Shteti komb, finalizimi i ëndrrës sonë nacionale

Shteti komb, finalizimi i ëndrrës sonë nacionale
  • 11 August 2017 - 08:14

SHKRUAN: AZGAN HAKLAJ

Gjuha, territori, historia e kultura janë elementet bazike, që e identifikojnë shtetin komb, apo shtetin nacional, sipas përkufizimit perëndimor. Kongresi i Manastirit ka meritën historike, pasi krijoi alfabetin shqip dhe e identifikoi Shqipërinë para Evropës dhe botës si një komb kulturor. Me zgjedhjen e shkronjave latine, korifenjtë e kulturës kombëtare i treguan Perëndimit se Shqipëria është një popull me kulturë e histori thellë- sisht evropiane, dhe se janë fara dhe rrënja e qytetërimit evropian. Ata dëshmuan se orientimi i tyre kulturor dhe politik drejt vlerave të civilizimit perëndimor është jo vetëm domosdoshmëri ekzistenciale, por dhe mënyra më e sigurt për t'u shkëputur përgjithmonë nga kthetrat e Perandorisë Otomane dhe të asaj Ruso -Sllave. Gjuha si simbol themelorë i një populli është faktor kohezioni vetëm atëherë kur ajo shërben për unifikimin e të gjitha teksteve që nga Abetarja e deri tek literatura universitare e ajo akademike. Një tekst i abetares për të gjithë fëmijët në hapësirën etnike shqiptare është alfa e betejës për ta bërë sistemin arsimor mbarëkombëtar, një gurë themeli dhe premisë të sigurt për të ardhmen e brezave që vijnë. Kuvendi famëmadh i Arbrit i vitit 1703 i mbledhur nën kujdesin e Papës Shqiptar, Klementi i Xl Albani është jo vetëm djepi i Rilindjes Kombëtare por është interpret i dëshirës së flaktë të arbërorëve për ta mbrojtur gjuhën e kulturën e vendit të tyre. Hapja e seminareve dhe kolegjeve në zona të ndryshme me vendim të Kuvendit historik të Arbërit, ku mësimi jepej shqip dhe me tekste të unifikuara, na tregon jo vetëm mashtrimin trashanik e kriminal që historiografia komuniste e dirigjuar nga qarqet antishqiptare sllavo-greke, ka bërë për moshën e gjuhës shqipe, por edhe diçka tjetër themelore, kujtesën tonë historike dhe se jemi tre shekuj prapa së veni në jetë projektin e stërgjyshërve tanë. Një sistem i unifikuar i gjuhës e shkollës shqipe do të thotë që fëmijët, nxënësit dhe studentët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës të kenë në duart e tyre një tekst mësimorë, të kenë të drejta e kritere të njëjta për të hyrë në universitetet tona dhe diploma të barazvlerëshme në gjithë hapësirën shqiptare. Njësoj si për universitetet publike ashtu edhe për ato private.

Shqiptarët ndodhen sot përballë kërcënimit serioz të kuartetit antishqiptar

Kualifikimet pasuniversitare, doktoraturat e gradat shkencore duhet të jepen sipas një sistemi të njësuar nacional. Bashkimi shpirtëror i kombit me një projekt nacional i paraprin bashkimit politik dhe ekonomik. Ai përgatit terrenin dhe shërben si gur-themel i shtetit komb. Trashëgimia kulturore dhe historike janë një e të pandara për të gjitha trojet etnike ku banojnë shqiptarët. Këtë na tregon më së miri folklori, etnografia e së fundmi historia e arkeologjia e epokës ilire, para kristiane dhe e mesjetës së hershme. Dëshmi të pakundërshtueshme, historike dhe shkencore tregojnë se të parët tanë kanë pasur jo vetëm hemogjenitet për sa i takon gjuhës, mënyrës se jetesës, riteve, dokeve e zakoneve të dalluar qartë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, por dhe një civilizim të shkallës më të lartë. Shqiptarët ndodhen sot përballë kërcënimit serioz te kuartetit antishqiptar, Moskë-Ankara-Beograd-Athinë. Në këto qendra përpunohen taktikat e hartohen strategjitë për të groposur njëherë e përgjithmonë kulturën e vjetër shqiptare dhe kujtesën tonë historike. Shkatërrimi apo tjetërsimi i monumenteve të lashta dhe autentike shqiptare, duke përfshirë edhe ato të kultit,përpjekja për të përvetësuar figura të shquara iliro-dardano -arbërore dhe për t'i etiketuar ato si sllavo-greke,e së fundmi edhe përpjekja donkishoteske për tu marre shqiptarëve Eposin Kombëtar, trashëgiminë ilire, Gjergj Kastriotin, Migjenin apo Nënë Terezën vërtetojnë katërçipërisht këtë teoremë. Këto fakte dëshmojnë se siç jemi të ndarë në pesë shtete me qeveri të paafta e të korruptuara, me akademi që flenë gjumë akoma nuk e kemi krijuar nëse shprehemi në gjuhën ushtarake mburojën raketore kundër armiqve tanë historik. Ka 15 vite që Unioni Artistik i Kombit Shqiptarë vepron në të gjithë hapësirën etnike të Kombit Shqiptarë për të promovuar artin tradicional, folkun, këngën, vallen, etnografinë si pasaportë autentike, si ADN-në e Kombit tonë. Festivalet kombëtare, spektaklet, koncertet tematiko-patriotike janë organizuar nën moton. Një komb, një kulturë-një gjuhë- një flamurnjë histori-një atdhe dhe së fundmi në Plavë-Guci: "Një Komb-Një Shtet".

Barrikada për të dëmtuar e asfiksuar trashëgiminë kulturore

Këto manifestime janë kthyer në referendume artistiko -qytetare dhe se Unioni Artistik i Kombit Shqiptar është laborator i platformës së unifikimit të kulturës kombëtare, pa diskutim mund të quhet parlamenti shpirtëror i kombit. Ky konstatim me vjen natyrshëm për shkak se është i shtrirë me aktivitete të rëndësishme në mbarë hapësirën shqiptare dhe se ka si lidershqip ajkën e artit shqiptar. Mesazhet e tij kanë qenë domethënëse për kohën dhe i kanë paraprirë zhvillimeve politike. Mesazhet a artit janë të fuqishme dhe se futen aty ku nuk futet dot politika dhe diplomacia. Kombi ynë nuk përcaktohet tek kombet dinastike apo kombet politike por tek kombet etno -kulturore, prandaj jetëgjatësia dhe shpëtimi nga asimilimi gjatë sagës së gjatë kulturës sonë i dedikohet. Nëse i referohemi historisë së bashkimit te Gjermanisë aspak me shumë nuk ka kontribut Bis Marku se sa Gëte për realizimin e ëndrrës së popujve gjermanikë. Profeti Muhamed na mëson se: "Jetëgjatësia e një populli varet nga jetëgjatësia e trashëgimisë shpirtërore të tij". Nëse qindra-mijëra artistë të Unionit Artistik të Kombit Shqiptarë i bien kryq e tërthorë Atdheut me diplomaci artistike e art diplomatiko-politik, ashtu si Shen Pali Ilirikumit për të përhapur Ungjillin e kulturës sonë kombëtare , qeveritarët e ministrat e korruptuar me anë të marionetave të tyre t'i mbyllin dyert kur ju paraqet projekte madhore të kulturës kombëtare të kuvendeve të këngëve, të valleve shqipe. Ata shkojnë më tej duke u bërë barrikada e parë për të dëmtuar e asfiksuar trashëgiminë kulturore. Projektet kombëtare, festivalet folklorike dhe strategjia afatgjatë për të zbuluar e promovuar breza të rinj artistësh kërkon bashkëveprim mes qeverive shqiptare dhe mbështetje financiare e logjistike. Ka më shumë se një dekadë e gjysmë që është shembur muri mes shqiptarëve dhe asnjë festival kombëtar i folklorit, i mbështetur nga qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës, nuk është bërë e me gjasa as nuk mendohet të zhvillohet në Prizren apo Prishtinë, për të mos folur për Shkupin, Mitrovicën, Preshevën apo Ulqinin. Këto treva të shquara kulturore e historike të Kombit tonë kanë të drejt të ngrenë pyetjen: Përse Shqipëria nënë na sheh me syrin e njerkës? Çfarë bën qeveria e Kosovës? Cilat janë frytet e takimeve pompoze dhe sfilatat qeveritare Tiranë-Prishtinë? A ka diplomaci kulturore mbarëkombëtare? Është paradoksale fakti që Shqipëria, një nga vendet më trashëgimi kulturore ndër më të pasurat e të vjetrit e Evropës, krahas asaj (Greko-Romake) ka buxhetin me të ulët në kontinent në raport me XHDP-në për kulturën e vet kombëtare. Hap tjetër i rëndësishëm i platformës së shtetit komb është hapësira e lirë ekonomike, krijimi i komunuellthitt ekonomik shqiptar. Politika të unifikuara të zhvillimit, të sigurisë kombëtare dhe diplomacisë. Akoma me barriera doganore, me politika reciprociteti, në kufirin shqiptaroshqiptarë. Mendoni kur princ Dhimitri i shtetit të Arbërit 800 vjet më parë bënte tregti të lirë me Raguzën dhe i merrte në mbrojtje në territorin e vet. Kjo ka ndodhur dhe dy shekuj më vonë me Gjon Kastriotin dhe djemtë e tij, të cilët u zotoheshin venedikasve se do t'i mbronin dhe do të paguanin çdo dëm që pësonin në territorin e tyre. Një komunuellth shqiptar ekonomik duhet t'u japë garanci bashkëkombasve, se nuk do t'u shfaqet si makth trau i doganave apo taksimi i dyfishtë. Hapësira e lirë ekonomike për të dhënë frytet e saj kërkon në radhë të parë lëvizjen e shpejtë të mallrave e shërbime me shpejtësi në hapësirën panshqiptare. Kjo ndodh vetëm atëherë kur të financohen projektet e mëdha të infrastrukturës, Rruga e Arbrit, korridori AdriatikAlpe, lidhja e porteve shqiptare me rrjetin hekurudhorë të Kosovës, një rrjet i unifikuar i energjisë. Këto janë investimet strategjike, pa të cilat shqiptarët nuk mund të pretendojnë të hedhin bazat ekonomike. Siguria kombëtare e diplomacia e përbashkët janë pjesë e rëndësishme e platformës së shtetit-komb. Përtej sloganit: "Një Komb, Një Qëndrim", qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës duhet ta kuptojnë se FSK-ja dhe ato të ushtrisë në Shqipëri duhet të trajtohen njësoj, të shkollohen në një akademi e me një program të vetëm. Të kenë të njëjtin sistem gradash dhe të njëjtën strategji të përbashkët në luftën kundër terrorizmit apo kundër rreziqeve që vijnë në mbarë hapësirën etnike shqiptare nga fqinjët shovinistë. Politika e jashtme ka qenë nyja gardiane e shtetit shqiptarë për 100 vjet. Çlirimi i Kosovës ka sjellë një realitet të ri, të cilin u detyra ta njohë edhe presidenti serb Vuçiq. Është koha t? presim me shpatën e drejtësisë këtë nyje të djallit. Shqiptarët duhet t'i flasin botës me një gjuhë. Diplomacia duhet të jetë mbarëkombëtare. Shqiptarët nga komb etnokulturor duhet të bëhen komb politik. Ka ardhur koha që ata të kenë shtetin komb.

(Kosova Sot)