Një revolucion "Macron-ekonomik"?

Një revolucion
  • 23 July 2017 - 10:15
Shkruan: Anatole Kaletsky

Muajin tjetër do të shënohet përvjetori i dhjetë i krizës financiare globale, e cila filloi më 9 gusht të vitit 2007, kur "Banque National de Paris" deklaroi se vlera e disa prej fondeve të saj, që përmbanin ato që konsideroheshin si bonot më të sigurta amerikane të hipotekave, ishin 'avulluar'. Nga ajo ditë fatale, bota e përparuar kapitaliste kishte përjetuar periudhën më të gjatë të saj të ngecjes ekonomike që nga dekada, e cila filloi në vitin 1929, me krizën në "Wall Street" dhe përfundoi me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, dhjetë vjet më vonë. Pak javë më parë, në konferencën "Rencontres Economiques", në Aix-en-Provence, më pyetën a kishte mundur të bëhej ndonjë gjë për pa evituar "dekadën e humbur" të rezultateve të dobëta ekonomike, që nga fillimi i krizës. Në një sesion me titull "A kemi ngelur pa politika ekonomike?" bashkë-panelistët e mi treguan se nuk kemi ngelur pa to. Ata ofruan shumë shembuj të politikave, të cilat do të mund ta kishin përmirësuar rritjen ekonomike, punësimin, stabilitetin financiar, si dhe shpërndarjen e të ardhurave. mKjo ma kishte mundësuar adresimin e çështjes që më duket më interesante: Duke pasur parasysh bollëkun e ideve të vlefshme, pse janë implementuar kaq pak ide dhe politika, që nga fillimi i krizës, të cilat do të mund ta kishin përmirësuar situatën ekonomike?

Fundamentalizmi i tregut

Pengesa e parë ka qenë ideologjia e fundamentalizmit të tregut. Që nga fillimi i viteve 1980, politikat janë dominuar nga dogma se tregjet kanë gjithmonë të drejtë dhe intervenimi ekonomik qeveritar gati gjithmonë është i gabueshëm. Kjo doktrinë hyri në fuqi me kundër-revolucionin monetar kundër ekonomisë Keynesiane, që rezultoi nga kriza e inflacionit të viteve 1970. Ajo frymëzoi revolucionin politik ThatcherReagan, i cili, nga ana e vet, ndihmoi në krijimin e një bumi ekonomik 25 vjeçar që nga viti 1982 e më tej. Por, fundamentalizmi i tregut ndikoi edhe në frymëzimin e ideve të rrezikshme, të gabuara intelektuale: se tregjet financiare janë gjithmonë racionale dhe efikase, se bankat qendrore thjesht duhet të merren me inflacionin dhe të mos mërziten për stabilitetin financiar dhe papunësinë; se roli i vetëm legjitim i politikës fiskale është balancimi i buxheteve, e jo stabilizimi i rritjes ekonomike. Edhe pse këto bindje të gabueshme shkatërruan ekonomitë fundamentaliste të tregut pas vitit 2007, politikat fundamentaliste të tregut mbijetuan, duke penguar një reagim adekuat politik ndaj krizës. Kjo nuk duhet të na befasojë. Fundamentalizmi i tregut nuk ishte vetëm një modë intelektuale. Interesat e fuqishme të tregut motivuan revolucionin në të menduarit ekonomik të viteve 1970. Dëshmia e supozuar shkencore se intervenimi ekonomik qeveritar është gati gjithmonë kundërproduktiv, legjitimoi një shkarje enorme në shpërndarjen e pasurisë, nga punëtorët industrialë, te pronarët dhe menaxherët e kapitalit financiar, si dhe fuqinë (pushtetin), nga puna e organizuar, te interesat e bizneseve. Ekonomisti polak, Michal Kalecki, bashkë- shpikës i ekonomisë Keynesiane (dhe një kushëri i largët i imi), kishte parashikuar këtë ndryshim politikisht të motivuar me një saktësi të çuditshme në vitin 1943: "Supozimi se një qeveri do ta mbante një punësim të plotë në një ekonomi kapitaliste, nëse di ta bëjë një gjë të tillë, është i gabueshëm. Nën një regjim të një punësimi permanent të plotë, "përjashtimi nga puna" do të pushonte së luajturi rolin e tij si masë disiplinore, duke çuar te një bum parazgjedhor të nxitur nga qeveria. Punëtorët do të dilnin ndoresh dhe 'kapitenët' e industrisë do të ishin anksiozë që "t'ua jepnin atyre një mësim". Në një rast të tillë do të formohej një bllok i fuqishëm midis bizneseve të mëdha dhe interesave të qiramarrësve dhe ata, me gjasë, nuk do të kishin problem që të gjenin ekonomistë për të deklaruar se situata nuk ishte e qëndrueshme".

Revolucioni i bazuar te tregjet fundamentale

Ekonomisti i cili deklaroi se politikat qeveritare për mbajtjen e një punësimi të plotë, ishin "dukshëm jo të qëndrueshme", ishte Milton Friedman. Dhe, revolucioni i bazuar te tregjet fundamentale, të cilin e ndihmoi ai kundër ekonomisë Keynesiane, zgjati 30 vjet. Por, sikur që Keynesianismi u diskreditua nga krizat inflatore të viteve 1970, po ashtu fundamentalizmi i tregjeve u dorëzua përballë kontradiktave të veta, të brendshme gjatë krizës deflatore të vitit 2007. Një kontradiktë specifike e fundamentalizmit të tregut sugjeron një arsye tjetër për ngecjen e të ardhurave dhe për theksimin e ndjenjave populiste gjatë kohëve të fundit. Ekonomistët besojnë se politikat të cilat rrisin të ardhurat nacionale, sikur që janë tregtia e lirë dhe derregullimi, janë gjithmonë të dobishme në aspektin social, pa marrë parasysh mënyrën e shpërndarjes së këtyre të ardhurave më të larta. Kjo bindje bazohet te parimi i quajtur "Optimumi Pareto", i cili supozon se njerëzit me të ardhura më të larta, gjithmonë janë në gjendje që t'i kompensojnë humbësit. Për këtë shkak, çdo politikë që rritë të ardhurat agregate duhet të jetë e mirë për shoqërinë, meqë mund t'i bëjë disa njerëz më të pasur, pa dëmtuar askënd. Por, çka nëse kompensimi i supozuar në teori nga ekonomistët, nuk ndodhë në praktikë? Çka nëse politikat fundamentaliste të tregut ndalojnë shpërndarjen e të ardhurave në formë të subvencioneve regjionale, industriale dhe të edukimit, të cilat do të mund t'i kompensonin ata që vuajnë nga tregtia e lirë dhe 'fleksibiliteti' i tregut të punës? Në një rast të tillë, Optimumi i Paretos nuk është aspak optimal në aspektin social. Në vend të kësaj, politikat që intensifikojnë konkurrencën, qoftë në tregti, tregje të punës, apo prodhim të brendshëm, mund të jenë destruktive në aspektin social dhe 'eksploduese' në aspektin politik. Për të pasur sukses, politikat monetare, fiskale dhe strukturore duhet të implementohen së bashku, në një radhitje logjike, duke e mbështetur njëratjetrën. Por, nëse fundamentalizmi i tregut bllokon politikat ekspansioniste makroekonomike dhe pengon taksimin redistributiv në shpenzimet publike, atëherë ka të ngjarë që të intensifikohet rezistenca e populistëve ndaj tregtisë, derregullimit të tregut të punës dhe reformave pensionale. Në të kundërtën, nëse kundërshtimi populist i bën të pamundura reformat strukturore, atëherë kjo nxitë rezistencën konservatore ndaj makroekonomive ekspansioniste. Të supozojmë, në anën tjetër, se ekonomia "progresive" e një punësimi të plotë dhe të ridistribuimit të plotë mund të kombinohet me një ekonomi "konservatore" të tregtisë së lirë dhe liberalizim të tregut të punës. Si politikat makroekonomike, po ashtu edhe ato strukturore do të ishin më lehtë të justifikoheshin dhe do të kishin më shumë gjasa që të kishin sukses. A mund të pritet që një gjë e tillë të ndodhë në Evropë? Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, e kishte bazuar kampanjën e tij zgjedhore te sinteza e reformave 'djathtiste' të punës dhe te lehtësimi 'majtist' i kushteve fiskale dhe monetare - dhe idetë e tij janë duke marrë mbështetje në Gjermani dhe në mesin e politikëbërësve evropianë. Nëse "Macronekonomia" - tendenca që të kombinohen politikat strukturore konservatore me makroekonominë progresive - ia del me sukses që të zëvendësojë fundamentalizmin e tregut, i cili dështoi në vitin 2007, atëherë dekada e humbur e ngecjes ekonomike mund të marrë fund së shpejti - të paktën në Evropë.

(Anatole Kaletsky është ekonomist kryesor dhe bashkëkryesues i "Gavekal Dragonomics")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për "Project Syndicate", pjesë e së cilës është edhe gazeta "Kosova Sot"
(Kosova Sot)