QEVERIA I TRAJTON SHKRIMTARËT TË BARABARTË ME LYPSARËT

QEVERIA I TRAJTON SHKRIMTARËT TË BARABARTË ME LYPSARËT
  • 24 July 2017 - 08:03

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Kudo në botë shkrimtarët vlerësohen, por në Kosovë zhvlerësohen

Sot, dinjiteti dhe morali i shkrimtarëve, poetëve, këngëtarëve, mbarë komunitetit artistik, është i përdhosur dhe i degraduar pikërisht nga neglizhenca e klasës politike dhe si rezultat i kësaj përdhosjeje sot lirisht një shkrimtar mund të krahasohet me një lypsar

Gjatë shekujve e dekadave nën sundim ka ekzistuar guximi i pendës intelektuale për t'iu kundërvënë sistemeve okupuese, e veçmas zëri i tyre u dallua gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare. Intelektualët e paktë të asaj kohe ngritën zërin për t'i artikuluar interesat kombëtare përmes pendës së tyre kundër sulltanit që fusnin frikë e tmerr tërë Evropës, kundër pashallarëve të ardhur e vendorë që pasuroheshin në kurriz të popullit tonë të varfër duke e sakrifikuar jetën e tyre si Papa Kristo Negovani e shumë të tjerë. Ngritja e zërit të intelektualëve në favor të mirëqenies së popullit natyrisht që ka pasoja nga hakmarrjet e personaliteteve mediokër të pushtetit, por pa sakrificë nuk ka liri.

Penda ishte arma më e fuqishme, e shkronjat u shndërruan në plumba

Në vitet e sistemit okupues serb ishte penda e të riut 22 -vjeçar Adem Demaçi, i cili ngriti zërin për realizimin e të drejtave të popullit tonë, i cili për gati tri dekada u dënua më burg të rëndë nga sistemi okupues. Vargut të intelektualëve që nuk pajtoheshin më sistemin okupues i shtohen edhe poetë të tjerë, si: Fazli Graiçevci, Rexhep Elmazi, Jusuf Gërvallës, Ymer Elshani e madje Ymerin dhe katër fëmijët, gruan, nënën e kunatën i vranë forcat serbe duke i hedhur në pus më 17 prill 1999. Adem Demaçi, Fazli Graiçevci, Rexhep Elmazi,Jusuf Gërvalla,Teki Dervishi, Ymer Elshani e shumë të tjerë pendën e kishin armën më të fuqishme, ndërsa shkronjat e tyre shndërroheshin në plumba të mëvonshëm të luftëtarëve të lirisë.

Krijuesit janë zgjimi i ndërgjegjes kombëtare

Intelektualët e tillë janë zgjimi i ndërgjegjes kombëtare e që sot, jo vetëm që pozita e opozita i kanë harruar, por as kolegët e tyre ende gjallë nuk bëjnë përpjekje për t'i ringjallur veprat e tyre artistike dhe qëndrimet e tyre heroike. Nëse ata ranë në altarin e lirisë kundër sistemit okupues serb, sot është e domosdoshme t'i aktualizojmë veprat dhe heroizmat e atyre që dikur nuk iu përkulën stuhive barbare të armiqve, pavarësisht se duke e ngritur zërin, ne nuk do të marrim subvencione nga asnjë ministri jona për botimin e librave kushtuar poetëve martirë, për organizime të ngjarjeve kulturore të mirëfillta, e për asnjë aktivitet letrar e shkencor. Më lehtë do ta keni të shkruani monografi e ese për figura të rrejshme gjoja patriotike se sa ta trajtoni figurën e Ymer Elshanit apo të Fazli Graiçevcit, ku për të parët do të keni përkrahjen e Qeverisë, ndërsa për të dytët nuk do keni asgjë, përveç: fyerje, ofendime, akuza për megalomani e do të quheni karrieristë. Më lehtë do të keni përkrahje me shuma të mëdha të organizoni ngjarje kulturore, si festivale kushtuar poezi vreshtarisë, poezi kushtuar ditës botërore të ajrit, festivale kushtuar disa krijuesve që dikur i fusnin në burg kolegët e tyre etj., sesa të shkruani për Rexhep Elmazin, Ymer Elshanin e shumë të tjerë që u sakrifikuan për lirinë tonë. Shtrohet pyetja: pse po ndodh kështu?! Mendoj se personalitetet politike pozitë-opozitë, kurrë nuk kanë lexuar asnjë roman, përveç veprën e Haki Stërmillit "Sikur t'isha djalë". Do t'ju duket e pabesueshme, por është realitet që pas shumë bisedave me shumë personalitete politike, kam ardhur në përfundim se ata krenoheshin që kishin lexuar "Sikur t'isha djalë" dhe ndonjë libër të personaliteteve politike të njohura si Kisinxherin, Çerçilin etj. Mirëpo, me secilin që kam pasur rastin të bisedoj, më citonin thënie të mendimtarëve botërorë që të lënë përshtypje se paskan lexuar shumë, e në fakt të gjitha i ke të grumbulluara në "Google". Pra, çka mund të presim nga qeveritarë të tillë që nuk e kanë lexuar asnjë libër?! Nëse nga pyetja e shtruar nuk presim asgjë, nuk mendoj se duhet qëndruar të heshtur. Ngritja e zërit të intelektualëve përmes pendës ndikon dukshëm në ndërgjegjësimin e vetëdijes së tyre dhe të popullit, pavarësisht se ata do të vazhdojnë injorimin e tyre ndaj intelektualëve dhe aty-këtu do të kemi sanksionime, sabotime, injorime deri në zhgënjim. Në një të ardhme të afërt, ata do të shkojnë në përjetësi të harresës, e veprat tona do të lënë gjurmë në kujtesën e gjeneratave të reja. Përveç faktorit se shtresa politike e Kosovës kurrë nuk kanë lexuar libra, është edhe një faktor tjetër që nuk subvencionohen veprat për krijuesit e çështjes kombëtare dhe ngjarjet e mirëfillta kulturore, e ai është pjesa dërmuese e personaliteteve politike dikur ishin në shërbim të sistemit dhe të politikës okupuese. Personalitetet që dikur i shërbyen sistemit okupues,ose bijtë e bijat e atyre baballarëve të ish-sistemit okupues nuk i përkrahin ngjarjet kulturore me interes kombëtar e as veprat mbi krijuesit të cilët e sakrifikuan jetën për çlirimin e atdheut tonë. 

Krijues në shërbim të politikës ditore të sotme

Që nga vitet e çlirimit e gjer më sot, disa penda të lodhura nën sundimin shekullor u ndalën të kritikojnë dhe iu rrekën t'i shkruajnë lirisë, luftëtarëve, heroizmave, guximit dhe trimërisë e herë-herë duke ekzagjeruar me ngjarjet dhe më trimat ku shpeshherë thurnin monografi atyre që paguanin duke i anashkaluar heronjtë e vërtetë. Nga këto autorrëfime, tregime, reportazhe, monografi e poezi, ne krijuam mite të rrejshme për individë të cilët gjatë luftës së fundit më shumë kishin vrarë shqiptarë sesa ushtarë serbë. Krijuam mite dhe gati sa nuk po i shndërrojmë në legjenda ata të cilët jo vetëm që gjatë luftës kishin kurdisur kurthe e kishin bërë plane si t'i vrasin bashkëluftëtarët më të devotshëm, por edhe i zgjodhëm (me vota të manipuluara u zgjodhën vetë) deputetë e ministra duke qenë bindur se do të veprojnë në zhvillimin dhe përparimin e popullit aq të vuajtur nën pushtim, pa e ditur se këta do ta zhvatin deri në skajshmëri euron e fundit mbi kurriz të popullit. Ne, të painformuar se pikërisht këta e kishin zhvatur fondin e 3% dhe të "Vendlindja thërret", u besuam dhe u mashtruam që të na udhëheqin me shpresa që një ditë do të bëhet mirë. Andaj nuk është për t'u habitur se ne ende deri sot nuk jemi në gjendje të shkruajmë një roman artistikisht të mirë, një film, një dramë mbi Shaban Polluzhën, Tahir Mehën, Adem Jasharin,Adem Demaçin, Fazli Graiçevcin, Ymer Elshanin… madje as nuk e trajtojmë temën e luftës, sepse jo vetëm që nuk përkrahen këto botime, por "elita" e disa shkrimtarëve të vjetër që u ngritën nga sistemi i kaluar, dhe disa të rinj që po ngritën me tema të bashkëjetesës e kundër vlerave të luftës të klasifikojnë ekstremist ose i demoduar. 

Pse mungon zëri i pendëve të mirëfillta në Kosovë?

Nuk është aspak për t'u habitur se çdo pushtet për të zgjatur sundimin, përveç përdorimit të forcës si mjet më efikas e preferojnë komunikimin përmes veprave artistike. Në të kaluarën mbretërit e shumtë i ftonin krijuesit në pallate mbretërore në shenjë respekti për art, që pastaj këta të ndikonin në përmirësimin e imazhit të sunduesit të tyre në popull. Njëri prej tyre ishte edhe Molieri, i cili më vonë u dënua nga mbreti i tij edhe pas vdekjes duke dhënë urdhër të varrosej tetë metra thellë për shkrimet kundër kurorës mbretërore. Më vonë Emil Zola u dënua për letrën e tij të famshme "Unë akuzoj" dhe tri vite më vonë gjendet i vdekur në shtëpinë e tij. Kundër shumë krijuesve u ngritën procese gjyqësore dhe u dënuan, si: Viktor Hygo u detyrua të ikte nga Franca për të jetuar 18vjet në Belgjikë dhe Angli, mirëpo sot të gjithë i lexojmë këta autorë, e askush nuk e dinë emrin e atyre që i dënuan. Gjatë kohës së sundimit komunist, në Kosovë u ngritën në piedestal shumë poetë e shkrimtarë e madje edhe Fadil Hoxha e Sinan Hasani u morën me romane. U ngritën ata që i shërbyen sistemit e që në familje fëmijët i pagëzonin Sutjeska, ose të tjerë që i futën në burg shokët e tyre, apo ai që shkruante poemën kushtuar fëmijëve serbë "Poema për ata". Pavarësisht arritjeve të disave, kishte krijues që i shkruan lirisë të cilët u dënuan, u pushkatuan, vdiqën burgjeve… por vargjet e tyre do të mbesin në historinë tonë kombëtare. Në Kosovën e çliruar krijuesit tanë sikur filluan të binin në gjumë dimëror. Çdo gjë e kishte kapur flaka dhe euforia e luftës çlirimtare, ku vlerësoheshin komandantet pa e shkrepur një fishek, ku ngriheshin disa femra që u kishin shërbyer komandanteve që nuk u shkrepte pushka gjatë luftës, ku luftëtarët e lirisë i bënin spiunë e spiunët luftëtarë. Në këtë klimë euforike që akoma ekziston, çdo shkrimtar po e ndien vetën shumë të poshtëruar e të pavlerë. Me çka mund të krenohet shkrimtari e poeti kur para tij "komandanti" rrëfen për trimëritë që nuk i ka bërë, por i ka parë nëpër filma në Kukës apo Durrës e Tiranë. Para një komandanti të tillë si mund të krenohej Ali Podrimja më vargjet e tij të botuara kur shprehej: Zgjohu Kosovë/ Nëna ime e dashur/Balli dhe emri yt i shkelur..." Për komandantin vetëm lufta me pushkë quhet akt trimërie, e jo vargjet e Ali Podrimjes për të cilat UDB-ja në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare e futi në burg. Si mund të krenohej Gani Xhafolli, para një personaliteti politik të sotëm për librin e tij "Shtëpia më …" që e kishte shkruar kundër sistemit të Titos, sepse ai personalitet ose e quante vetën komandant ose ish-bashkëpunëtor i sistemit të Titos e të Milosheviqit të mëvonshëm. Krijuesit e sotëm e kanë një pengesë madhore, sepse atyre nuk u jepet e drejta për të qenë krenarë për librat e tyre artistikë në dobi të atdheut, sepse për klasën politike atdheu nuk është çliruar me libra, por vetëm me pushkë, dhe të gjithë krijuesit i trajtojnë frikacakë, të cilët nuk paskan guxuar t'i rrokin armët për të dalë në male. Ky është gabimi më i madh dhe injorimi i shkallës më të ulët që personalitetet politike ua bëjnë krijuesve duke e zhvlerësuar skajshmërisht veprimtarinë artistike të pendëve tona. Një pjesë e madhe e krijuesve, duke qenë të varur materialisht nga sistemi ynë aktual, janë të detyrueshëm t'i shërbejnë me vepra duke thurur lavde e heroizma për ata që nuk e meritojnë, sepse sistemi është i përbërë nga të tillët. Dikur ishte krenari të dënoheshe për vepra të shkruara e madje ajo paguhej me kokë ose me burgje të rënda. Sot, nuk ka burgje për shprehje të lirë, sot sistemi e ka armën më të perfide-injorimin dhe mossubvencionimin. Sot dinjiteti dhe morali i shkrimtarëve, poetëve, këngëtarëve, mbarë komunitetit artistik është i përdhosur dhe i degraduar pikërisht nga neglizhenca e klasës politike dhe si rezultat i kësaj përdhosjeje sot lirisht një shkrimtar mund të krahasohet me një lypsar. Në sistemin e sotëm politik që nga pas lufta, nuk kemi pasur rastin kurrë që shkrimtarët të ftohen në ndonjë debat televiziv politik ku trajtohen temat politike e sociale. Kurrë moderatorët tanë nuk i ftojnë krijuesit të marrin pjesë në debate lidhur më zhvillimet politike dhe ngjarjeve aktuale në vendin tonë, sepse shkrimtarët janë lypsarë, thonë ata. Shkrimtarët janë elita e çdo shoqërie, të cilët në shkrimet e tyre i parandjejnë dhe i parashikojnë ngjarjet e ardhshme të shoqërisë. Kudo në botë shkrimtarët vlerësohen, në Kosovë zhvlerësohen! Vargu i Ali Podrimjes "Zgjohu Kosovë…" është një parandjenjë dhe parashikim i ngjarjeve që do të ndodhin dekada të mëvonshme pas botimit të këtyre vargjeve. Mirëpo, për klasën politike kosovare, me libra e më këngë patriotike nuk çlirohet atdheu, thonë ata. Harrojnë ata se vargu artistik është djepi i plumbit të luftëtarit të ardhshëm të lirisë dhe mbrojtës i ardhshëm i zhvillimit dhe përforcimit të atdheut. Mirëpo, për moderatorët e debateve televizive politike e sociale, shkrimtarët janë lypsarët e atdheut! 

Cili president apo kryeministër yni ka ftuar krijuesit në audiencë?

Personalitetet tona politike kurrë nuk kanë ftuar krijuesit për një darkë apo koktej rasti. Ata kanë ftuar gazetarët e medieve të ndryshme për festa të fundvitit që të shkruajnë mirë për përmbylljen e punës njëvjetore, por kurrë nuk i ftuan poetët e shkrimtarët. Nuk po pretendoj se ne jemi më të mirët në botë, por këta që jemi, jemi. Personalitetet tona e ftojnë Isamil Kadarenë që është me famë botërore dhe që përmes tij mund të krenohemi lirshëm se jemi shqiptarë, por të respektosh vetëm një Kadare, atëherë qeveritë tona njëra pas tjetrës po e injorojnë ekzistencën e Demaçit,Qosjes ... e krijuesve të tjerë të njohur e të panjohur. Secili krijues e ka vlerën e tij, pavarësisht që veprat e tij nuk janë të nivelit të Kadaresë, Qosjes … por shteti vdes po të ekzistonte një Kadare. Të ftohen vetëm ata që ua puthin dorën, e t'i injorosh ata që kritikojnë qeverisjet e dobëta , është gabim. Puthadorët ta fusin thikën pas shpine, e ne që kritikojmë e bëjmë për dashurinë që e kemi ndaj atdheut, që i tejkalon thurjet e himneve mbi kultin e individit. Ata që dikur u thurnin vargje kulminante Enver Hoxhës e Titos, sot rrëfejnë për mizoritë e diktatorëve dhe u thurin vargje të tjerëve në pushtet. Shkrimtarët shpresojnë që klasa politike të vetëdijesohet në respektimin dhe vlerësimin e veprave artistike të mirëfillta, në mënyrë që të ngritët dinjiteti i krijuesve e jo të mbesim në nivelin e lypsarëve. 

(Kosova Sot)