ri amerikan
  • 29 May 2017 - 11:50

Shkruan: Barak Barfi

Përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta ndaluar hyrjen në vend të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane, deri tani ka ofruar barometrin kryesor të asaj sesi administrata e tij shihet në botën islame. Por, vendimi i Trump-it që të shkrepë 59 raketa 'Tomahawk' kundër një baze ajrore të Sirisë, si reagim ndaj sulmeve me armë kimike, të kryera nga trupat e presidentit Bashar alAssad, ka të ngjarë që ta ofrojë një tregues dhe përcaktues tjetër të asaj se kush ku qëndron. Për zyrtarët e ish-Qeverisë amerikane, si dhe për shumë myslimanë, propozimi i Trump-it për ndalim të hyrjes në SHBA të këtyre njerëzve, paraqet tradhti të vlerave liberale dhe ofron një dhuratë rekrutuese për ekstremistët. Por, në mesin e aleatëve më të vjetër të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, reagimi kryesisht ka qenë në formë të heshtjes. Pas tetë vitesh gjatë të cilave Shtëpia e Bardhë iu thoshte se çka të bënin, Trump shihet si ndryshim i mirëseardhur i hapit. Arabia Saudite mund të jetë tifozi më i madh i administratës së Trump-it. Sauditëve kurrë nuk iu kishte pëlqyer presidenti Barack Obama me përqendrimin e tij tek Irani dhe kishin mbetur të shtanguar kur Obama kishte deklaruar për revistën "The Atlantic", se iranianët dhe sauditët "duhet ta gjejnë një mënyrë efektive për ta 'ndarë' regjionin dhe ta arrijnë njëfarë paqeje të ftohtë". Sauditët, të përfshirë në një luftë 'proxy' me Iranin në Jemenin fqinj, janë të gëzuar që Trump është duke menduar për një rritje të asistencës për largimin e iranianëve nga "oborri" i tyre strategjik.

Trump e përkrah lidershipin egjiptian

Një situatë e ngjashme për sauditët është edhe në Bahrejn, aleatin më të ngushtë të Mbretërisë saudite në regjion. Që nga koha kur atje shpërtheu konflikti i parë midis shiitëve dhe sunitëve, gjatë viteve 1990, liderët e Bahrejnit kanë akuzuar Iranin për përzierje në punët e tyre të brendshme. Kur forcat e udhëhequra nga sauditët shtypën protestat shiite në këtë ishull, në vitin 2011, administrata e Obama-s qortoi liderët e Bahrejnit dhe shkurtoi shitjen e armëve. Por, administrata e Trump-it, me qëllim të hapjes së vendeve të punës në prodhimtari, ka hequr kufizimet e vendosura nga administrata e presidentit Obama, duke bërë me dije se do t'i shiste Bahrejnit avionë luftarakë me vlerë rreth 5 miliardë dollarësh. Qoftë edhe në Liban, ku filiali iranian, milicia shiite libaneze 'Hezbollah', është forcë dominuese politike, sauditët e shohin Trump-in si një shpëtimtar të mundshëm, i cili mund ta forcojë mbretërinë saudite Derisa Arabia përqendrohet tek Irani, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë duke shënjuar Vëllazërinë Myslimane. Edhe këtu Trump paraqet një alternativë atraktive për liderët e këtyre vendeve. Qeveria egjiptiane në veçanti, për të gjitha problemet në vend fajëson Vëllazërinë Myslimane, të cilës ia mori pushtetin në vitin 2013 me një grusht shtet ushtarak. Kuptohet që plani i Trump-it për ta cilësuar Vëllazërinë si organizatë terroriste dhe ta pengojë atë nga mbledhja e fondeve në SHBA, rezonon fuqishëm me qeverinë egjiptiane. Demokracia nuk është se i ka rrënjët aq të thella në botën arabe, e cila dominohet nga liderët autoritarë. Por, kjo nuk e shqetëson Trumpin, i cili nuk ka treguar ndonjë interesim të veçantë ndaj normave liberale demokratike dhe ndaj institucioneve, të cilat i mbështesin ato. Pasi që u takua me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi në shtator të vitit 2016, Trump deklaroi se Sisi ishte "njeri fantastik" i cili "mori Egjiptin nën kontroll". Sisi, në anën tjetër, ishte i pari nga krerët e shteteve që uruan fitoren e Trumpit. Dhe, vetëm pak ditë para se të urdhëronte ndërmarrjen e sulmeve ndaj Sirisë, Trump pranoi ngrohtësisht Sisin në Shtëpinë e Bardhë, duke e lavdëruar atë se po bënte një "punë fantastike".

Ambivalenca e Trump-it ndaj Iranit

Bile edhe liderët e Turqisë, të cilët ishin kritikë të vjetër të politikës amerikane në Lindjen e Mesme, kanë treguar një qëndrim më të ngrohtë ndaj Trump-it (i cili kishte shprehur admirimin e tij në korrik të vitit 2016 ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdo?an, i cili kishte shtypur puçin në tentativë). Para se të bëheshin të obsesionuar ndaj Iranit dhe Vëllazërisë Myslimane, liderët arabë shpesh fillonin takimet me zyrtarët amerikanë duke folur keq ndaj Izraelit. Vendimi i hershëm i Trump-it për ta zhvendosur ambasadën amerikane në Jerusalem, si dhe mbështetja e tij për kolonitë izraelite në Bregun Perëndimor, ishte shqetësuese për aleatët arabë të Amerikës. Por, Trump tani është tërhequr nga këto premtime sa i përket zhvendosjes së ambasadës, kurse pas takimit me mbretin e Jordanisë, Abdullah, në muajin shkurt, ai ndryshoi edhe pikëpamjet e tij rreth ndërtimit të kolonive të reja çifute. Edhe urdhri, tani i ngrirë i Trump-it rreth ndalimit të udhëtimit të shtetasve nga shtatë shtete islamike, i cili tani është i ngrirë, po ashtu kishte efekt polarizues. Kleriku mysliman me ndikim, Yusuf alQaradawi, deklaroi se ky urdhër i Trump-it ishte plot me armiqësi dhe racizëm. Në anën tjetër, Ministria iraniane e Punëve të Jashtme, ndalimin e udhëtimeve e quajti një sulm të qartë kundër botës islame, e sidomos kundër kombeve të mëdha, sikur që është Irani. Krahasoni këto reagime me heshtjen nga Egjipti dhe Arabia Saudite, me një fillim të ri ndaj Turqisë dhe me miratimin e shprehur ndaj ministrit të Jashtëm të Emirateve. Mbetet të shihet ndikimi në stabilitetin e regjionit të ndërrimit të politikës bashkëpunuese të Obama-s me taktikat më polarizuese të Trump-it. Ambivalenca e Trump-it ndaj Iranit dhe marrëveshjes bërthamore me të, mund të ketë pasoja të tmerrshme më pas. Por, deri më tani, qasja e Trump-it e afrimit ndaj disa liderëve arabë, derisa duke i lënë të tjerët të vetëm, përshtatet me qëllimet e shumicës së qeverive të Lindjes së Mesme. Derisa mediet perëndimore janë nostalgjike ndaj kohës së Obama-s, këta liderë, asnjëherë të kënaqur me përzierjen e amerikanëve në punët e tyre, ndihen mirë që Obama shkoi. Pa marrë parasysh 'nxehtësinë politike' e cila mund t'i shfaqet Trump-it për shkak të "ndalesës së udhëtimit për myslimanët", ata e kanë mirëpritur agjendën e tij. Zërat mund të jenë të ulët tani, por me qëllimin evident të SHBA-së për intervenime më të mëdha në Siri, mund të paraqiten shpejt zërat që urojnë suksesin e Trump-it. 

(Kosova Sot)