Morali i dyfishtë dhe demokracia e pranguar

Morali i dyfishtë dhe demokracia e pranguar
  • 21 July 2017 - 08:02

Shkruan: SHEFQET DIBRANI

Kosova mbeti në krizë të thellë

Në vend se të pranonte LVV-ja koalicionin qeverisës, në vend se të hiqte dorë nga posti i kryeministrit, të cilin ka pasur mundësi ta ndërrojë me dy-tre ministri, në vend se të vendoste vija të kuqe, me grupet dhe individët që janë brenda PDK-së, në vend se ta kushtëzonte hyrjen në qeveri, duke bllokuar rastin e kryeparlamentarit dhe duke i përjashtuar të gjithë ata, për të cilët flitet se kanë dosje të hapura në Gjykatën Speciale, dhe krejt natyrshëm do të duhej të shikonte edhe kah vetja për të pasur të drejtë për të kërkuar standarde tek të tjerët

Zgjedhjet e 11 qershorit 2017 kanë determinuar një qasje të re politike. Edhe pse ato shkuan mirë, Kosova mbeti në krizë të thellë. Siç shihet partitë politike nuk e kanë hallin e Kosovës?! Kriza politike nuk kalohet me inate, aq më pak me akuza vulgare, të cilat vetëm sa janë shpeshtuar e radikalizuar. Zgjedhjet e 11 qershorit përcaktuan humbësit, të cilët kanë dalë të lagur nga ky proces. Padyshim PDK dhe LDK kanë arsye të vajtojnë pse doli më e buzëqeshur LVV. Por, nga ky solucion nuk do të nxirret një qeveri stabile, prandaj Kosova ka rrezik të futet në ngërç politik dhe me kosto të lart të vakumit institucional. Kjo lojë politike po trumpetohet nga ndikimi serb e rus në Kosovë dhe po bëhet nga inati dhe vreri që iu ka grumbulluar humbësve, ku po shquhet LDK-ja dhe në anën tjetër edhe nga dalldisja deri në dehje e fitimtarit, në këtë rast LVV. Vite më parë, një skenar të tillë e kemi provuar nga Isa Mustafa. Prandaj me këtë veprime LDK-ja e ka marrë epitetin e partisë shtetrrënuese. Kjo lojë kaq e ndytë nuk i ka hije një partie me traditë mbi çerekshekulli, aq më pak LDK-së, e cila është shquar për tolerancë dhe fleksibilitet. Si duket Isa Mustafa do të lëvizë çdo guri për t'i realizuar qëllimet e tija antidemokratike, antievropiane dhe antiamerikane. Prandaj është obligim moral, politik dhe kombëtar i deputeteve dhe deputetëve të LDK-së t'ia vënë gishtin kokës, dhe t'i japin fund standardeve të dyfishta në dëme të proceseve dhe të Kosovës.

Morali i dyfishtë

Kjo krizë reformuese nuk e ka kapluar vetëm LDK-në. Në krizë të thellë është edhe PDK-ja, por me sa duket aty ka vullnet për t'u ndryshuar, pasi lideri i PDK-së është në kërkim të reformave të brendshme partiake, kurse teknokrati komunist i LDK-së, e ka pushkatuar demokracinë e brendshme, e ka vrarë dialogun e brendshëm, e ka stërkequr LDK-në, e cila tashmë udhëhiqet nga konceptet jodemokratike, përplot vulgarizime, perversitet e arrogancë duke futur në përdorim çdo formë të intrigës për ta shpëtuar Isa Mustafën, dhe për fat të keq, ky klan nuk ka hall pse vëzhgohet nga syri i Bashkësisë Ndërkombëtare. Është thirrje publike për deputetet dhe deputetët e kësaj partie të dalin nga letargjia dhe t'i flakin ambiciet antidemokratike për të qeverisur Kosovën, sepse as Gjykata Kushtetuese, as KQZ dhe as mekanizmat ndërkombëtar nuk duhet të lejojnë që humbësit dhe manipuluesit të lëndojnë proceset, pasi këto veprime duket sikur janë të shtyra nga ndikimi serbo - rus në Kosovë. Krijimin e qeverisë, nuk duhet lënë në duart e humbësve, sepse kështu nuk ka më asnjë arsye të mbahen zgjedhjet, as të krijohen koalicione parazgjedhore, sepse kështu me veprime të nëntokës po përligjet demokracia, kurse morali i dyfishtë e paska pranguar demokracinë dhe zhvillimin e përshpejtuar të Kosovës. Tashmë shihet qartë se lista e LDK-së, është shndërruar në marionetë të Isa Mustafës, i cili ka për qëllim për ta zhytur në kaos Kosovën. E kjo bëhet vetëm sa për t'iu shmangur përgjegjësisë penale, për shumë vepra kriminale nga të cilat ka pësuar kaq shumë dhe kaq gjatë Kosova. Deputetet dhe deputetët e LDK-së nuk duhet të luajnë me dy standarde, veçmas po iu bëjë thirrje publike Vjosa Osmanit, Haxhi Avdylit, Arben Gashit dhe Naser Rugovës, të heqin dorë nga standardet e dyfishta, sepse deklaratat e tyre sporadike se paskan qenë kundër udhëheqësit teknokrat të LDK-së, Isa Mustafa, paskan qenë mashtruese dhe rrënuese për demokracinë e brendshme në LDKnë, sepse këta vazhdimisht e kanë kritikuar.

LDK-ja duhet t'u kthehet reformave të brendshme

Tashmë kjo katërshe duhet me kuptuar se nuk shkon me standarde të dyfishta, sepse marrin përgjegjësitë për pengimin dhe prolongim që ua kanë bërë të gjitha iniciativat për ta reformuar LDK-në. Tash ky Unitet i krijuar përreth Isa Mustafës, është shqetësues dhe i rrezikshëm, madje është vrastar për demokracinë e brendshme në LDK. Tashmë e thirrjet për ta votuar këtë katërshe, në prapavijë paskan pasur qëllimin për ta ruajtur, për ta mbrojtur, dhe për ta konservuar Isa Mustafën. Nëse Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Arben Gashi dhe Naser Rugova, do të vazhdojnë avazin e standardeve të dyfishta, duhet ta kuptojnë se janë vazhdues të shkatërrimit të LDK-së që ka nisur në "Kuvendin e Karrigeve", për të vazhduar me Isa Mustafën. LDKja nuk ka nevojë për aktorë, aq më pak për ndërrim të roleve?! Ky kuartet nuk duhet të bëhet tragjik, në të kundërtën paskan qenë frenuesit e ndryshimeve në LDK. Se janë oportun dhe servil të Isa Mustafës, e dëshmoi mosreagim për epilogun tragjik në Degën e LDK-së në Zvicër. Për fat të keq as në planin privat nuk kanë shprehur keqardhje, nuk kanë shprehur as interesim për ta kuptuar të vërtetën, e le më të dalin me deklarata publike, ndonëse kishim të bënim me procese dhe bëhej fjalë për shkelje flagrante të demokracisë. Nëse Isa Mustafa i ka luftuar veteranet dhe themeluesit e LDK-së, këta duhet të flasin qartë, nëse ndajnë apo jo mendje me shefin e tyre? Nëse Isa Mustafa e ka luftuar Diasporën, ky kuartet duhet të dëshmojë si e paskan mbrojtur diasporën, dhe duhet të flasin pse nuk janë solidarizuar me Degët e LDK-së në diasporë?! Jo me selfie sa për konsum publik dhe marketing mashtruas... pasi shefi i tyre ka mëkate të mëdha me diasporën. Duke i pasur parasysh këto rrethana, i bëjë thirrje publike Vjosa Osmanit, Haxhi Avdylit, Arben Gashit dhe i Naser Rugovës, që menjëherë të distancohen nga "Uniteti Mashtrues", sepse ky qëndrim është i standardeve të dyfishta, kurse shërbimi që ia bëjnë Isa Mustafës është frenues për proceset e reformave në LDK dhe kultivon një lloj demokracie të pranguar. Qëndrimi në këtë Unitet të Rrejshëm, secilin politikan e bënë të dyshimtë dhe përgjegjës pse Isa Mustafa nuk ka dhënë as dorëheqje e as përgjegjësi edhe për këtë humbje të LDK-së. Natyrisht këtë obligim dhe përgjegjësi për të dal nga rrethi vicioz e kanë edhe deputetet dhe deputetët tjerë, të cilët nëse nuk janë pjesë e nëntokës duhet të përfaqësojnë vullnetin e qytetarit për të mos bërë ngërç politik dhe të mos lejojnë vakum institucional, pasi është me pasoja politike. Me një fjalë LDK-ja duhet t'u kthehet reformave të brendshme nëse dëshiron ta zë hapin. Deputetja Mimoza Kusari dhe deputeti Ilir Deda, nëse nuk janë pjesë e ndikimit serb nga Beogradi, s'kanë asnjë arsye për t'u barrikaduar në konceptet antidemokratike të një humbësi serik, siç është Isa Mustafa, prandaj është shumë e pamoralshme të krijohet ky ngërç në emër të një vlere e cila nuk ekziston.

Nga dehja e tepruar LVV-ja nuk është duke gjetur veten

Në këtë lojë të ashpër dhe antiinstitucionale është futur direkt edhe Behgjet Pacolli, i cili edhe nëse nuk është, dyshohet dhe për më shumë flitet se është përfaqësuesi tipik i interesave ruse në Kosovë, prandaj qëndrimi i tij i mëtutjeshëm në rrjetin e Isa Mustafës, i merr këto konotacione akuzash, të cilat nuk mund të hiqen kollaj. Nëse vërtet Behgjet Pacolli nuk është pjesë e këtyre interesave, ai menjëherë duhet ta shqyrtojë praninë e tij në lojën mjaft të pistë të Isa Mustafës, dhe menjëherë duhet t'iu hap rrugë proceseve. Nga dehja e tepruar LVV nuk është duke gjetur veten. Edhe pse është fituesja morale dhe faktike e këtyre zgjedhjeve, koalicionet parazgjedhore, ia prishin këtë ngazëllim, pasi koalicionet janë të themeluara sipas rendit kushtetues. Në vend se të pranonte LVV-ja koalicionin qeverisës, në vend se të hiqte dorë nga posti i kryeministrit, të cilin ka pasur mundësi ta ndërrojë me dytre ministri, në vend se të vendoste vija të kuqe, me grupet dhe individët që janë brenda PDK-së, në vend se ta kushtëzonte hyrjen në qeveri, duke bllokuar rastin e kryeparlamentarit dhe duke i përjashtuar të gjithë ata për të cilët flitet se kanë dosje të hapura në Gjykatën Speciale, dhe krejt natyrshëm do të duhej të shikonte edhe kah vetja për të pasur të drejt për të kërkuar standarde tek të tjerët. Në vend se LVV të hynte në qeveri jo për pazare e kontrabandë, por për të miratuar ligje të favorshme për kontrollin institucional, në vend se të vendoste stabilitet dhe marrëdhënie të mira me Bashkësinë Ndërkombëtare, ajo po sillet e papërgjegjshme. LVVsë këto zgjedhje ia krijuan rastin historik për të dëshmuar se është parti Shtet-Formuese dhe e së ardhmes, ajo si duket u shantazhua nga ndikimi serb e rus i cili është mjaft i fuqishëm dhe me ndikim të madh edhe në Kosovë. Në vend se LVV të kuptonte se këshillat dhe analizat e ardhura nga ata që janë të dëshmuar tradicionalisht si kumbarë serb që prodhojnë kriza për interesa serbe. LVV-ja do të duhej të dilte mbi këto lufta speciale, dhe të mos bëjë përpjekje për të instaluar në Kosovë, logjikën e humbësit fitimtar, prandaj i bëjë thirrje publike LVV-së që t'i shqyrtojë qëndrimet e saj, dhe t'i jap Kosovës një qeveri pragmatike sipas pragmatizmit si veprim politik që e ka LVV-ja. LVV, duhet ta votojë kryeministrin, nëse do të kundërshtojë kryeparlamentarin, të refuzojë të gjithë ata që kanë dosje dhe janë të mbuluar me krim e kriminalitet, të ndërtojë raporte të qëndrueshme dhe të besueshme me Bashkësinë Ndërkombëtare. LVV duhet të ndikojë për t'u korrigjuar gabimet me demarkacionin, dhe sa më shpejt ta miratojë atë, të krijohet asociacioni sipas standardeve më të përparuara, por pa e shkelur Kushtetutën e Vendit, të funksionalizohet sa më shpejt Gjykata Speciale, të përshpejtohen proceset, të nisin procedurat penale për zyrtaret e korruptuar dhe të merret për bazë modeli kroat i kryeministrit Sanader, për t'iu konfiskuar edhe zyrtarëve të Kosovës të gjitha pasurit e paligjshme dhe t'i ndalet hovi bandave që kanë kapur shtetin. Të përshpejtohen proceset për integrim, dhe natyrisht nëse LVV-ja di të veprojë në këto rrethana do të bëhet shembulli i demokracisë dhe i dinjitetit politik shqiptar. LVV mundet të bëjë, andaj duhet të kupton se me këtë formulë as vet nuk do të nxjerrë qeveri stabile që i duhet Kosovës, prandaj duhet të bëhen realist dhe më të arsyeshëm në kërkesat dhe veprimet e mëtutjeshme. Gjithsesi iu bëjë thirrje vendeve të Quintit, Brukselit zyrtar, ambasadores së Gjermanisë dhe ambasadorit të Amerikës, të bëhen skenarist ose koreografë të mirë, të bëhen ndërmjetësues të sinqertë dhe garantues të sigurt të proceseve dhe të marrëveshjeve, në të kundërtën duhet edhe ata t'i pranojnë pasojat nga dështimi i mundshëm, por jo të gjykohet vazhdimisht vetëm Kosova!

(Kosova Sot)