Fitorja e Macron-it

Fitorja e Macron-it
  • 21 June 2017 - 12:56

Shkruan: Philippe Aghion

Kur presidenti francez, Emmanuel Macron, krijoi lëvizjen e tij "En Marche" në prill të vitit 2016, qëllimi i tij ishte tejkalimi i ndarjes së vjetër midis së djathtës dhe së majtës në politikën franceze. Përkundër të gjitha pengesave në këtë drejtim, ai ia doli. Procesi votues në zgjedhjet presidenciale franceze zhvillohet në dy raunde. Raundi i parë, që u mbajt të dielën, tanimë paraqiste një fitore të madhe për partinë e re centriste të Macron-it, e cila mori 33% të votave, duke dalë kështu shumë përpara partive tradicionale. Por, ajo që mahnit edhe më shumë, janë pritjet për raundin e dytë: më shumë se 400 ulëse nga gjithsej 577 për partinë e Macron-it dhe më pak se 100 ulëse për partitë e djathta. Partitë e tjera së bashku pritet që të marrin 10 deri 25 ulëse.

Cilët kandidatë mund të marrin pjesë në raundin e dytë?

Si ka mundësi që një parti, e cila në raundin e parë ka marrë vetëm 33% të votave, ta korrë një fitore aq të madhe në raundin e dytë? Shpjegimi qëndron te fakti se vetëm kandidatët që kanë marrë më shumë se 12.5% të votave në secilin distrikt në raundin e parë, mund të marrin pjesë në raundin e dytë. Dalja e ulët e votuesve në raundin e parë (më pak se 50%) nënkupton se, në secilin distrikt, më së shumti do të garojnë dy kandidatë. Në fund të fundit, kjo nënkupton se, në të gjitha distriktet, raundi i dytë është duel midis partisë së Macron-it "En Marche !", në njërën anë dhe, të një partie tjetër, në anën tjetër. Kur 'partia tjetër' është nga e djathta, atëherë partitë e majta dhe votuesit e tyre mbështesin Macronin. Kur 'partia tjetër' është e majtë, atëherë janë partitë djathtiste dhe votuesit e tyre që e mbështesin Macron-in. Në përgjithësi, partia centriste e Macron-it pritet që nga këto zgjedhje të dalë me një shumicë të fuqishme për ta transformuar Francën. Macron e ka shansin që ta stimulojë ekonominë franceze, duke ofruar në të njëjtën kohë një mbrojtje më të mirë dhe një edukim më cilësor për shtetasit francezë. (Philippe Aghion është profesor i ekonomisë në Universitetin Harvard, në "College de France" dhe në Shkollën londineze të ekonomisë)

(Kosova Sot)