Mos llogarisni te Rusia për rrëzimin e Assad-it

Mos llogarisni te Rusia për rrëzimin e Assad-it
  • 30 May 2017 - 10:41

Shkruan: Philip Gordon
P olitika e administratës Trump ndaj Sirisë vazhdon që të evoluojë në mënyrë mbresëlënëse. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, presidenti Trump ka kaluar nga një kundërshtues i intervenimit ushtarak amerikan, në një njeri i cili urdhëroi sulmet me raketa dhe, nga pranimi që presidenti sirian Bashar al-Assad të mbetet në pushtet, te një përqendrim që ai të rrëzohet nga pushteti. Tani mund të ndodhë një ndryshim i tretë. Derisa pritet shkuarja e sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, në Moskë, administrata është duke sinjalizuar se Trump mund të jetë duke u përgatitur që të kalojë nga një qëndrim, i cili nënkupton bashkëpunim me Rusinë dhe Sirinë, te një qëndrim, i cili i bën presion Moskës që të bashkëpunojë në rrëzimin e Assad-it. Kjo ishte strategjia e paraqitur nga zyrtarët e lartë të administratës gjatë fundjavës, ku ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, shpjegonte se nuk mund të shohim paqe në Siri, apo regjion, "derisa Assad gjendet në krye të regjimit", apo "me një Rusi e cila e mbron Assad-in". Të hënën, një zëdhënës i kryeministres britanike, Theresa May, bëri një deklaratë duke thënë se May dhe Trump janë dakorduar se "tani ekziston një mundësi për ta bindur Rusinë që aleanca e saj me Assad-in nuk është më në interesin strategjik të saj".


Tmerret e Assad-it në popull

Heqja qafe e Assadit është një qëllim i dëshirueshëm, duke pasur parasysh tmerret, të cilat ai ia ka bërë popullit të vet dhe regjionit. Por, problemi qëndron te fakti që nuk ka gjasa që Rusia të veprojë sipas këtyre apeleve, duke iu bashkuar SHBA-së, pa marrë parasysh presionin që mund ta bëjë Tillerson. Realiteti është se nëse Uashingtoni dëshiron ta heqë qafe Assad-in, ai duhet ta bëjë një gjë të tillë në kundërshtim me vullnetin e Rusisë, e jo në pajtim me të. Ky konkluzion duhet të jetë evident nga vitet e përvojës së dhembshme amerikane, të cilat ofrojnë mësime për Trumpin. Si asistent i sekretarit të Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, i isha bashkuar sekretares së atëhershme të Shtetit, Hillary Clinton, në takimet e saj të panumërta me homologun e saj rus, Sergei Lavrov, të përqendruara në bindjen e Rusisë që të hiqte dorë nga mbështetja e Assad-it. Rezultati ynë më i madh ishte sponsorizimi i bisedimeve në Gjenevë, në vitin 2012, ku u arrit marrëveshja rreth një qeverie kalimtare siriane, me liderë të zgjedhur "sipas pajtimit të përbashkët". Për SHBA-në, aleatët e saj perëndimorë dhe arabë, kjo fjali nënkuptonte vetëm nëse pajtohej opozita, kështu që Assadi duhej të shkonte. Por, Lavrov tha se "pajtimi i përbashkët' nënkuptonte pajtimin edhe nga ana e Assad-it, gjë që nënkuptonte mbetjen e tij në pushtet. Pasardhësi i Clinton-it në post, John Kerry, u ballafaqua me obstruksione të ngjashme ruse, kur u përpoq që ta fitonte mbështetjen e Rusisë për tejkalimin e Assad-it. Edhe pse mbështetja amerikane ndaj opozitës u rrit, lufta civile vazhdoi dhe kostoja e mbështetjes ruse ndaj Assadit u rrit, Moska vazhdimisht refuzonte pretendimet se politikat e Assad-it ishin duke shkaktuar forcimin e ekstremizmit islamik, të cilin Rusia pretendonte se ishte duke e luftuar. Zyrtarët rusë vazhduan që të na thoshin se ata nuk ishin mbrojtës të Assadit, duke na thënë se ne nuk mund ta zgjidhnim qeverinë e Sirisë dhe se ata nuk e kanë ndërmend ta rrëzojnë Assad-in nga pushteti. 


Rusët më shumë e preferojnë Assad-in sesa ekstremistët sunitë

Vetë koncepti i ndryshimit të regjimit është anatemë për presidentin rus, Vladimir Putin. Pa marrë parasysh se a në Irak, Gjeorgji, Ukrainë, apo Libi, Putin ka kundërshtuar ashpër shprehjen se, nëse popullata lokale nuk është e kënaqur me qeverinë e vet, ajo mund t'i rrokë armët dhe ta luftojë atë qeveri, derisa SHBA-ja dhe aleatët e saj t'iu vinin atyre në ndihmë. Armiqësia e Putin-it ndaj Clinton-it - ku ai edhe vendosi që të përzihej në zgjedhjet amerikane, për ta siguruar mposhtjen e saj - i kishte rrënjët te frika e tij paranoide se ndryshimi i regjimit ishte në mendjen e saj kur ajo kritikoi zgjedhjet e falsifikuara parlamentare në Rusi, në dhjetor të vitit 2011. Putin do të bëjë çkado që të mundet që të sigurohet që Siria të mos paraqesë një precedent, i cili do të mund të përdorej nga të tjerët në rajon, apo një ditë edhe në Moskë, për ta përdorur dhunën për rrëzimin e sundimtarëve të tyre. Arsyeja e dytë pse Moska ka një qëndrim kaq armiqësor ndaj ndërrimit të regjimit në Siri, është se ajo beson se një gjë e tillë nuk do të rezultonte me një regjim stabil, pro perëndimor, por se një gjë e tillë vetëm sa do ta rriste kaosin, jostabilitetin dhe ekstremizmin. Në këtë aspekt, rusët me gjasë janë të sinqertë, kur thonë se ata nuk janë të dashuruar në Assad-in, por se prapëseprapë më shumë e preferojnë atë sesa ekstremistët sunitë, të cilët, po të binte Assadi, do ta merrnin Damaskun. Në intervistat gjatë fundjavës, Tillerson deklaroi se shpreson që Moska "të mendojë me kujdes rreth vazhdimit të aleancës së saj me Bashar al-Assadin". Këshilltari për siguri kombëtare, H.R. McMaster, shprehu shpresën e tij se "Rusia mund të jetë pjesë e zgjidhjes", nëse do ta rivlerësonte atë që është duke bërë. Problemi është se Rusia e di saktësisht se çka është duke bërë dhe është tepër e përkushtuar që të vazhdojë në atë drejtim. Derisa administrata e Trump-it mundohet ta ndryshojë qëndrimin e Moskës, ajo duhet ta dijë se një gjë e tillë do të kërkojë më shumë sesa vetëm një varg sulmesh ajrore.

(Philip Gordon është bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për marrëdhënie me jashtë)  

(Kosova Sot)